YouVersion Logo
Search Icon

Luka 23

23
Te Pilati
(Mt 27.1-2, 11-14; Mk 15.1-5; Gjn 18.28-38)
1Atëherë tërë turma e tyre u ngrit, e çuan Jezuin te Pilati 2dhe filluan ta padisnin kështu: «E zumë këtë njeri duke e nxjerrë popullin tonë nga udha. Ai ndalon t'i paguhen taksat Cezarit, e quan veten Krisht e thotë se është mbret». 3Atëherë Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». 4Atëherë Pilati u tha kryepriftërinjve e turmave: «Nuk gjej asnjë faj te ky njeri». 5Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Ai e ngre popullin në këmbë duke mësuar njerëzit nëpër tërë Judenë, që nga Galilea deri këtu».
Te Herodi
6Kur e dëgjoi këtë, Pilati pyeti nëse ky njeri ishte galileas. 7Si mori vesh se Jezui vinte nga krahina që qeverisej prej Herodit, e dërgoi tek ai, meqenëse Herodi gjendej në Jerusalem ato ditë. 8Kur e pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë. Ai kishte shumë kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar për Jezuin e shpresonte ta shihte duke bërë ndonjë shenjë. 9Ai e pyeti gjatë, por Jezui nuk iu përgjigj. 10Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e shkruesit, të cilët e padisnin plot zemërim. 11Edhe Herodi me ushtarët e vet e tallën dhe e përqeshën Jezuin. Pastaj i hodhën mbi supe një veshje të shndritshme dhe e dërguan te Pilati. 12Atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi.
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-26; Mk 15.6-15; Gjn 18.39—19.16)
13Atëherë Pilati thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin 14e u tha: «Më keni sjellë këtë njeri e më thoni se ai e nxjerr popullin nga udha. Ja, unë e hetova para syve tuaj, por nuk e gjeta te ky njeri fajin për të cilin e padisni 15dhe as Herodi, sepse ai e ktheu te ne. Ky nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16-17Prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj#23.16 dorëshk. të tjera edhe: 17 Pilati ishte i detyruar të lironte dikë për ta, me rastin e çdo feste». 18Atëherë ata bërtitën të gjithë së bashku: «Vrite këtë e na liro Barabën». 19Barabën e kishin futur në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje. 20Pilati, që dëshironte ta lironte Jezuin, iu drejtua përsëri atyre, 21por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!». 22Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj». 23Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta. 24Atëherë Pilati vendosi t'u plotësohej kërkesa. 25Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje e vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44; Mk 15.21-32; Gjn 19.17-27)
26Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. 27Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, 28por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. 29Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”.
30Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve:
“Bini mbi ne”
dhe kodrave:
“Na mbuloni!”.
31Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?».
32Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. 33Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij.
34Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë#23.34 dorëshkr. të tjera nuk e përmbajnë këtë pjesë të rreshtit».
Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij.
35Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». 36Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull 37e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». 38Mbi të gjendej ky mbishkrim#23.38 dorëshk. të tjera edhe: me shkronja greke, latine dhe hebraike: «Ky është mbreti i judenjve».
39Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». 40Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? 41Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». 42Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». 43Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».
Vdekja
(Mt 27.45-46; Mk 15.33-41; Gjn 19.28-30)
44Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite. 45Dielli u zu e veli i tempullit u gris më dysh. 46Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim». Pasi tha këto, dha shpirt.
47Kur pa çfarë kishte ndodhur, kryeqindësi përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë».
48Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi e u kthyen duke rrahur kraharorin. 49Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea, rrinin në njëfarë largësie dhe shikonin këto gjëra.
Varrimi
(Mt 27.57-61; Mk 15.42-47; Gjn 19.38-42)
50Aty ishte një njeri i mirë e i drejtë me emrin Jozef. Ai ishte anëtar i sinedrit, 51por nuk e kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Jozefi ishte nga Arimateja, një qytet i Judesë, dhe priste mbretërinë e Perëndisë. 52Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. 53Atëherë e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë prej liri dhe e vendosi në një varr të hapur në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende askush.
54Ishte e premte, duke u gdhirë e shtunë. 55Gratë, që kishin ardhur nga Galilea me Jezuin, e ndoqën pas Jozefin. Ato e panë varrin dhe sesi ishte vendosur trupi i Jezuit. 56Pastaj u kthyen dhe përgatitën vajra erëmirë e mirrë.
Ngjallja
(Mt 28.1-10; Mk 16.1-8; Gjn 20.1-10)
Të shtunën pushuan sipas ligjit.

Currently Selected:

Luka 23: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in