YouVersion Logo
Search Icon

Vajtimet 4

4
Ndëshkimi i Sionit
Alef
1Ari u zymtua,
u tjetërsua ari i pastër.
U përhapën gurët e shenjtë
në krye të çdo rruge.
Bet
2Bijtë e çmuar të Sionit,
që peshohen me ar,
seç i panë si enë balte,
vepër e duarve të poçarit!
Gimel
3Gati janë edhe çakejtë t'u japin gji
e t'i mëkojnë të vegjlit e vet,
por bija e popullit tim u egërsua
si struci në shkretëtirë.
Dalet
4Deri edhe foshnjës prej etjes
i ngjitet gjuha pas qiellze.
Fëmijët lypin bukë,
por s'ka kush t'ua japë.
He
5Humbin udhës
ata që hanin mirë.
Ata që visheshin me purpur
rrëmojnë në mbeturina.
Vau
6Vërtet u shtua faji i bijës së popullit tim,
më shumë se mëkati i Sodomës,
që u përmbys njëherësh
pa i vënë dorë askush.
Zain
7Zotërinjtë e saj shkëlqenin më shumë se bora,
ishin më të bardhë se qumështi,
e kishin trupin më të kuq se koralet,
pamjen si të safirit.
Het
8Hijen e kanë më të zezë se thëngjillin,
nuk njihen rrugës.
U është ngjitur lëkura në eshtra,
u është tharë si druri.
Tet
9Të therurit prej shpatës janë më mirë
se të vdekurit nga uria
që fishken se u mungojnë
prodhimet e tokës.
Jod
10Janë bërë ushqim për ta,
kur u rrënua bija e popullit tim,
fëmijët që gratë e dhimbshme
me duart e veta i gatuan.
Kaf
11Krejt zemërimin e vet e zbrazi Zoti,
e derdhi furinë e vet.
I vuri zjarrin Sionit,
e përpiu me themel.
Lamed
12Lehtë nuk e besojnë mbretërit e tokës
as banorët e botës,
se ngucësi e armiku
i kapërcyen portat e Jerusalemit,
Mem
13me mëkatet e profetëve
e me ligësitë e priftërinjve
që derdhën mes tij gjak të pafajshëm.
Nun
14Ngarendnin udhëve verbërisht,
fëlliqur me gjak,
aq sa as petkat nuk ua preknin dot.
Samek
15«Sprapsuni! Ndyrësi!», u bërtitnin.
«Sprapsuni! Sprapsuni! Mos prekni!».
Prandaj, ikën e u endën, aq sa ndër kombe thanë:
«Nuk duhet të qëndrojnë më gjatë!».
Fe
16Fytyra e Zotit i përzuri,
ai nuk ua hedh më sytë,
priftërinjtë nuk u nderuan,
pleqtë nuk u përfillën.
Ain
17Amullia i zuri sytë tanë,
duke këqyrur më kot për ndihmë.
Këqyrnim për ndonjë komb
që s'na shpëtonte dot.
Cade
18Cytnin hapat tanë,
që të mos ecnim shesheve tona.
Na u afrua fundi! Na u sosën ditët,
se na erdhi fundi.
Kof
19Këmbëshpejtë ishin përndjekësit tanë,
më të shpejtë se shqiponjat në qiell.
Nëpër male na ndoqën,
pritë na vunë në shkretëtirë.
Resh
20Ra në gropat e tyre i vajosuri i Zotit,
ai që na mbushte me frymë,
ai për të cilin thoshim:
«Nën hijen e tij do të jetojmë ndër kombe».
Sin
21Sa jetojnë në tokën e Ucit,
të gëzojnë e të ngazëllejnë me bijën e Edomit,
por kupa do të kalojë edhe nga ti,
do të dehesh e do të dalësh cullak.
Tau
22T'u shlye dënimi, bija e Sionit,
ai nuk do ta zgjasë mërgimin tënd,
por do ta ndëshkojë fajësinë tënde,
o bijë e Edomit,
do t'i zbulojë mëkatet e tua.

Currently Selected:

Vajtimet 4: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy