YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 21

21
Të paudhët i shpëtojnë ndëshkimit
1Jobi u përgjigj e tha:
2«Dëgjoni me vëmendje fjalët e mia
e ky do të jetë ngushëllim për mua.
3Duromëni e unë do të flas
dhe, si të kem folur, përqeshmëni.
4Vallë kundër një njeriu po ankohem?
Pse të mos e humb duresën?
5Kthehuni kah unë e shtanguni,
Mbajeni gojën me dorë.
6Tronditem kur kujtohem
e mishi më rrëqethet.
7Pse vallë rrojnë të paudhët,
madje moshohen e forcohen më shumë?
8Bijtë pranë tyre zënë vend
me pinjojtë e tyre para syve.
9Të qeta i kanë shtëpitë e s'tremben,
nuk i godet shkopi i Perëndisë.
10Mëzati i tyre ndërzen e s'i del huq,
lopa e tyre nuk e dështon viçin.
11Djemtë e tyre porsi grigja dalin
e valle fëmijët e tyre hedhin.
12I bien dajres e lirës,
me tinguj fyelli ata kënaqen.
13I ngrysin ditët në begati
e të qetë zbresin në skëterrë.
14Perëndisë i kanë thënë: “Larg nesh!
S'duam t'i njohim udhët e tua.
15Çfarë është i gjithëpushtetshmi, që t'i shërbejmë?
E çfarë fitojmë, po t'i përgjërohemi?”.
16Ata e kanë vetë në dorë begatinë,
por, larg meje këshilli i të paudhëve!
17Sa herë u shuhet kandili të paudhëve?
Sa herë i zë zezona?
Sa herë Perëndia i brengos i zemëruar?
18Mos janë si kashta që e merr era
apo si byku që e përlan furtuna?
19Thuhet se Perëndia e ruan ndëshkimin për bijtë e të ligut.
Le t'i ndëshkojë, pra, ata, që të marrin vesh!
20Me sytë e vet ta shohin rrënimin
e zemërimin e të gjithëpushtetshmit të pinë.
21Për kë lënë pas nuk mërziten,
kur muajt e jetës krejt t'u kenë mbaruar.
22A i mësohet dija Perëndisë,
atij që gjykon ata që janë lart?
23Dikush vdes në begati,
fare i qetë e fare i kënaqur,
24me ijët plot qumësht
e me palcën njomur.
25Dikush vdes me shpirt të hidhëruar,
të mirën kurrë pa e shijuar.
26Në pluhur njësoj prehen
e krimbat i mbulojnë.
27Ah, sa mirë i njoh mendimet tuaja,
shestimet tuaja, për të më mujshuar.
28Se më thoni: “Ku është shtëpia e fisnikut?
Ku është tenda e banimit të të paudhëve?”.
29Pse nuk pyetët udhës kalimtarët
e nuk pranoni provat e tyre,
30se në ditën e mynxyrës shpëton i paudhi,
në ditën e furisë ai e gjen rrugëdaljen.
31Kush i qorton ndër sy për sjelljen e tyre
e kush ua kthen për çfarë kanë bërë?
32Pasi ta kenë çuar në varrezë të ligun,
mbi varrin e tij do të vënë rojë
33e lehtë plisat e dheut mbi të do të prehen.
Pas tij do të shkojë gjithë njerëzia,
e panumërt do të ecë para tij.
34Si doni të më ngushëlloni me kotësira?
Përgjigjet tuaja janë veç dredhi?».

Currently Selected:

Jobi 21: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in