YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 20

20
Cofari flet për ndëshkimin e të paudhëve
1Cofar Namatiti u përgjigj e tha:
2«Tani mendja më thotë të të përgjigjem,
për shkak të ngacmimit që është në mua.
3Dëgjova një ligjërim që më fyen
e përgjigjen ma jep fryma e mençurisë.
4A nuk e di se, ngaherë,
qëkurse njeriu u vendos mbi dhe,
5të paudhët galdojnë për pak kohë
e të pafetë gëzojnë veç një grimë?
6Edhe po të arrijë gjer në qiell madhështia e tij,
e koka e tij të prekë retë,
7do të bjerë përgjithmonë, si jashtëqitja e vet
e ata që e patën parë do të thonë: “Ku iku?”.
8Si ëndrra do të davaritet e nuk do të gjendet,
do të zhduket si vegimi i natës.
9Syri që e pa një herë, më nuk do ta shikojë
e nuk do ta shohë as vendi i vet.
10Skamnorët do t'i përkrahin bijtë e tij,
me duart e veta do ta kthejnë pasurinë.
11Eshtrat e tij dikur në lule të rinisë,
bashkë me të në pluhur do të prehen.
12Nëse i duket e ëmbël në gojë ligësia
dhe e mban fshehur nën gjuhë,
13e ruan, por nuk e gëlltit,
e mban brenda në gojë,
14në bark do t'i prishet ushqimi
e në zorrë helm nepërke do t'i bëhet.
15Pasurinë që gëlltiti do ta vjellë,
Perëndia nga barku do t'ia nxjerrë.
16Helmin e gjarprit do të thithë
e gjuha e nepërkës do ta vrasë.
17Nuk do të shohë më tek rrjedh lumi,
përroi me mjaltë e me gjalpë.
18Do ta kthejë çfarë fitoi e nuk do ta hajë,
nuk do t'i gëzojë fitimet e tregtisë,
19se i shtypi e i shpërfilli skamnorët,
pushtoi shtëpitë që s'kishte ndërtuar,
20se barku i tij kurrë nuk u ngop
e nga babëzia asgjë nuk i shpëtoi.
21Asgjë nuk i shpëtoi grykësisë së tij,
prandaj nuk do të zgjasë mirëqenia e tij.
22Në kulmin e begatisë do ta gjejë mjerimi,
shuplaka e çdo lloj kobi do ta godasë.
23Kur të jetë duke mbushur barkun,
Perëndia do ta godasë me zjarrin e zemërimit,
do t'ia lëshojë prushin si shi.
24Do t'i shpëtojë ushtës së hekurt,
por do ta shporojë harku i bronztë.
25Do ta shkulë prej shpinës,
por mëlçinë rrufeja do t'ia godasë
e tmerri do ta pushtojë.
26Terri i thellë i rri në pritë,
flaka që askush s'e ndezi do ta djegë
e do të shkretojë ç'ka i mbeti në tendë.
27Qiejt do ta zbulojnë ligësinë e tij
e toka kundër tij do të ngrihet.
28Të mirat e shtëpisë së tij do të firojnë,
në ditën e zemërimit të tij do të zhduken.
29Këtë fat i caktoi Perëndia njeriut të paudhë,
këtë trashëgimi i caktoi Perëndia».

Currently Selected:

Jobi 20: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in