YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 7

7
Mosbesimi i të vëllezërve
1Pastaj Jezui vazhdoi të përshkonte Galilenë. Ai nuk donte të kalonte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. 2Po afronte festa e Kasolleve, një nga festat e judenjve, 3dhe vëllezërit e vet i thanë: «Largohu prej këtej e shko në Jude, që edhe dishepujt e tu të shohin veprat që bën! 4Kush kërkon të jetë i njohur, nuk i fsheh ato që bën. Nëse ti bën vepra të tilla, shfaqja veten botës!». 5Në të vërtetë as vëllezërit e tij nuk besonin në të. 6Atëherë Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende, ndërsa për ju çdo kohë është e përshtatshme. 7Bota nuk mund t'ju urrejë ju, ndërsa mua më urren, sepse unë dëshmoj se veprat e saj janë të liga. 8Ju, shkoni në festë! Unë nuk do të vij në këtë festë, sepse koha ime nuk ka ardhur ende». 9U tha këto e qëndroi në Galile.
Në festën e Kasolleve
10Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe Jezui, jo haptas, por fshehurazi.
11Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?». 12Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!», 13por asnjë nuk fliste hapur për të, se kishin frikë nga judenjtë.
14Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull e filloi të mësonte njerëzit. 15Judenjtë habiteshin e thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet pa ia mësuar njeri?». 16Jezui u përgjigj: «Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi. 17Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime. 18Kush flet nga vetja kërkon lavdi për vete, ndërsa kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, thotë të vërtetën dhe në të nuk ka gënjeshtër.
19A nuk jua dha Moisiu ligjin? Megjithatë asnjë prej jush nuk e zbaton. Përse kërkoni të më vrisni?». 20Turma iu përgjigj: «Ty të ka pushtuar djalli. Kush kërkon të të vrasë?». 21Jezui u tha: «Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë. 22Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në të vërtetë nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën. 23Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, se shërova tërësisht një njeri të shtunën? 24Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi».
A është Jezui Krishti?
25Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë? 26Ja, ai po flet lirisht e nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti? 27Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është».
28Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni. 29Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi». 30Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, se nuk i kishte ardhur ende koha.
31Shumë nga turma besuan në Jezuin e thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë shenja se ky?».
Përpjekje për ta arrestuar
32Farisenjtë dëgjuan se turma pëshpëriste këto gjëra për Jezuin, prandaj, së bashku me kryepriftërinjtë, dërguan roja për ta kapur. 33Atëherë Jezui u tha: «Edhe për pak kohë jam me ju e pastaj do të shkoj tek ai që më dërgoi. 34Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni, sepse ju nuk mund të vini atje ku jam unë». 35Judenjtë pyesnin njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk mund ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes helenëve e të mësojë helenët? 36Ç'do të thonë fjalët “do të më kërkoni e nuk do të më gjeni” dhe “ju nuk mund të vini atje ku jam unë”?».
Lumenj uji të gjallë
37Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! 38Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij, siç ka thënë Shkrimi». 39Këtë e tha për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në të. Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse Jezui ende nuk ishte ngritur në lavdi.
Shkak përçarjeje
40Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz nga turma thanë: «Ky është me të vërtetë profeti», 41të tjerë thoshin: «Ky është Krishti», ndërsa të tjerë: «Vallë nga Galilea vjen Krishti? 42A nuk ka thënë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit e nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi?». 43Kështu pati përçarje në turmë për shkak të Jezuit. 44Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
Mosbesimi i krerëve
45Rojat u kthyen te kryepriftërinjtë e farisenjtë që i pyetën: «Përse nuk e sollët?». 46Ata iu përgjigjën farisenjve: «Asnjeri nuk ka folur kështu ndonjëherë». 47Farisenjtë u thanë: «Mos u mashtruat edhe ju? 48A ka besuar në të ndonjë prej krerëve apo prej farisenjve? 49Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin është e mallkuar». 50Nikodemi, njëri prej farisenjve, që kishte shkuar më parë te Jezui, tha: 51«A e gjykon ligji ynë ndonjë njeri pa e dëgjuar më parë e pa marrë vesh se çfarë ka bërë?». 52Ata iu përgjigjën: «Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shiko se asnjë profet nuk vjen nga Galilea».
Gruaja që bëri tradhti bashkëshortore
53Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.

Currently Selected:

Gjoni 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in