YouVersion Logo
Search Icon

Gjoni 1:29-51

Gjoni 1:29-51 AL1

Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit». Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë». Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit. Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?». Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites. Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin. Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb. Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!». Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit. Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit». Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi. Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!». Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi». Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!». Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».