YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 51

51
1Kështu thotë Zoti:
«Ja, do të ngre kundër Babilonisë
e kundër banorëve të Kaldesë
një erë shkatërrimtare.
2Do të çoj në Babiloni shoshitës,
që ta shoshitin
e do ta zbrazin tokën e saj,
se nga të gjitha anët
do t'i sulen
në ditën e zezonës.
3Harkëtari të mos e ndehë harkun
e të mos krekoset me mburojë.
Mos i kurseni të rinjtë e saj,
shfaroseni tërë ushtrinë e saj».
4Do të bien të therur në tokën e kaldenjve,
të shpuar nëpër rrugët e saj,
5se nuk është harruar Izraeli, as Juda,
nga Perëndia i tyre, Zoti i ushtrive,
por toka e kaldenjve është plot fajësi
kundrejt të shenjtit të Izraelit.
6Ikni nga mesi i Babilonisë,
secili të shpëtojë veten,
mos u rrënoni për faj të saj,
se kjo është koha e hakmarrjes së Zotit,
plotësimi i shpërblimit të saj.
7Babilonia ishte gotë e artë në dorën e Zotit,
që dehte tokën mbarë,
prej verës së saj pinë kombet,
prandaj kombet u dalldisën.
8Papritur, Babilonia ra e u thye,
vajtoni për të,
merrni balsam për dhimbjen e saj,
ndoshta mund të shërohet.
9E kemi mjekuar Babiloninë,
por nuk u shërua.
Braktiseni e le të shkojmë
secili në dheun e vet,
se gjykimi i saj mbërriti në qiell,
u ngrit gjer në re.
10 Zoti na e nxori të drejtën,
ejani, le ta tregojmë në Sion
veprën e Zotit,
Perëndisë tonë.
11Mprihni shigjetat,
vishni parzmoret.
Zoti ua ka trazuar shpirtin mbretërve të Medës, se qëllimi i tij kundrejt Babilonisë është ta shkatërrojë, se kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja për tempullin e tij.
12Ngrini një flamur drejt mureve të Babilonisë,
përforcojeni rojën,
caktoni rojtarë,
përgatitni pritat,
se Zoti e mendoi dhe e zbatoi çfarë pati thënë
për banorët e Babilonisë.
13O ti që banon ndanë ujërave të shumtë,
me thesare të begata,
të erdhi fundi,
po të këputet filli.
14 Zoti i ushtrive u betua për veten e vet:
do të të mbush me njerëz si me karkaleca
e ata do të këndojnë mbi ty këngën e fitores.
15Ai e bëri tokën me fuqinë e vet,
e themeloi botën me urtinë e vet,
i shtriu qiejt me mençurinë e vet.
16Kur e nxjerr zërin, trazohen ujërat në qiell
dhe i ngre avujt nga skajet e dheut.
Ai i bën vetëtimat e shiut
dhe e nxjerr erën nga qilarët e vet.
17Marroset çdo njeri, pa marrë vesh,
turpërohet çdo farkëtar për shkak të idhujve,
se është e gënjeshtërt shkrirja e tij
e nuk ka frymë në të.
18Janë kotësi, vepra qesharake.
Në kohën e ndëshkimit të tyre, do të shkatërrohen.
19Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit,
se ai i dha trajtë gjithçkaje,
Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij,
Zot i ushtrive është emri i tij.
Vajtimi mbi Babiloninë
20Çekan je ti për mua, mjet lufte,
me ty i thërrmoja kombet,
me ty i shkatërroja mbretëritë.
21Me ty thërrmoja kalë e kalorës,
me ty thërrmoja karrocë e kalorës,
22me ty thërrmoja burrë e grua,
me ty thërrmoja plak e të ri,
me ty thërrmoja djalosh e vashëz,
23me ty thërrmoja bari e grigjë,
me ty thërrmoja bujkun bashkë me qetë,
me ty thërrmoja prijës e qeveritarë.
24Por do t'ia kthej, para syve tuaj, Babilonisë dhe të gjithë banorëve të Kaldesë, të gjithë ligësinë që bënë në Sion, kumton Zoti.
25Ja ku më ke, o mali i rrënimit, kumton Zoti,
ti që e rrënon mbarë tokën.
Do ta shtrij dorën kundër teje,
do të të rrokullis nga thepat
e do të të bëj mal të shkrumbuar.
26Asnjë gur nuk do të nxirret prej teje për qoshe,
asnjë gur për themele,
por do të jesh shkretim i përhershëm,
kumton Zoti.
27Ngrini një flamur në vend,
bini bririt mes kombeve,
përgatituni për luftë kundër saj,
thirrni kundër saj mbretëritë,
Araratin, Miniun e Ashkenazin,
caktoni kundër saj një udhëheqës,
sillni kuajt si luzmë karkalecash.
28Përgatitni kombet kundër saj,
mbretërit e Medës me prijësit e mbarë qeveritarët,
mbarë vendet e mbretërisë së tij.
29Dridhet toka e gulçon,
se u plotësuan kundër Babilonisë shestimet e Zotit,
për ta kthyer tokën e Babilonisë në shkretim,
në vend të pabanuar.
30Luftëtarët e Babilonisë kanë reshtur së luftuari,
rrinë në fortesat e veta,
i ka lënë fuqia,
janë bërë si gra,
janë djegur banesat e tyre,
janë thyer shulat e tyre.
31Lajmëtari has në lajmëtar,
njoftuesi has në njoftues,
për ta njoftuar mbretin e Babilonisë
se ky qytet u mor nga çdo anë.
32I janë zënë vatë,
i janë djegur kallamishtet me zjarr,
luftëtarët janë tmerruar.
33Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit:
bija e Babilonisë është porsi lëma
në kohën e shirjes,
edhe pak e do t'i vijë koha e korrjes.
34Na përpiu e na trullosi Nabukodonosori,
mbreti i Babilonisë, më rrëzoi.
Më bëri enë të zbrazur,
më gëlltiti si përbindësh,
e mbushi barkun
e më dëboi nga kënaqësitë e mia.
35Dhuna e dobësia ime i rëntë Babilonisë,
thonë banorët e Sionit,
e gjaku im mbi banorët e Kaldesë,
thotë Jerusalemi.
36Prandaj, kështu thotë Zoti:
ja, do të rragatem për çështjen tënde,
do ta marr unë harkun tënd.
Do t'ia thaj detin,
do t'ia ter gurrën.
37Babilonia do të bëhet pirg rrënojash,
strofull çakejsh,
tmerr e fishkëllimë,
pa banorë fare.
38Do të ulërijnë së bashku si luanët,
do të hingëllijnë si këlyshët e luaneshës.
39Kur t'i kapë zjarrmia, do t'ua bëj unë festën,
do t'u jap të pinë, që të dëfrehen
e të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim,
kumton Zoti.
40Do t'i zbres si qengjat në thertore,
si deshtë dhe cjeptë.
41Si u mor Sheshaku,
krenaria e mbarë dheut?
Si u bë Babilonia
tmerr ndër kombe?
42Hyri deti në Babiloni,
u mbulua me dallgët e tij të rrëmbyeshme.
43U bënë shkretim qytetet e saj,
tokë e thatë e stepë,
tokë ku nuk banon askush,
ku nuk kalon asnjeri.
44Do ta ndëshkoj Belin në Babiloni,
do t'ia nxjerr nga goja ç'ka gëlltitur.
Kombet nuk do të rrjedhin më drejt saj,
edhe muret e Babilonisë do të rrafshohen.
45Dilni prej saj, populli im,
secili të shpëtojë veten
nga zemërimi i flaktë i Zotit.
46Mos t'ju lëshojë zemra e mos kini frikë
nga njoftimi i shpallur në vend,
kur të vijë një vit një njoftim
e një vit tjetër një njoftim tjetër
e kur të ketë dhunë në vend
e sundimtar kundër sundimtari.
47Prandaj, ja, po vijnë ditët,
kur do t'i ndëshkoj shëmbëlltyrat e Babilonisë.
Mbarë toka e saj do të turpërohet
e tërë të therurit do të rrëzohen në mes të saj.
48Do të gëzohen për Babiloninë qielli e toka
me gjithë ç'kanë,
se shkatërrimtarët do të sulen kundër saj nga veriu,
kumton Zoti.
49Edhe Babilonia do të bjerë prej të vrarëve të Izraelit,
siç u vra bota mbarë për Babiloninë.
50Ju, që i keni shpëtuar shpatës,
mos u ndalni!
Kujtojeni prej larg Zotin
e t'ju bjerë ndër mend Jerusalemi.
51Jemi turpëruar, se kemi dëgjuar tallje,
turpi na e ka mbuluar fytyrën,
se kanë hyrë të huajt
në tempullin e Zotit.
52Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti,
kur unë do t'ia ndëshkoj shëmbëlltyrat
e në mbarë tokën e saj
do të rënkojnë të plagosurit.
53Edhe po të ngrihej Babilonia deri në qiell,
edhe po ta përforconte majën e saj të fortë,
prej meje do të vijnë shkatërrimtarë kundër saj,
kumton Zoti.
54Një zë! Britmë nga Babilonia!
Rrënim i madh nga dheu i kaldenjve!
55Se Zoti po e shkatërron Babiloninë,
po e shuan bujën e saj të madhe.
Oshtijnë dallgët e saj si ujërat e rrëmbyeshëm,
i del kumbimi zërit të tij,
56se erdhi kundër saj, kundër Babilonisë,
një shkatërrimtar,
u kapën luftëtarët e saj,
u copëtuan harqet e tyre,
se Perëndia i hakmarrjes është Zoti,
ai e jep shpërblimin e plotë.
57Do t'i deh prijësit e saj e të urtët,
udhëheqësit, qeveritarët e luftëtarët,
do të flenë gjumin e përhershëm pa zgjim,
kumton mbreti, Zot i ushtrive është emri i tij.
58Kështu thotë Zoti i ushtrive:
muret e gjera të Babilonisë
do të shemben fare
e portat e saj të larta
do të digjen me zjarr.
Popujt mundohen më kot
dhe kombet lodhen vetëm për zjarr.
Fundi i Babilonisë
59Urdhri që profeti Jeremi i dha Serajahut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekinë, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte përgjegjësi i banesës. 60Jeremia i shkroi në një libër të gjitha zezonat që duhej të binin mbi Babiloninë. Të gjitha këto fjalë janë shkruar kundër Babilonisë. 61Pastaj Jeremia i tha Serajahut: «Kur të mbërrish në Babiloni, bëj kujdes e lexoji të gjitha këto fjalë 62e thuaj: o Zot, ti the për këtë vend se do ta zhbish, që të mos ketë banorë në të, as njerëz, as kafshë, por të jetë i rrënuar përgjithmonë.
63Pasi ta kesh përfunduar së lexuari këtë libër, lidhe me gur, hidhe në mes të Eufratit 64e thuaj: kështu do të mbytet Babilonia e nuk do të ngrihet më, për shkak të zezonës që unë po çoj kundër saj. E ata do të marrin fund».
Deri këtu fjalët e Jeremisë.

Currently Selected:

Jeremia 51: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in