Jeremia 5
5
Kokëfortësia e Jerusalemit
1«Silluni rrugëve të Jerusalemit,
shikoni e vëreni!
Kërkoni nëpër sheshet e tij,
se mos gjeni ndonjë zbatues të ligjit,
ndonjë kërkimtar të besnikërisë,
dhe unë do ta fal qytetin.
2Por, edhe kur thonë: “Pasha Zotin”,
bëjnë be në rrenë.
3O Zot, a nuk kërkojnë të vërtetën sytë e tu?
Ti i godite, por nuk u mekën,
i këpute, por e përbuzën qortimin.
E ngurtësuan fytyrën më shumë se shkëmbi
e nuk e pranuan pendimin.
4Thashë me vete: janë të vobektë,
sillen marrëzisht,
nuk e njohin udhën e Zotit,
të drejtën e Perëndisë së tyre.
5Do të shkoj t'u drejtohem të mëdhenjve,
do të flas me ta,
se ata e njohin udhën e Zotit,
të drejtën e Perëndisë së tyre.
Por edhe ata e kishin thyer zgjedhën,
i kishin këputur vargonjtë.
6Prandaj do t'i kafshojë luani i pyllit,
do t'i rrënojë ujku i shkretëtirës.
Leopardi i vëzhgon qytetet e tyre
dhe kush del do të shqyhet,
se janë shumuar pabesitë e tyre,
janë shumëzuar kryeneçësitë e tyre.
7E si mund të të përdëllej?
Bijtë e tu më braktisën
e u betuan mbi çka nuk është perëndi.
Unë i ngiva
e ata më tradhtuan,
rendën te shtëpia e lavires.
8Hamshorë të majmë e epshorë janë,
secili i hingëllin gruas së të afërtit.
9A nuk do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti.
A nuk do të hakmerrem me një komb si ky?
10Hidhuni mbi rreshtat e hardhive të tij e shkatërrojini,
por mos i rrënoni krejtësisht,
harrjani shermendet,
se nuk janë të Zotit.
11Se shtëpia e Izraelit dhe e Judës
më tradhtoi, kumton Zoti.
12Gënjyen për Zotin e thanë:
“Nuk është.
Nuk do të na bjerë asnjë fatkeqësi,
nuk do të shohim as shpatë, as uri”.
13Profetët u bënë erë,
kanë mbetur pa fjalë.
Ashtu u ndodhtë edhe atyre!
14Prandaj, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive:
meqë e folët këtë fjalë,
ja, po i vë fjalët e mia si zjarr në gojën tënde
e ky popull do të jetë druri që ai do të përpijë.
15Ja, do të dërgoj kundër jush një komb prej së largu,
o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti.
Është komb qëndrestar,
komb i qëmoçëm,
komb të cilit nuk ia njeh gjuhën
e nuk do të marrësh vesh çfarë thotë.
16Kukura e tyre është si varr i hapur,
janë që të gjithë guximtarë.
17Do të përpijë të korrat e tua e bukën tënde,
do të përpijë bijtë e tu e bijat e tua,
do të përpijë grigjat e tua e tufat e tua,
do të përpijë vreshtat e tua e fiqtë e tu,
me shpatë do t'i shembë qytetet e tua të fortifikuara,
në të cilat kishe besim.
18Por edhe në ato ditë, kumton Zoti, nuk do t'ju shfaros. 19E kur të thonë: “Për çfarë na e bëri tërë këtë Zoti, Perëndia ynë?”, ti do t'u përgjigjesh: “Siç më braktisët për t'u shërbyer perëndive të huaj në tokën tuaj, kështu do t'u shërbeni të huajve në një tokë që nuk është e juaja”.
20Tregojani këtë shtëpisë së Jakobit,
njoftojeni në Judë e thoni:
21dëgjojeni këtë, o popull i marrë e pa mend,
që keni sy, por nuk shihni,
keni veshë, por nuk dëgjoni.
22A nuk do të më keni frikë? Kumton Zoti.
A nuk do të dridheni para meje
që i caktova detit rërën si pritë,
cak i përhershëm, që nuk do ta kapërcejë?
Dallgët e tij shkumojnë, por nuk fitojnë,
ushtojnë, por nuk e kapërcejnë.
23Por ky popull e ka zemrën gur e të pabindur,
janë kthyer e kanë ikur.
24Nuk thonë me vete:
“Ta druajmë Zotin, Perëndinë tonë,
që na jep shiun në vjeshtë e në pranverë, në kohën e vet,
dhe ruan për ne javët e caktuara për të korrat”.
25Prapësitë tuaja i kanë përmbysur këto
e mëkatet tuaja e kanë larguar prej jush të mirën,
26se në popullin tim gjenden të mbrapshtët.
Ata përgjojnë si gjuetarët në pritë,
ngrenë kurthe,
zënë njerëz.
27Siç është kafazi plot me zogj,
ashtu janë plot mashtrim shtëpitë e tyre,
prandaj janë bërë të mëdhenj e të pasur,
28janë shëndoshur e lëmuar.
Edhe cakun e ligësisë e kanë kaluar,
për të drejtën e jetimit,
nuk kujdesen
e prapë përparojnë,
pa ua dhënë të drejtën skamnorëve.
29A nuk do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti.
A nuk do të hakmerrem me një komb si ky?
30Tmerr e kob
ka ndodhur mbi dhe:
31profetët profetizojnë gënjeshtra,
priftërinjtë sundojnë sipas tyre
e populli im kënaqet kështu,
por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?».
Currently Selected:
Jeremia 5: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020