Jeremia 39
39
Rënia e Jerusalemit
1Në muajin e dhjetë të vitit të nëntë të Sedekisë, mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, mbërriti në Jerusalem me tërë ushtrinë e vet dhe e pushtoi. 2Në vitin e njëmbëdhjetë të Sedekisë, në muajin e katërt, në ditën e nëntë të muajit, u hap një e çarë në qytet 3dhe hynë të gjithë prijësit e mbretit të Babilonisë e zunë vend në portën e mesme: Nergal Sareceri, Samgar Nebu Sarsekimi nga Rab Sarisi, Nergal Sareceri nga Rab Magu dhe të gjithë prijësit e tjerë të mbretit të Babilonisë. 4Kur i panë, Sedekia, mbreti i Judës dhe të gjithë luftëtarët, morën arratinë dhe dolën nga qyteti natën, rrugës së kopshtit të mbretit, nëpër portën mes dy mureve. Morën udhën e Arabasë, 5por ushtria e kaldenjve i ndoqi. E zunë Sedekinë në stepat e Jerikosë, e kapën dhe e sollën në Riblah, në dheun e Hamatit, te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i cili shpalli vendimin. 6Mbreti i Babilonisë i theri bijtë e Sedekisë në Riblah, para syve të tij. Mbreti i Babilonisë theri edhe të gjithë fisnikët e Judës. 7Pastaj ia nxori sytë Sedekisë dhe e lidhi me vargonj, për ta çuar në Babiloni. 8Kaldenjtë dogjën pallatin mbretëror dhe shtëpitë e popullit, ndërsa muret e Jerusalemit i shembën. 9Nebuzaradani, kryerojtari, shpërnguli në Babiloni pjesën tjetër të popullit, ata që kishin mbetur në qytet, dhe të dorëzuarit që i kishin rënë në dorë. 10Nebuzaradani, kryerojtari, la në dheun e Judës skamnorët, që nuk zotëronin asgjë, dhe u dha, në atë kohë, vreshta e ara.
Lirimi i Jeremisë
11Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i kishte dhënë këtë urdhër për Jereminë Nebuzaradanit, kryerojtarit: 12«Merre, mbaje nën kujdes e mos i bëj asnjë të keqe, por sillu me të siç të thotë ai vetë». 13Atëherë Nebuzaradani, kryerojtari, Nebushazbani nga Rab Sari, Nergal Sareceri nga Rab Magu dhe të gjithë krerët e mbretit të Babilonisë 14dërguan njerëz për ta marrë Jereminë nga tremja e burgut dhe ia lanë Gedaliahut, birit të Ahikamit, të birit të Shafanit, që ta merrte në shtëpi. Kështu, ai jetoi mes popullit.
15Jeremisë i ishte drejtuar fjala e Zotit, kur kishte qenë ende në tremen e burgut: 16«Shko e thuaji Ebedmelekut, kushitit, se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do t'i përmbush për keq e jo për mirë fjalët e mia kundër këtij qyteti dhe do të ndodhin para teje atë ditë. 17Por unë do të të liroj atë ditë, kumton Zoti, e nuk do t'u biesh në dorë njerëzve prej të cilëve ke frikë, 18se unë do të të shpëtoj. Nuk do të biesh prej shpatës, por do të përfitosh shpirtin si plaçkë, sepse besove në mua, kumton Zoti».
Currently Selected:
Jeremia 39: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020