YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 15

15
Vendosmëria e Zotit
1 Zoti më tha: «Edhe po të qëndronin para meje vetë Moisiu e Samueli, shpirti im nuk do të prirej drejt këtij populli. Dëboji nga prania ime e le të ikin. 2E kur të të pyesin: “Ku të shkojmë?”, ti do t'u thuash: kështu thotë Zoti:
kush është për vdekje, në vdekje;
kush është për shpatë, në shpatë;
kush është për zi buke, në zi buke;
kush është për robëri, në robëri.
3Do të dërgoj mbi ta katër lloje mynxyrash, kumton Zoti: shpatën për të vrarë, qentë për të zvarritur, zogjtë e qiellit dhe kafshët e tokës për të gëlltitur e për të shkatërruar. 4Do t'i bëj tmerrin e mbarë mbretërive të dheut, për shkak të asaj që bëri në Jerusalem Manaseu, biri i Ezekisë, mbretit të Judës.
5Kush do të të mëshirojë, o Jerusalem,
e kush do të të ngushëllojë?
Kush do të kthehet
për të të pyetur si je?
6Ti më dëbove, kumton Zoti,
po ecën prapthi,
ndaj shtriva dorën kundër teje e të shkatërrova.
U lodha së përdëllyeri.
7I shpërndava me terplote
te portat e vendit,
e lashë pa fëmijë, e rrënova popullin tim,
se nuk u kthyen prej udhëve të tyre.
8Të vejat e tij m'u shtuan
më shumë se rëra e detit.
Solla kundër nënave e kundër të rinjve
rrënimtarin në mes të ditës,
zbraza mbi ta papritur
trazim e tmerrim.
9U mek ajo që lindi shtatë fëmijë,
e la fryma.
I perëndoi dielli që me ditë,
u turpërua e u trondit.
Tepricën e tyre do t'i shkoj në shpatë
para armiqve të tyre, kumton Zoti».
Ankimi i Jeremisë
10Vaj për mua, o nëna ime,
që më linde mua
njeri rragatjesh e kundërshtimesh
për mbarë vendin!
As dhashë e as mora hua,
e, pra, të gjithë më mallkojnë.
11Zoti tha: «A nuk të ruajta ty për të mirë?
A nuk e bëra armikun të të lutej
në kohë të liga
e në kohë ngushtice?
12A thyhet hekuri,
hekuri i veriut dhe bronzi?
13Pasurinë tënde dhe thesaret e tua
do t'i jap për plaçkë, pa çmim,
për shkak të mëkateve tuaja,
anembanë trojeve tuaja.
14Do të të bëj skllav të armiqve të tu
në një tokë që ti nuk e njeh,
se u ndez zjarri i zemërimit tim
që do të përflaket kundër teje».
15Ti e di, o Zot.
Kujtohu për mua, eja tek unë
e hakmerru me përndjekësit e mi.
Falë durimit tënd, mos më zhbij.
Përfille qortimin që durova për shkakun tënd.
16U shfaqën fjalët e tua e unë i përpiva.
Fjalët e tua u bënë për mua gëzimi
e hareja e zemrës sime,
sepse thirra emrin tënd,
o Zot, Perëndia i ushtrive.
17Nuk ndenja në shoqërinë e hokatarëve
e nuk u argëtova.
Për shkak të dorës sate ndenja i vetëm,
se me hidhërim më kishe mbushur.
18Pse nuk merr fund dhimbja ime
e plaga ime e pashërueshme
s'pranon të shërohet?
Ti u bëre për mua si mashtrim,
si uji, që s'i zihet besë.
19Prandaj, kështu thotë Zoti:
«Nëse kthehesh,
unë do të të kthej
e ti do të qëndrosh në praninë time.
Nëse do të nxjerrësh të vyerën nga e pavyera,
do të jesh si goja ime.
Ata do të kthehen drejt teje,
por ti nuk do të kthehesh drejt tyre.
20Para këtij populli do të të bëj
mur bronzi të fortifikuar.
Do të luftojnë kundër teje,
por nuk do të të mundin,
se me ty do të jem unë, për të të çliruar»,
kumton Zoti.
21«Do të të çliroj prej dorës së të paudhëve,
do të të shpengoj prej dorës së mujsharëve».

Currently Selected:

Jeremia 15: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in