Judita 4
4
Përgatitjet e judenjve
1Kur izraelitët që banonin në Jude dëgjuan gjithçka u kishte bërë kombeve Oloferni, kryeushtaraku i Nabukodonosorit, mbretit të asirianëve, si i kishte plaçkitur e rrënuar të gjithë tempujt e tyre, 2u tmerruan së tepërmi prej tij, por edhe për Jerusalemin dhe tempullin e Zotit, Perëndisë së tyre. 3Ata sapo ishin kthyer nga shpërngulja. Mbarë populli i Judesë sapo ishte bashkuar. Enët e shenjta, altari e tempulli ishin shenjtëruar, sepse kishin qenë përdhosur. 4Prandaj dërguan lajmëtarë në të gjitha trojet e Samarisë, në Konë, në Bet Horon, në Belmain, në Jeriko, në Kobë, në Aesorë e në luginën e Salemit. 5I pushtuan të gjitha majat e maleve menjëherë, fortifikuan fshatrat që gjendeshin në to e mblodhën ushqime për luftë, sepse arat i kishin korrur së voni. 6Kryeprifti Joakim, që ndodhej në Jerusalem në atë kohë, i shkroi popullit të Betulisë e të Betomashtaimit, kundruall Esdrelonit, përballë rrafshit të Dotanit, 7me urdhrin të zinin qafat e maleve, se prej andej mund të pushtohej Judeja, prandaj mund të ishte e lehtë t'i ndalnin kalimtarët, se kalimi ishte i ngushtë e duhej të ecnin dy nga dy.
Lutjet dhe pendesa
8Izraelitët vepruan siç i kishte urdhëruar kryeprifti Joakim dhe pleqësia e mbarë popullit të Izraelit, që ishte mbledhur në Jerusalem. 9Çdo njeri në Jerusalem i thirri Perëndisë me përkushtim të madh dhe u përulën me vendosmëri të madhe. 10Ata, gratë e tyre, fëmijët, kafshët, të huajt, mëditësit dhe skllevërit e blerë, të gjithë i ngjeshën ijët me thasë. 11Të gjithë izraelitët, burrat, gratë dhe fëmijët që banonin në Jerusalem ranë përmbys para tempullit, hodhën hi mbi kokë dhe tundën thasët para Zotit. 12Edhe altarin e mbështollën me thasë, i thirrën njëzëri Perëndisë së Izraelit e iu përgjëruan që foshnjat e tyre të mos i përlante plaçkitësi, gratë të mos ua bënin pre, të mos u shkatërroheshin qytetet që kishin trashëguar, të mos përdhosej shenjtërorja e të mos bëhej ligësisht përrallë për kombet. 13Zoti ua dëgjoi zërin dhe ua mori parasysh pikëllimin. Populli agjëroi për shumë ditë nëpër Jude e në Jerusalem, para shenjtërores së Zotit të gjithëpushtetshëm. 14Kryeprifti Joakim dhe të gjithë priftërinjtë që qëndronin në praninë e Zotit, me thasët në ijë, kushtonin flinë e përditshme të shkrumbimit, flitë kushtimore dhe flitë vullnetare të popullit. 15Me hirin mbi kësula i thërrisnin Zotit sa të mundnin, që të kujdesej mirësisht për tërë shtëpinë e Izraelit.
Currently Selected:
Judita 4: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020