Judita 14
14
Mbledhja në Betuli
1Judita u tha: «Dëgjomëni, vëllezër. Merreni këtë kokë dhe vareni majë murit tuaj. 2Kur të dalë agimi e dielli të ngrihet përmbi dhe, secili të marrë armët e veta dhe çdo njeri i aftë të dalë nga qyteti. Caktoni një udhëheqës të tyrin, kinse po zbrisni në fushë kundër pararojave asiriane, por mos zbrisni. 3Ata do të marrin armët e do të shkojnë në fushim, për të thirrur kryeushtarakët e ushtrisë asiriane, që do të shkojnë me vrap te tenda e Olofernit e nuk do ta gjejnë. Atëherë do t'i zërë tmerri e do të marrin arratinë prej jush. 4Ju e të gjithë ata që banojnë brenda trojeve të Izraelit do t'i ndiqni e do t'i zhbini kur të jenë duke ikur. 5Por, para se të veproni kështu, sillmëni Akior Amonitin, që ai ta shohë e ta njohë atë që e përçmoi shtëpinë e Izraelit dhe e dërgoi te ne gjoja për të vdekur».
6Atëherë thirrën Akiorin nga shtëpia e Uziahut. Ai erdhi, e pa kokën e Olofernit në dorën e njërit prej burrave të bashkësisë së popullit dhe u rrëzua me fytyrë përdhe, se i ra të fikët. 7Kur e ngritën, u hodh te këmbët e Juditës, e nderoi me fytyrë përdhe e tha:
«Qofsh e bekuar në të gjitha tendat e Judës
e ndër të gjitha kombet!
Ata që do ta dëgjojnë emrin tënd
do t'i zërë tmerri.
8Tani tregomë çfarë ke bërë gjatë këtyre ditëve».
Judita tregoi në mes të gjithë popullit gjithçka kishte bërë që nga dita kur ishte nisur e deri në atë kohë që po u fliste. 9Pasi mbaroi së foluri, populli brohoriti dhe dolën britma hareje në qytetin e tyre. 10Kur Akiori pa gjithçka kishte bërë Perëndia i Izraelit, besoi fort në Perëndinë, u rrethpre dhe u bë anëtar i shtëpisë së Izraelit, siç është edhe sot e kësaj dite.
11Sapo agoi, e varën në mur kokën e Olofernit. Pastaj morën armët të gjithë dhe dolën në aradhë nëpër qafëmale. 12Asirianët, kur i panë, lajmëruan udhëheqësit e vet. Ata shkuan te kryeushtarakët, te kryemijësit dhe te të gjithë prijësit e tyre. 13Mbërritën te tenda e Olofernit e i thanë kryepërgjegjësit: «Zgjoje zotërinë tonë, se ata skllevër kanë marrë guxim të zbresin në betejë kundër nesh, që të rrënohen përfundimisht».
14Bagoasi hyri brenda dhe trokiti te hyrja e tendës. Mendonte se ai po flinte me Juditën. 15Por, meqë nuk e dëgjoi askush, e hapi, hyri tek dhoma e gjumit dhe e gjeti në dysheme të plandosur, të vdekur e pa kokë. 16Atëherë bërtiti me zë të lartë, qau, shfryu, ulëriti dhe shqeu petkat. 17Pastaj shkoi te tenda ku kishte ndenjur Judita, nuk e gjeti, doli me vrap te populli dhe bërtiti: 18«Skllevërit na e kanë hedhur. Shtëpinë e mbretit Nabukodonosor e ka turpëruar një grua hebreje. Ja, Oloferni është i shtrirë e pa kokë».
19Kur udhëheqësit e ushtrisë asiriane e dëgjuan këtë, shqyen petkat, ua pushtoi shpirtin një tmerr i madh dhe britmat e klithmat e tyre të mëdha ushtuan në fushim.
Currently Selected:
Judita 14: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020