Judita 1
1
Nabukodonosori dhe Arfaksadi
1Ishte viti i dymbëdhjetë i mbretërimit të Nabukodonosorit, i cili mbretëroi mbi asirianët në qytetin e madh të Ninivës. Në ato ditë Arfaksadi mbretëronte mbi medët në Ekbatanë. 2Ai ndërtoi mure rreth Ekbatanës, me gurë të latuar një metër e gjysmë të gjerë dhe tre metra të gjatë. Muret i bëri tridhjetë e pesë metra të larta dhe njëzet e pesë metra të gjera. 3Te portat vendosi kullat, pesëdhjetë metra të gjata dhe tridhjetë metra të gjera te themelet. 4Portat ia bëri tridhjetë e pesë metra të larta dhe njëzet metra të gjera, që të mund të dilnin ushtritë dhe aradhët e këmbësorisë së tij. 5Mbreti Nabukodonosor shkoi në luftë kundër mbretit Arfaksad në rrafshin e madh në trojet e Ragaut. 6Krah tij u rreshtuan tërë banorët e kodrinave dhe të gjithë ata që banonin përgjatë Eufratit, Tigrit dhe Hidaspës, si edhe ata të rrafshit të Ariohut, mbretit të elimenjve. Shumë kombe u bashkuan me aradhët e bijve të kaldenjve.
7Atëherë Nabukodonosori, mbreti i asirianëve, u dërgoi fjalë të gjithë banorëve të Persisë dhe të gjithë atyre që banonin në perëndim, banorëve të Kilikisë, të Damaskut, të Libanit, të Antilibanit, të gjithë banorëve të bregdetit, 8atyre që gjendeshin mes kombeve të Karmelit e të Gileadit, të Galilesë së epërme, të Rrafshit të Madh të Esdrelonit, 9të gjithë atyre që ishin në Samari dhe në qytezat e saj, përtej Jordanit deri në Jerusalem, në Betani, në Kelus, në Kadesh, në lumin e Egjiptit, në Tafnis, në Ramses, në tërë tokën e Goshenit, 10deri përtej Tanisit e Memfisit, si edhe të gjithë atyre që banonin në Egjipt, deri në kufi me Etiopinë. 11Të gjithë banorët e tërë trojeve e shpërfillën fjalën e Nabukodonosorit, mbretit të asirianëve, dhe nuk pranuan të shkonin me të në luftë. Nuk i trembeshin, por u dukej thjesht një njeri, prandaj ia kthyen lajmësit duarzbrazur e pa i nderuar. 12Atëherë Nabukodonosori u zemërua me tërë dheun e u betua për fronin dhe për mbretërinë e tij, se do të hakmerrej me tërë trojet e Kilikisë, të Damaskut e të Sirisë, se do të therte me shpatë edhe banorët e tokës së Moabit, njerëzit e Amonit, tërë Judenë dhe tërë egjiptianët deri në brigjet e dy deteve.
13Në vitin e shtatëmbëdhjetë e rreshtoi ushtrinë kundër mbretit Arfaksad dhe e shpartalloi në betejë. Ai e mundi tërë ushtrinë e Arfaksadit, tërë kalorësinë e karrocat e tij. 14Pastaj pushtoi qytetet dhe mbërriti në Ekbatanë. I pushtoi kullat, i plaçkiti tregjet dhe ia ktheu bukurinë në shëmtirë. 15Ai e kapi Arfaksadin në malet e Ragaut, e gjuajti me shigjeta dhe e shkatërroi përfundimisht. 16Atëherë u kthye në Ninivë ai, ushtria e tij dhe aradhët e shumta. Ai dhe ushtria e tij festuan aty për njëqind e dyzet ditë.
Currently Selected:
Judita 1: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020