YouVersion Logo
Search Icon

Gjyqtarët 6

6
Sundimi i midianitëve
1Izraelitët bënë sërish çka është keq në sytë e Zotit dhe Zoti i dorëzoi te midianitët për shtatë vjet. 2Sundimi i midianitëve mbi Izraelin sa vinte e bëhej më i ashpër. Nga frika e tyre, izraelitët u strukën nëpër guva, shpella e fortesa malesh. 3Kur izraelitët mbillnin arat, vinin midianitët, amalekitët e popuj të tjerë të lindjes, 4ngrinin fushimin në tokat e tyre dhe i shkatërronin të gjitha prodhimet bujqësore deri në hyrje të Gazës, duke i lënë izraelitët pa ushqim, pa dele, pa lopë e pa gomarë. 5Vinin me gjithë bagëti dhe kishin aq shumë tenda, sa ngjanin me karkaleca. Ishin aq të shumtë dhe kishin aq shumë deve, sa nuk i numëroje dot. E zinin tokën dhe e shkatërronin. 6Izraeli ra në mjerim të thellë për shkak të midianitëve, prandaj izraelitët thirrën në ndihmë Zotin.
7Izraelitët thirrën në ndihmë Zotin për shkak të midianitëve 8dhe Zoti u dërgoi një profet, i cili u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë. 9Ju çlirova nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin. I dëbova para jush dhe ju dhashë tokën e tyre. 10Ju thashë se unë jam Zoti, Perëndia juaj dhe të mos i druani perënditë e amoritëve, në tokën e të cilëve banoni, por ju nuk më dëgjuat”».
Engjëlli i Zotit dhe Gideoni
11Engjëlli i Zotit erdhi në Ofrah dhe u ul nën lisin e Joashit që ishte nga klani i Abiezerit. Gideoni, biri i Joashit, po pastronte grurin dhe po e fshihte në tork, për ta shpëtuar nga midianitët. 12Atëherë engjëlli i Zotit iu shfaq e i tha: «Zoti qoftë me ty, o luftëtar trim!». 13Gideoni iu përgjigj: «Më fal, imzot, por nëse Zoti është me ne, përse na ndodhën të gjitha këto? Ku janë gjithë ato mrekulli, për të cilat na kanë folur etërit tanë, kur na thoshin se Zoti na ka nxjerrë nga Egjipti? E, pra, tani Zoti na ka braktisur e na ka dorëzuar te midianitët». 14Atëherë Zoti u kthye nga ai e i tha: «I fortë siç je, shko e çliroje Izraelin nga zgjedha e midianitëve. Po të dërgoj unë». 15Gideoni iu përgjigj: «Më fal, Zoti im, por si do ta çliruakam unë Izraelin? Familja ime është familja më e dobët e Manaseut dhe unë jam më i vogli i shtëpisë së tim eti». 16Zoti i tha: «Do të jem unë me ty. Ke për t'i mposhtur midianitët si të ishin një njeri i vetëm». 17Atëherë Gideoni i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një shenjë se je ti që po flet me mua. 18Mos u largo prej këndej derisa të kthehem e të të vë përpara një fli kushtimi». Ai i tha: «Po të pres derisa të kthehesh».
19Gideoni shkoi e përgatiti një kec e disa kuleç të ndormë me tridhjetë kilogramë miell. Mishin e vuri në një shportë, ndërsa lëngun e mishit në një poçe balte dhe ia solli e ia shtroi përpara nën lis. 20Atëherë engjëlli i Perëndisë i tha: «Merre mishin dhe kuleçtë e ndormë, vëri mbi atë shkëmb e derdh mbi ta lëngun e mishit». Gideoni bëri si i tha. 21Pastaj engjëlli i Zotit shtriu shkopin që mbante në dorë dhe me majën e tij preku mishin dhe kuleçtë e ndormë. Nga shkëmbi doli zjarr, që e përpiu mishin me gjithë kuleçtë e ndormë. Atëherë engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e Gideonit. 22Gideoni kuptoi se kishte qenë engjëlli i Zotit e tha: «Mjerë unë, o Zot, Zoti im! Pashë engjëllin e Zotit ballë për ballë». 23Zoti i tha: «Paqja qoftë me ty! Mos ki frikë, s'ke për të vdekur». 24Gideoni ndërtoi atje një altar për Zotin dhe e quajti «Zoti është paqe». Ky altar gjendet edhe sot e kësaj dite në Ofrah të abiezeritëve.
25Po atë natë, Zoti i tha: «Merr demin e tyt eti dhe një dem tjetër shtatë vjeçar. Shkatërro altarin e Baalit që ka ngritur yt atë dhe copëtoje shtyllën e Asherasë që është pranë altarit. 26Pastaj, po në majë të atij shkëmbi, ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd. Merr mandej demin e dytë dhe kushtoje si fli shkrumbimi me drutë e shtyllës së Asherasë që do të kesh copëtuar». 27Gideoni mori dhjetë nga shërbëtorët e tij e bëri siç i tha Zoti. Nga frika e familjes së tij dhe e banorëve të qytetit, nuk e bëri ditën, por natën.
28Kur njerëzit e qytetit u ngritën të nesërmen në mëngjes, panë altarin e Baalit të shkatërruar, shtyllën e Asherasë pranë tij të copëtuar dhe demin e dytë të kushtuar mbi altarin e rindërtuar. 29Atëherë filluan t'i thonë njëri-tjetrit: «Kush e ka bërë këtë?». Hetuan e pyetën për këtë çështje e u thanë se e kishte bërë Gideoni, biri i Joashit. 30Burrat e qytetit i thanë Joashit: «Nxirre djalin jashtë që ta vrasim, se ka shkatërruar altarin e Baalit dhe ka prerë shtyllën e Asherasë që ishte pranë altarit». 31Joashi u tha të gjithë atyre që e kishin rrethuar: «Juve ju takuaka të mbroni e të shpëtoni Baalin? Ai që do të mbrojë Baalin, do të vdesë deri nesër në mëngjes. Nëse Baali na qenka perëndi, atëherë le të mbrohet vetë nga ai që ia prishi altarin». 32Që prej asaj dite Gideoni u quajt Jerubaal, që do të thotë «Baali le të mbrohet vetë», sepse i kishte prishur altarin.
33Të gjithë midianitët, amalekitët dhe popujt e lindjes u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe fushuan në luginën e Izrelit. 34Atëherë shpirti i Zotit e mbuloi Gideonin dhe ai i ra bririt të dashit për të thirrur abiezeritët që t'i shkonin pas. 35Dërgoi lajmëtarë në mbarë Manaseun dhe i thirri pasardhësit e Manaseut që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë edhe në Asher, në Zabulon dhe në Neftali dhe ata shkuan e u bashkuan me të.
Shenja e shtëllungës së leshit
36Atëherë Gideoni i tha Perëndisë: «Nëse do ta shpëtosh Izraelin përmes dorës sime, sikurse the, 37do të vë një shtëllungë leshi në lëmë. Po të ketë vesë vetëm mbi shtëllungën e leshit, ndërkohë që gjithë vendi përreth shtëllungës mbetet i thatë, atëherë do ta di se do ta shpëtosh me të vërtetë Izraelin përmes dorës sime». 38Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Gideoni u ngrit herët, shtrydhi shtëllungën e leshit dhe prej saj doli një kupë ujë. 39Dhe Gideoni i tha Perëndisë: «Mos u zemëro me mua, por do të flas edhe një herë. Më lejo ta bëj edhe një herë provën e shtëllungës. Këtë herë, të lutem, le të jetë e thatë shtëllunga e leshit, ndërsa vendi përreth saj le të laget nga vesa». 40Dhe ashtu bëri Perëndia. Atë natë ra vesë mbi mbarë vendin, por shtëllunga e leshit mbeti e thatë.

Currently Selected:

Gjyqtarët 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Gjyqtarët 6