YouVersion Logo
Search Icon

Gjyqtarët 12

12
Jeftahu dhe fisi i Efraimit
1Burrat e fisit të Efraimit u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe mbërritën në Cafon. Ata i thanë Jeftahut: «Përse kalove Jordanin për të sulmuar amonitët e nuk na thirre edhe ne? Do t'i vëmë flakën shtëpisë sate bashkë me ty brenda». 2Jeftahu u tha: «Unë e populli im ishim në luftë të ashpër me amonitët dhe, kur ju thirra në ndihmë, ju nuk erdhët të më shpëtonit prej tyre. 3Kur pashë se ju nuk po vinit për të më shpëtuar, vura jetën time në rrezik, kalova Jordanin për të sulmuar amonitët dhe Zoti m'i dorëzoi. Përse, pra, vini tani për të më sulmuar?». 4Jeftahu mblodhi të gjithë burrat e Gileadit e u ndesh me Efraimin. Burrat e Gileadit i sulmuan burrat e Efraimit, sepse u kishin thënë: «Ju burrat e Gileadit jeni ikanakë e banoni mes Efraimit e Manaseut». 5Burrat e Gileadit zunë vaun e Jordanit, nëpër të cilin do të kalonin burrat e Efraimit. Kur vinte ndonjë i arratisur nga Efraimi e u thoshte: «Më lini të kaloj!», burrat e Gileadit i thoshin: «Mos je gjë nga Efraimi?». Ai u përgjigjej: «Jo». 6E ata i thoshin: «Thuaj Shiboleth». Por ai përgjigjej: «Siboleth», sepse nuk mund ta shqiptonte saktë. Atëherë ata e merrnin dhe e vrisnin. Asokohe vranë atje në vaun e Jordanit dyzet e dy mijë burra të Efraimit.
7Jeftahu nga Gileadi qe gjyqtar i Izraelit për gjashtë vjet. Pastaj vdiq e u varros në një nga qytetet e Gileadit.
Ibcani, Eloni dhe Abdoni
8Pas Jeftahut gjyqtar i Izraelit qe Ibcani nga Betlehemi. 9Ai kishte tridhjetë djem e tridhjetë vajza. Vajzat i kishte martuar jashtë fisit dhe djemve u kishte dhënë për nuse vajza po nga jashtë fisit. Ai qe gjyqtar i Izraelit për shtatë vjet. 10Pastaj Ibcani vdiq dhe e varrosën në Izrael.
11Pas tij gjyqtar i Izraelit qe Eloni nga Zabuloni. Ai qe gjyqtar i Izraelit për dhjetë vjet. 12Pastaj Eloni vdiq e u varros në Ajalon, në trojet e Zabulonit.
13Pas Elonit, gjyqtar i Izraelit qe Abdoni, biri i Hilel Piratonitit. 14Abdoni kishte dyzet djem e tridhjetë nipër, që kalëronin shtatëdhjetë gomarë. Abdoni qe gjyqtar i Izraelit për tetë vjet. 15Pastaj Abdoni, biri i Hilel Piratonitit, vdiq e u varros në Piraton, në trojet e Efraimit, në malin e Amalekut.

Currently Selected:

Gjyqtarët 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in