YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 63

63
Dita e hakmarrjes
1Kush është ky që vjen nga Edomi,
nga Bocrahu me petka të kuqe?
Ky, që është veshur me kaq madhështi,
që po afrohet me kaq forcë?
Jam unë që flas me drejtësi,
që kam fuqi të shpëtoj.
2Përse, pra, je veshur me të kuqe
dhe petkat i ke si ai që shtrydh rrushin?
3I vetëm e shtrydha rrushin
e nga popujt askush s'qe me mua.
I shtypa me këmbë nga zemërimi,
i shtrydha nga mëria ime.
Gjaku i tyre m'i stërpiku petkat,
gjithë rrobat m'i njollosi.
4Ja, ditën e hakmarrjes e kisha në zemër,
viti i shpengimit tim mbërriti!
5Pashë e s'kishte kush të ndihmonte!
U shtanga e askush nuk më përkrahte!
Atëherë ngadhënjeu krahu im
e më përkrahu furia ime.
6Me zemërim i shtypa popujt,
i deha me mërinë time,
gjakun e tyre përtokë e derdha.
7Mirësinë e Zotit do ta kujtoj,
lavdërimin e Zotit
dhe gjithçka Zoti bëri për ne,
mirësinë e madhe, ndaj shtëpisë së Izraelit,
që i dhuroi nga dhembshuria
dhe nga mirësia e tij e pamasë.
8Se tha: «Vërtet janë populli im,
bij që nuk merren me mashtrime»
dhe u bë shpëtimtari i tyre
9në çdo fatkeqësi që kishin.
Nuk i shpëtoi as ndonjë njeri#63.9 ose: Në çdo fatkeqësi që kishin, hidhërohej edhe ai
e as ndonjë engjëll,
por i shpëtoi vetë ai
dhe nga dashuria e mëshira i shpengoi.
Ai vetë i ngriti e i mbajti
gjatë gjithë ditëve të moçme.
10Por ata ngritën krye
dhe e hidhëruan shpirtin e tij të shenjtë.
Prandaj u bë armiku i tyre,
vetë ai luftoi kundër tyre.
11Atëherë popullit iu kujtuan ditët e lashta,
Moisiu me mbarë popullin.
«Ku është ai që i nxori ata prej ujit», thanë,
«Bashkë me barinjtë e tufës së tij?
Ku është ai që mes tyre vuri
shpirtin e tij të shenjtë?
12Ai që, përmes krahut të djathtë të Moisiut,
i drejtoi me krahun e tij të madhërishëm?
Ai që i ndau ujërat para tyre,
për të fituar një emër të amshuar?
13Ai që i kaloi nëpër fundin e humnerës,
siç kalon kali nëpër shkretëtirë, pa u penguar?
14Ashtu si zbresin bagëtitë në luginë,
ashtu i çonte drejt prehjes Shpirti i Zotit.
Kështu i prive popullit tënd,
për të bërë një emër të madh».
15Vështro prej qiellit e shiko
prej banesës sate të shenjtë e të madhërishme!
Ku është zelli e fuqia jote?
Dëshira jote e zjarrtë dhe mëshira jote
larg prej nesh qëndrojnë.
16Sepse ti je ati ynë!
Abrahami nuk na njeh
dhe Izraelit s'i kujtohemi,
por ti, o Zot, je ati ynë,
«Shpenguesi ynë» është emri yt
që prej amshimit.
17Përse na bën të endemi, o Zot,
larg prej udhëve të tua?
Përse i ngurtëson zemrat tona,
që ty mos të të druajmë?
Kthehu për hir të shërbëtorëve të tu,
për hir të fiseve të trashëgimit tënd.
18Vetëm për pak kohë populli yt i shenjtë e trashëgoi tokën,
erdhën armiqtë dhe e shkelën shenjtëroren tënde.
19Prej kohësh jemi bërë një popull
mbi të cilin ti nuk sundon më
e nuk thirret me emrin tënd.
# 63.19b të tjerë e rendisin si 64.1 Ah, sikur t'i shqyeje qiejt e të zbrisje,
para teje malet do të dridheshin!

Currently Selected:

Isaia 63: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in