Isaia 49
49
Shërbëtori i Zotit
1Dëgjomëni, o ujdhesa,
bëni kujdes, o popuj të largët!
Zoti më thirri që në ngjizje,
e kujtoi emrin tim
që kur isha në bark të nënës.
2Gojën time e bëri si shpata e mprehtë,
nën hijen e dorës së tij më mbajti fshehur,
më bëri të jem një shigjetë që shndrin,
në kukurën e vet ai më fshehu.
3E më tha: «Ti je shërbëtori im, o Izrael,
në të cilin do të dëftej lavdinë time».
4E unë thashë: «Më kot u mundova,
më kot i shterova fuqitë e mia,
e drejta ime është pranë Zotit,
shpërblimi im është te Perëndia im».
5Kështu thotë tani Zoti,
ai që më dha trajtën e shërbëtorit të vet
që në barkun e nënës,
për të kthyer tek ai Jakobin,
për të mbledhur rreth tij Izraelin.
U bëra i lavdishëm në sytë e Zotit,
Perëndia im u bë fuqia ime.
6Ai më tha: «Tepër pak është të jesh shërbëtori im,
për të ringritur fiset e Jakobit,
për të rikthyer tepricën e Izraelit.
Po të caktoj si dritë të popujve,
që të jesh shpëtimi im deri në skajet e tokës».
7Kështu i thotë Zoti, shpenguesi i Izraelit,
i shenjti i Izraelit, atij që e përbuzin njerëzit,
atij që e përçmojnë kombet, skllavit të sundimtarëve:
Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë,
princat do të bien përmbys,
për shkak të Zotit, që është besnik,
të shenjtit të Izraelit, që të zgjodhi ty.
Përtëritja e Izraelit
8Kështu thotë Zoti:
Në kohën e duhur të jam gjendur,
ditën e shpëtimit të kam ndihmuar.
Të kam ruajtur,
të kam caktuar të jesh besëlidhja e popullit,
që vendin ti ta përtërish,
që të rindash trashëgimitë e shkatërruara,
9për t'u thënë të burgosurve: «Dilni!»,
atyre që janë në errësirë: «Shfaquni!».
Përgjatë udhëve do të kullotin,
kullotat do t'i kenë mbi çdo kodër të zhveshur.
10Nuk do të kenë uri, nuk do të kenë etje,
nuk do t'u bjerë as vapa e as dielli,
se do t'u prijë ai që ka mëshirë për ta,
nëpër burime ujërash do t'i çojë.
11Gjithë malet e mia në udhë do t'i kthej,
rrugët e mia të mëdha më lart do t'i ngre.
12Ja, këta do të vijnë nga larg,
ata nga veriu e perëndimi,
të tjerë nga dheu i Sinimit.
13Ngazëlloni, o qiej, gëzohu ti, o tokë,
brohoritni ju, o male,
se Zoti e ngushëllon popullin e vet,
është i mëshirshëm me të varfrit e tij.
14Sioni tha: «Më braktisi Zoti,
Zoti më ka harruar».
15A mund ta harrojë gruaja foshnjën e vet
e të mos i dhimbset fryti i barkut të vet?
Por edhe sikur ato të harronin,
unë ty nuk të harroj!
16Ja, të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia,
muret e tua gjithmonë para syve i kam.
17Bijtë e tu po vijnë me nxitim,
ata që të rrënuan e të shkatërruan po ikin prej teje.
18Ngriji sytë rreth e qark e shiko,
të gjithë po mblidhen e po vijnë te ti!
Pasha jetën time, kumton Zoti,
do t'i veshësh të gjithë si stoli,
porsi nusja do të ngjishesh me ta.
19Se rrënojat e gërmadhat e tua,
bashkë me vendet e tua të shkretuara,
të ngushta do të jenë tani për banorët e tu,
ndërsa ata që të përpinin, larg do t'ia mbathin.
20Edhe bijtë e atyre që t'i kishin rrëmbyer
do të të thonë në vesh:
«Tepër i ngushtë është ky vend për mua,
më bëj vend, që të mund të banoj».
21Atëherë ti do të thuash në zemër:
«Po këta prej kujt më lindën?
Unë nuk mund të lindja dhe shterp isha,
në mërgim dhe dëbuar kam qenë.
Po këta kush i rriti?
Ja, unë kisha mbetur vetëm,
këta, vallë, nga më dolën?».
22Kështu thotë Zoti Perëndi:
Ja, do ta ngre dorën drejt kombeve,
për nga popujt do ta ngre flamurin.
Në krahë do t'i sjellin atëherë bijtë e tu,
bijat e tua do t'i mbajnë mbi supe.
23Mbretërit do të jenë birësuesit e bijve të tu,
princeshat e tyre, mëndeshat e tua.
Me fytyrë përdhe do të përkulen para tyre,
do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua.
Atëherë do ta dish se unë jam Zoti,
ata që shpresojnë në mua s'do të turpërohen.
24A mund t'i merret vallë preja të fortit?
A mund të shpëtojë i drejti prej robëruesit?
25Se kështu thotë Zoti:
Robërit do t'i merren edhe të fortit,
preja do t'i rrëmbehet tiranit.
Kundërshtarëve të tu do t'u kundërvihem
e bijtë e tu do t'i shpëtoj.
26Ata që të shtypin do t'i bëj të hanë mishin e vet,
si me musht me gjakun e vet do të dehen.
Çdo qenie atëherë do ta dijë
se unë jam Zoti, shpëtimtari yt,
jam shpenguesi yt, i fuqishmi i Jakobit.
Currently Selected:
Isaia 49: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020