YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 47

47
Vajtim për Babiloninë
1Zbrit e në pluhur ulu,
o virgjëreshë, bijë e Babilonisë!
Ulu përdhe, se s'ka më fron,
o bija e kaldenjve!
Më nuk do të të quajnë
«E ëmbël dhe e brishtë».
2Merr mokrën e bluaj miellin,
hiqe velin e ngrije cepin e fustanit,
zbathi këmbët e kalo lumin.
3Le të zbulohet lakuriqësia jote,
le të duket edhe turpi yt!
Kam për të marrë hak
e askush s'do të më ndalë.
4Shpenguesi ynë është i shenjti i Izraelit,
Zot i ushtrive është emri i tij.
5Rri në heshtje, fshihu në errësirë,
o bija e kaldenjve,
se më nuk do të të quajnë
«Zonja e Mbretërive».
6I zemëruar isha kundër popullit tim,
e çnderova trashëgimin tim,
e lashë në dorën tënde.
Mëshirë për ta ti nuk pate,
mbi pleqtë rëndë e vure zgjedhën tënde.
7E the: «Zonjë do të jem përgjithmonë»,
këto gjëra në zemër nuk i peshove,
për fundin tënd as që u kujtove.
8E tani, dëgjo, moj epshndjellëse,
ti që rri në vend të sigurt,
që thua në zemrën tënde:
«Unë, përveç meje tjetër s'ka.
E ve s'kam për të mbetur,
humbje fëmijësh s'do të njoh».
9Por do të të gjejnë këto dy të këqija
njëherësh e brenda ditës.
Humbja e fëmijëve dhe vejëria
do të bien me vrull mbi ty,
për shkak të magjive të tua të shumta,
prej shumicës së yshtjeve të tua.
10Shpresove në ligësinë tënde,
«Nuk më sheh askush», the.
Urtia e dija jote të mashtruan,
në zemrën tënde thua:
«Unë, përveç meje tjetër s'ka».
11Do të vijë mbi ty e keqja
e nuk do të dish ta dëbosh,
do të bjerë mbi ty fatkeqësia
e nuk do të mund ta ndalësh,
papritur do të vijë mbi ty shkatërrimi
e nuk do të kuptosh asgjë.
12Qëndro, pra, në yshtjet e tua,
me magjitë e tua të shumta,
që i ke ushtruar që në rini.
Ndoshta do të përfitosh,
ndoshta do të ndjellësh frikë.
13Të lodhën këshilltarët e tu të shumtë!
Le të ngrihen, pra, le të të shpëtojnë
ata që qiellin matin,
ata që trupat qiellore vëzhgojnë,
ata që bëjnë parashikime për çdo hënë të re
e të thonë se ç'do të të ndodhë.
14Ja, janë bërë porsi byku, zjarri i ka djegur!
As veten s'e shpëtojnë dot nga flakët.
Nuk do të ketë më prush për t'u ngrohur,
as zjarr para të cilit të ulesh.
15Të tillë janë ata për të cilët u mundove,
ata me të cilët dhe e more që në rini,
secili ka shkuar në punë të vet
e ty s'të shpëton askush.

Currently Selected:

Isaia 47: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy