YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 42

42
Shërbëtori i Zotit
1Ja, shërbëtori im që unë e përkrah!
Ja, i zgjedhuri im që shpirtin ma kënaq!
Mbi të kam vënë shpirtin tim,
ai do t'u sjellë kombeve drejtësinë.
2Nuk do të bërtasë, zërin s'do ta ngrejë,
s'do t'i dëgjohet zëri nëpër rrugë.
3Kallamin e shkelur s'do ta thyejë,
kandilin që nxjerr tym s'do ta shuajë,
të drejtën me vërtetësi do ta shpallë.
4S'do të meket, s'do të mposhtet,
derisa të ketë vënë drejtësi mbi tokë;
ujdhesat presin të mësojnë ligjin e tij.
5Kështu thotë Zoti Perëndi,
ai që krijon qiejt e i ndeh,
ai që shtrin tokën me gjithçka prodhon,
që mbi tokë frymë i jep njeriut
e shpirt atyre që ecin mbi të:
6unë, Zoti, të thirra në drejtësi
e për dore të kam kapur.
Të kam ruajtur e të kam caktuar
si besëlidhje për popullin,
si dritë për kombet,
7për t'u hapur sytë të verbërve,
të burgosurit për t'i nxjerrë nga burgu,
prej shtëpisë së robërisë,
ata që rrinë në terr.
8Unë jam Zoti, ky është emri im,
lavdinë time tjetërkujt s'ia jap,
as lavdërimet e mia idhujve të gdhendur.
9Ngjarjet e mëparshme, ja, kanë ndodhur
e tani po shpall gjëra të reja.
Para se të ndodhin,
do t'jua bëj të njohura.
10Këndojini Zotit një këngë të re,
jepini lavdi prej skajeve të dheut,
ju që lundroni në det e ju krijesat e detit,
ujdhesat me gjithë banorët e tyre.
11Le ta ngrejë zërin shkretëtira e qytetet e saj,
bashkë me fshatrat e vendbanimeve të Kedarit,
banorët e Selaut le të brohorasin,
prej majave të maleve le të thërrasin.
12Le t'i japin lavdi Zotit,
nëpër ujdhesa lavdërimin e tij të shpallin.
13Si trim marshon Zoti,
porsi luftëtari e ndez zellin e tij,
me britma lëshon kushtrimin,
mbi armiqtë ngadhënjen.
14Kam heshtur për shumë kohë,
kam mbyllur gojën, jam përmbajtur,
tani do të këlthas si gruaja kur lind,
do të gulçoj e do të turfulloj njëherësh.
15Do të shkretoj male e kodra,
bimësinë e tyre do ta vyshk,
lumenjtë në ujdhesa do t'i kthej
e pellgjet do t'i thaj.
16Të verbërve do t'u prij në udhë të panjohura,
shtigjeve që s'i njohin do t'i drejtoj,
errësirën para tyre në dritë do ta kthej,
udhët e shtrembra të drejta do t'i bëj.
Do t'i bëj këto gjëra për ta
e nuk do t'i braktis.
17Do të kthehen të mbuluar me turp
ata që në idhujt besojnë,
ata që shtatoreve të derdhura u thonë:
«Ju jeni perënditë tona».
18Dëgjoni, o të shurdhër!
O të verbër, hapni sytë e shihni!
19Kush është i verbër, në mos shërbëtori im,
apo i shurdhër si lajmëtari që kam dërguar?
Kush është i verbër si i zgjedhuri im
apo i shurdhër si shërbëtori i Zotit?
20Shumë gjëra pa, por s'u kushtoi vëmendje,
veshët hapur i pati, por nuk dëgjoi.
21I pëlqeu Zotit, për hir të drejtësisë së tij,
ta madhërojë ligjin e ta bëjë të lavdishëm.
22Një popull i plaçkitur e i vjedhur është ky,
të gjithë të prangosur nëpër gropa,
nëpër burgje i kanë mbyllur.
Janë bërë pre e askush nuk i çliron,
janë bërë plaçkë e askush s'thotë: «Ktheji!».
23Kush prej jush po i vë vesh kësaj?
Kush prej jush do t'i kushtojë vëmendje
e do të dëgjojë për të ardhmen?
24Kush e bëri Jakobin pre të plaçkitësve?
Kush e la Izraelin në dorë të kusarëve?
A nuk qe Zoti, kundër të cilit mëkatuam?
E, pra, udhëve të tij nuk deshën të ecnin,
ligjit të tij nuk iu bindën.
25Furinë e zemërimit të tij mbi ta e derdhi,
bashkë me tmerrin e luftës.
I rrethoi zjarri nga të gjitha anët,
por as që e kuptuan,
i përpinë flakët,
por vesh nuk morën.

Currently Selected:

Isaia 42: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy