YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 3

3
Trazirë në Jerusalem
1Ja! Zoti, Zoti i ushtrive
po heq prej Jerusalemit e prej Judës
çdo përkrahje e çdo mbështetje,
çdo ndihmë me bukë
e çdo ndihmë me ujë,
2trimin e luftëtarin,
gjyqtarin e profetin,
shortarin e plakun,
3kreun e njësisë pesëdhjetëshe,
bashkë me fisnikun,
këshilltarin dhe magjistarin e aftë,
yshtësin plot mjeshtëri.
4Do t'u vë djelmosha si prijës,
foshnjat do të sundojnë mbi ta.
5Njëri-tjetrin do ta shkelin me këmbë,
i afërti do të shtypë të afërtin,
i riu do të sillet keq me plakun
dhe i pandershmi me të ndershmin.
6Do të rrëmbejë vëllai vëllanë,
brenda në shtëpinë e të atit.
«Ja, ku e ke gunën», do t'i thotë. «Prina,
kjo rrënojë është tani në dorën tënde».
7Atë ditë do të ngrejë zërin e do të thotë:
«S'kam për t'u bërë mjeku i plagëve,
në shtëpi nuk ka as bukë e as gunë,
mos më caktoni prijës të popullit».
8Jerusalemi po rrënohet, Juda po bie,
gjuha e veprat e tyre janë kundër Zotit,
i kundërvihen sy më sy të Lavdishmit.
9Vetë pamja e fytyrës
dëshmon kundër tyre,
mëkatin e vet si Sodoma e shpallin
e nuk e fshehin.
Mjerë shpirti i tyre,
se vetes i kanë bërë keq!
10I thoni të drejtit se është i lum,
se do të hajë frytin e veprave të veta.
11Mjerë i paudhi, fatkeqësitë do ta godasin,
do ta gjejnë ato që ka bërë me duart e veta.
12Shtypësit e popullit tim janë fëmijë,
gratë sundojnë mbi të.
O populli im, udhëheqësit e tu po të mashtrojnë
e drejtimin e udhës po ta ngatërrojnë.
13Në këmbë u ngrit Zoti për të bërë padi,
në këmbë po rri për të gjykuar popujt.
14Po vjen Zoti për të bërë gjyq
me pleqtë e popullit e prijësit e tij:
Jeni ju që e shkatërruat vreshtin,
në shtëpitë tuaja i keni plaçkat
që u rrëmbyet të varfërve.
15Me ç'të drejtë e shtypni popullin tim
dhe dërrmoni fytyrën e të varfërve?
Kumton Zoti, Zoti i ushtrive!
16E Zoti tha: krenohen bijat e Sionit,
ecin me qafën zgjatur e me vështrime joshëse,
ecin me hapa të vegjël lozonjarë,
unazat nëpër këmbë u tringëllojnë.
17Por Zoti do t'ua bëjë kokën qerose,
Zoti do t'ua lërë ballin zbuluar.
18Atë ditë Zoti do t'ua heqë stolitë e kyçeve të këmbës, fjongot e kokës e varëset gjysmëhënëshe, 19vathët, byzylykët e vellot, 20kësulat, gjerdanët e këmbës, brezat, enët e aromave e hajmalitë, 21unazat e stolitë e hundës, 22rrobat festive, mbulojat, shajet e çantëzat, 23pasqyrat, këmishëzat, shamitë e kokës e xhubletat. 24Atëherë, në vend të erës së mirë do të ketë kalbësi, në vend të brezit, litar, në vend të kaçurrelave, shogë, në vend të rrobës festive, grathore, në vend të hijeshisë, shëmti.
Të vejat e Jerusalemit
25Burrat e tu do të bien nga shpata,
trimat e tu në betejë.
26Gjëmë e vaj do të ketë në portat e tua,
i shkretuar do të ulesh përdhe.

Currently Selected:

Isaia 3: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in