YouVersion Logo
Search Icon

Hebrenjve 1

1
Nëpërmjet Birit
1Në të shkuarën, Perëndia u ka folur etërve tanë shpeshherë dhe në mënyra të ndryshme nëpërmjet profetëve, 2ndërsa këto kohët e fundit na foli nëpërmjet Birit. Nëpërmjet tij Perëndia ka krijuar gjithësinë dhe atë e ka caktuar trashëgimtar të gjithçkaje. 3Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, shprehja e plotë e qenies së tij dhe ai që mban gjithçka me fuqinë e fjalës së tij.
Pasi na pastroi nga mëkatet, ai u ul në qiell në të djathtë të Perëndisë së madhërishëm. 4Ai u bë më i madh se engjëjt, aq sa ç'ishte më madhështor emri që trashëgoi nga Perëndia.
Biri më lart se engjëjt
5Dhe vërtet, Perëndia nuk i ka thënë kurrë ndonjë engjëlli:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
As nuk ka thënë për ndonjërin:
unë do të jem për të Atë
e ai do të jetë për mua Bir.
6Kur Perëndia do të dërgonte në botë Birin e tij të parëlindur, tha:
le ta adhurojnë
të gjithë engjëjt e Perëndisë.
7Ndërsa për engjëjt tha:
Perëndia i bën engjëjt e tij
si era
dhe shërbyesit e tij
si flaka e zjarrit.
8Për Birin ka thënë:
froni yt, o Perëndi,
mbetet në shekuj të shekujve
dhe skeptri i drejtësisë
është skeptri i mbretërisë sate.
9 E ke dashur drejtësinë
dhe e ke urryer paudhësinë.
Prandaj, Perëndia yt, o Perëndi,
të vajosi mes shokëve të tu,
me vajin e gëzimit.
10Ka thënë edhe:
ti, o Zot,
në fillim e themelove tokën
dhe vepër e duarve të tua
janë qiejt.
11 Ata do të zhduken,
ndërsa ti do të mbetesh.
Të gjithë do të vjetrohen si rrobë.
12 Do t'i mbështjellësh si petk
e do t'i ndërrosh si rrobë,
ndërsa ti do të mbetesh po ai
dhe vitet e tua nuk do të perëndojnë.
13Perëndia nuk i tha kurrë ndonjë engjëlli:
ulu në të djathtën time,
derisa t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë të këmbëve të tua.
14A nuk janë, pra, të gjithë engjëjt shpirtra shërbestarë që Perëndia i ka dërguar për t'u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?

Currently Selected:

Hebrenjve 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in