YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 50

50
1Pastaj Jozefi e përqafoi të atin, qau dhe e puthi. 2Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij dhe mjekët që ta balsamosnin të atin. Mjekët e balsamosën Izraelin. 3U deshën dyzet ditë, sepse kaq zgjaste balsamimi. Egjipti e vajtoi Jakobin për shtatëdhjetë ditë. 4Pasi kaloi koha e zisë, Jozefi i tha shtëpisë së faraonit: «Nëse kam gjetur hir para jush, i thoni faraonit 5se im atë më bëri të betohem që, kur të vdiste, ta varrosja në varrin që kishte hapur për vete në tokën e Kanaanit. Prandaj, tani, faraoni të më lërë të shkoj që të varros tim atë e pastaj do të kthehem». 6Atëherë faraoni i tha: «Shko e varrose atin tënd, siç iu betove». 7Kështu, Jozefi shkoi për të varrosur të atin. Me të shkuan të gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë e shtëpisë së faraonit, tërë pleqtë e tokës së Egjiptit, 8e gjithë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Vetëm fëmijët, dhentë e qetë e tyre mbetën në tokën e Goshenit. 9Bashkë me të shkuan edhe karrocat e kalorësit dhe kështu u bë një turmë shumë e madhe njerëzish. 10Shkuan deri te lëmi i Atadit, që ishte përtej Jordanit, dhe atje e vajtuan me gjëmë e Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. 11Kur dëgjuan vajtimin në lëmin e Atadit, banorët e Kanaanit thanë: «Qenka zi e madhe për Egjiptin!». Prandaj edhe vendi përtej Jordanit u quajt Abel Micraim.
12Kështu bijtë e Jakobit bënë siç ishin urdhëruar. 13E çuan në tokën e Kanaanit dhe e varrosën përballë Mamreut, në shpellën e arës së Makpelës, që Abrahami kishte blerë bashkë me arën si pronë varri nga Efron Hititi. 14Atëherë Jozefi, pasi varrosi të atin, u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit dhe tërë njerëzit që kishin shkuar për ta varrosur.
Jozefi dhe vëllezërit
15Pasi u vdiq i ati, vëllezërit thanë: «Nëse Jozefi na urren ende, do të marrë hak patjetër për tërë të keqen që i bëmë!». 16Atëherë i çuan fjalë Jozefit e i thanë: «Yt atë, para se të vdiste, urdhëroi: 17“I thoni Jozefit kështu: të përgjërohem, fale fajin dhe mëkatin e vëllezërve të tu megjithëse u sollën keq me ty”. Tani pra, të lutemi, fale fajin e shërbëtorëve të Perëndisë së atit tënd!». Jozefi qau kur i dëgjoi këto fjalë. 18Pastaj vëllezërit e tij shkuan, u përkulën me nderim e thanë: «Ja, jemi shërbëtorët e tu!». 19Por Jozefi u tha: «Mos kini frikë! Mos jam Perëndia unë?! 20Ndonëse ju e kishit për keq, Perëndia e ktheu në të mirë, që të bëjë atë që po ndodh sot, të mbajë gjallë një popull të tërë. 21Prandaj, mos kini frikë. Unë do kujdesem për ju e për fëmijët tuaj». Kështu, i ngushëlloi e u foli butë.
Vdekja e Jozefit
22Jozefi bashkë me shtëpinë e të atit banoi në Egjipt. Ai jetoi njëqind e dhjetë vjet. 23I pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë dhe bijtë e Makirit, birit të Manaseut, lindën në prehrin e Jozefit. 24Atëherë Jozefi u tha vëllezërve: «Unë po vdes, por Perëndia me siguri do t'ju kujtojë e do t'ju nxjerrë nga kjo tokë për t'ju çuar në tokën për të cilën iu betua Abrahamit, Isakut e Jakobit». 25Pastaj Jozefi u kërkoi bijve të Izraelit të betohen e u tha: «Kur Perëndia t'ju kujtojë, m'i merrni me vete eshtrat prej këtij vendi». 26Jozefi vdiq njëqind e dhjetë vjeç. Trupin e tij e balsamosën dhe e vendosën në një sarkofag në Egjipt.

Currently Selected:

Zanafilla 50: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in