YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 42

42
Bijtë e Jakobit në Egjipt
1Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt e u tha të bijve: «Ç'më shikoni njëri-tjetrin? 2Dëgjova se në Egjipt ka grurë. Shkoni atje e na blini grurë, që të mbetemi gjallë e të mos vdesim». 3Kështu, të dhjetë vëllezërit e Jozefit shkuan për të blerë grurë në Egjipt. 4Por Benjaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi me ta, se kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. 5Kështu, bijtë e Izraelit erdhën për të blerë grurë bashkë me njerëz të tjerë, sepse në tokën e Kanaanit kishte rënë zia e bukës.
6Jozefi ishte i pari i vendit. Ai i shiste grurë tërë popullit. Atëherë vëllezërit e Jozefit erdhën e iu përkulën me fytyrë përdhe. 7Jozefi i pa vëllezërit dhe i njohu, por i trajtoi si të huaj e u foli ashpër: «Nga vini?». Ata u përgjigjën: «Vijmë nga toka e Kanaanit për të blerë ushqime». 8Edhe pse Jozefi i njohu vëllezërit, ata nuk e njohën. 9Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë dikur për ta. Atëherë u tha: «Jeni spiunë! Keni ardhur të zbuloni vendet e pambrojtura». 10Por ata i thanë: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. 11Të gjithë ne jemi bijtë e një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë». 12Ai u tha: «Jo! Keni ardhur që të zbuloni vendet e pambrojtura!». 13Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë dymbëdhjetë vëllezër, bij të një njeriu nga toka e Kanaanit. Vëllai i vogël është me atin tonë, ndërsa një tjetër nuk është më». 14Jozefi iu përgjigj: «Është siç ju thashë: ju jeni spiunë! 15Unë do t'ju vë në provë kështu: pasha jetën e faraonit, ju nuk do të dilni që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël. 16Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj. Të tjerët do të futen në burg, derisa të vërtetohen fjalët tuaja. Nëse jo, pasha faraonin, ju jeni spiunë!». 17Kështu, i futi në burg për tri ditë.
18Ditën e tretë, Jozefi u tha: «Bëni siç ju thashë e do të jetoni, sepse unë i druhem Perëndisë. 19Nëse jeni të ndershëm, njëri prej jush të rrijë në burg, ndërsa ju shkoni e çoni grurë te shtëpitë tuaja të uritura. 20Pastaj më sillni vëllanë tuaj të vogël, që të vërtetohet çfarë thatë e kështu të mos vdisni». Ata bënë siç u tha 21e i thanë njëri-tjetrit: «Jemi me të vërtetë fajtorë për vëllanë tonë, Jozefin, sepse e pamë sa në ankth ishte kur na lypte mëshirë dhe nuk e dëgjuam, prandaj na ra kjo fatkeqësi». 22Atëherë Rubeni u tha: «A nuk ju thashë të mos mëkatonit kundër djalit? Por ju nuk dëgjuat. Tani po na kërkohet shpagim për gjakun e tij!». 23Ata nuk e dinin se Jozefi i kuptonte, sepse u fliste me përkthyes. 24Jozefi u largua prej tyre e qau. Pastaj u kthye tek ata e u foli. Mori Simeonin e i vuri prangat para tyre. 25Dha urdhër që t'ua mbushnin thasët me grurë, t'ua vinin paratë në thesin e secilit e t'u jepnin ushqime për rrugë. Dhe kështu u bë.
Vëllezërit kthehen në Kanaan
26Ata i ngarkuan thasët mbi gomarë e u larguan që andej. 27Kur ishin në një bujtinë, njëri prej tyre hapi thesin për t'i dhënë tagji gomarit, dhe pa paratë në grykë të thesit. 28Atëherë u tha vëllezërve: «Më kanë kthyer paratë! Ja ku janë, në thes!». Atyre sa nuk u pushoi zemra e të frikësuar thanë: «Ç'është kjo që na bëri Perëndia?».
29Kur mbërritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre, i treguan gjithçka që u kishte ndodhur: 30«Zoti i atij vendi na foli ashpër e na trajtoi si spiunë. 31Ne i thamë: “Jemi njerëz të ndershëm e jo spiunë. 32Jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të një ati. Njëri nga vëllezërit nuk është më, kurse më i vogli është me atin tonë në tokën e Kanaanit”. 33Por ai, zoti i atij vendi, na tha: “Ja si do ta di nëse jeni të ndershëm. Lëreni një nga vëllezërit tek unë. Merrni grurë për shtëpitë tuaja të uritura dhe shkoni 34e më sillni vëllanë tuaj të vogël. Atëherë do ta di që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm. Pastaj do t'jua jap vëllanë tuaj e ju do të mund të bëni tregti në këtë vend”».
35Zbrazën thasët dhe secili gjeti në thes qeskën e vet të parave. Kur i panë, u trembën ata dhe ati i tyre. 36Atëherë ati i tyre, Jakobi, tha: «Më latë pa djem! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më e tani dashkeni të më merrni edhe Benjaminin! Jam unë ai që i vuaj të gjitha». 37Rubeni i tha të atit: «Nëse nuk ta kthej djalin vriti të dy bijtë e mi. Ma beso mua e unë do të ta kthej». 38Ai iu përgjigj: «Im bir nuk do të vijë me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe ky është i vetmi që ka mbetur. Po i ndodhi gjë rrugës, hidhërueshëm, do të m'i shtini thinjat në varr!».

Currently Selected:

Zanafilla 42: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in