YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 34

34
Dhunimi i Dinës
1Dina, bija që Lea i lindi Jakobit, doli për të parë bijat e vendit. 2Kur e pa Shekemi, prijësi i vendit, biri i Hamor Hivitit, e rrëmbeu, fjeti me të dhe e poshtëroi. 3Por Dina, bija e Jakobit, i hyri në zemër dhe ai e deshi e i foli ëmbël#34.3 ose: zemrës. 4Kështu, Shekemi i tha Hamorit, të atit: «Ma merr këtë vajzë për grua!».
5Ndërkohë, Jakobi kishte dëgjuar për çnderimin e bijës së tij, Dinës. Ai heshti derisa u kthyen të bijtë që ishin me bagëtitë në fushë. 6Atëherë Hamori, ati i Shekemit, shkoi te Jakobi për t'i folur. 7Ndërkaq bijtë e Jakobit, kur dëgjuan se ç'kishte ngjarë, erdhën nga fusha. Ata ishin të hidhëruar e shumë të zemëruar, sepse Shekemi kishte bërë diçka të turpshme në Izrael. Ai kishte fjetur me bijën e Jakobit. Kjo gjë nuk bëhej.
8Por Hamori foli me ta e tha: «Shekemit, tim biri, i ka hyrë në zemër vajza juaj. Jepjani, pra, për grua. 9Bëni krushqi me ne. Na jepni bijat tuaja e merrni tonat. 10Nëse banoni me ne, vendi do të jetë i hapur për ju. Do të banoni e lëvizni lirisht#34.10 ose: bëni tregti e do të mund të blini prona». 11Pastaj Shekemi i tha atit të Dinës e vëllezërve të saj: «Gjetsha hir në sytë tuaj! Do të jap çdo gjë që do të më kërkoni. 12Më kërkoni për pajë e dhuratë sa të doni e unë do t'jua jap, veç të më jepni vajzën për grua».
13Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjigjën me dredhi Shekemit e Hamorit, atit të tij, sepse ai kishte çnderuar Dinën, motrën e tyre. 14Kështu, ata u thanë: «Nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Nuk mund t'ia japim motrën tonë dikujt që është i parrethprerë, sepse kjo do të ishte e turpshme për ne. 15Por do të pranojmë vetëm me një kusht: nëse bëheni si ne e çdo mashkull i juaj rrethpritet. 16Atëherë do t'ju japim bijat tona e ne do të marrim tuajat. Do të banojmë me ju e do të bëhemi një popull i vetëm. 17Por nëse nuk pranoni të rrethpriteni do të marrim me vete bijën tonë e do të largohemi».
18Hamorit e birit të tij, Shekemit, u pëlqeu kjo përgjigje. 19Djaloshi nuk vonoi ta bënte këtë gjë, se e kishte për zemër bijën e Jakobit. Ai ishte më i rëndësishmi në të gjithë familjen e atit të tij. 20Pastaj Hamori e biri i tij, Shekemi, arritën te porta e qytetit e iu drejtuan njerëzve të qytetit: 21«Këta njerëz janë miqësorë me ne. Le të banojnë në këtë vend e të lëvizin lirisht, se ka mjaft vend edhe për ta. Bijat e tyre do t'i marrim për gra e do t'u japim bijat tona. 22Por vetëm me një kusht këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për t'u bërë një popull i vetëm: tërë meshkujt tanë duhet të rrethpriten ashtu siç rrethpriten edhe ata. 23A nuk do të bëhen tonat kafshët, pasuritë e bagëtitë e tyre? Mjafton që të pranojmë dhe ata do të banojnë me ne». 24Tërë ata që dilnin nga porta e qytetit e dëgjuan Hamorin e Shekemin, birin e tij. Kështu tërë meshkujt e qytetit u rrethprenë.
Simeoni e Levi
25Pas tri ditësh, kur meshkujt e qytetit ende vuanin dhimbjet e rrethprerjes, dy djemtë e Jakobit, Simeoni e Levi, vëllezërit e Dinës, u ngritën secili me shpatë në dorë, hynë në qytet pa u vënë re dhe vranë tërë meshkujt. 26Ata vranë me shpatë edhe Hamorin me Shekemin, birin e tij. Pastaj morën Dinën nga shtëpia e Shekemit e u larguan. 27Bijtë e Jakobit u lëshuan mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin që kishte çnderuar motrën e tyre. 28Ata morën dhentë, qetë, gomarët e gjithçka gjetën në qytet e në fushë. 29Plaçkitën tërë pasurinë dhe morën rob tërë të vegjlit e gratë bashkë me gjithçka që kishin në shtëpi. 30Atëherë Jakobi i tha Simeonit e Levit: «Më keni nxjerrë telashe, se më fëlliqët me banorët e vendit, me kananitët e perizitët. Unë kam pak njerëz. Nëse ata bashkohen kundër meje e më sulmojnë, atëherë unë e shtëpia ime do të marrim fund». 31Por ata thanë: «Pse, si lavire do të trajtohet motra jonë?».

Currently Selected:

Zanafilla 34: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in