YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 32

32
Jakobi dhe Esau
1 # 32.1 të tjerë e rendisin si 31.55 Labani u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë e bijat e tij, i bekoi e u kthye në vendin e vet. 2Edhe Jakobi shkoi udhës së vet. Përpara i dolën engjëjt e Perëndisë. 3Kur i pa, Jakobi tha: «Ky është fushimi i Perëndisë». Prandaj e quajti Mahanaim.
4Atëherë Jakobi dërgoi përpara vetes lajmëtarë te Esau, vëllai i tij, në tokën e Seirit, në krahinën e Edomit 5e i urdhëroi: «Kështu do t'i thoni timzot, Esaut: “Jakobi, shërbëtori yt, thotë: kam banuar me Labanin e aty kam qëndruar deri tani. 6Kam lopë e gomarë, dhen, shërbëtorë e shërbëtore. Po e lajmëroj timzot që të gjej hir para tij”».
7Por lajmëtarët u kthyen te Jakobi e i thanë: «Shkuam te vëllai yt, Esau. Ai po të del para me katërqind burra». 8Atëherë Jakobi u frikësua shumë e u shqetësua. I ndau në dy fushime njerëzit që ishin me të, dhentë, qetë e devetë, 9sepse mendoi: «Nëse vjen Esau e sulmon njërin fushim, fushimi që mbetet do të shpëtojë».
10Pastaj Jakobi tha: «O Perëndi i atit tim, Abrahamit, dhe Perëndi i atit tim, Isakut, o Zot, ti që më the të kthehem në tokën time, te të afërmit e mi e që më the se do të më trajtoje mirë, 11unë nuk jam i denjë për gjithë mirësinë e besnikërinë që tregove ndaj shërbëtorit tënd, sepse këtë Jordan e kalova vetëm me një shkop e tani jam bërë me dy fushime. 12Më shpëto nga dora e vëllait tim, nga dora e Esaut, sepse kam frikë se kur të vijë, ai do të më vrasë bashkë me gra e fëmijë. 13Ti vetë the: “Me të vërtetë do të të bëj mirë e do t'i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit që nuk numërohet, se është e shumtë”».
14Jakobi e kaloi natën aty. Pastaj zgjodhi nga ç'kishte me vete një dhuratë për vëllanë e tij, Esaun. 15Ai zgjodhi dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele, njëzet desh, 16tridhjetë deve qumështi bashkë me të vegjlit, dyzet lopë, dhjetë dema, njëzet gomarica e dhjetë gomarë. 17U dorëzoi shërbëtorëve të tij çdo kope më vete e u tha: «Shkoni përpara meje e mbani një largësi mes kopeve». 18Pastaj urdhëroi të parin: «Kur Esau, im vëlla, të të takojë e të të pyesë: “I kujt je? Ku po shkon e të kujt janë tërë këto kafshë para teje?”, 19ti do t'i thuash: “Janë të Jakobit, shërbëtorit tënd. Kjo është një dhuratë e dërguar për timzot Esaun. Ja, ai vetë po vjen pas nesh”». 20Po kështu Jakobi e urdhëroi të dytin, të tretin dhe tërë ata që shkonin pas kopeve, duke u thënë: «Të njëjtat fjalë do t'i thoni Esaut kur ta takoni. 21Po ashtu do t'i thoni: “Ja, Jakobi, shërbëtori yt, po vjen pas nesh”», sepse mendonte: «Do ta zbus me dhuratat që po i dërgoj përpara meje. E pastaj do ta takoj e ndoshta ai do të më pranojë». 22Jakobi i dërgoi dhuratat përpara tij, por ai vetë e kaloi atë natë në fushim.
Jakobi në Penuel
23Po atë natë Jakobi u ngrit, mori dy gratë e veta, dy shërbëtoret, të njëmbëdhjetë djemtë dhe kaloi vaun e Jabokut. 24I mori e i kaloi nga ana tjetër e lumit bashkë me gjithçka kishte. 25Kështu, Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë u përlesh me të deri në të gdhirë. 26Kur tjetri pa se nuk po e mundte dot Jakobin, i kapi kërdhokullën dhe, gjatë përleshjes, ia nxori vendit. 27Pastaj i tha: «Më lësho, se po zbardhet». Por Jakobi i tha: «Nuk të lëshoj derisa të më bekosh». 28Ai i tha: «Si quhesh?». Iu përgjigj: «Jakob». 29Atëherë i tha: «Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael, sepse luftove me Perëndinë e me njerëzit dhe fitove». 30Jakobi iu lut: «Ma trego emrin». Por ai i tha: «Përse më pyet për emrin?». Dhe aty e bekoi Jakobin. 31Atëherë Jakobi e quajti atë vend Penuel, sepse tha: «Ballë për ballë e pashë Perëndinë e mbeta gjallë». 32Dielli lindi kur Jakobi kaloi Penuelin dhe ai çalonte për shkak të kërdhokullës. 33Për këtë arsye, bijtë e Izraelit nuk e hanë dellin e kofshës që është në zgavrën e kërdhokullës as sot e kësaj dite, sepse ai e preku Jakobin te zgavra e kërdhokullës, mu te delli i kofshës.

Currently Selected:

Zanafilla 32: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in