YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 28

28
1Atëherë Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit. 2Ngrihu e shko në Padan Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës tënde. Atje merr grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës tënde. 3Perëndia i gjithëpushtetshëm të bekoftë, të shumoftë e të shtoftë që të bëhesh shumicë popujsh. 4Ai të dhëntë, ty e pasardhësve të tu, bekimin e Abrahamit që ta trashëgosh tokën që Perëndia ia dha Abrahamit, ku ti banon si i huaj». 5Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel Arameasit, të vëllait të Rebekës, të ëmës së Jakobit dhe Esaut.
Esau martohet sërish
6Esau e pa se Isaku e bekoi Jakobin dhe e dërgoi në Padan Aram për të marrë grua prej andej, se e bekoi dhe e urdhëroi të mos merrte grua nga bijat e Kanaanit. 7Jakobi e dëgjoi të atin dhe të ëmën e shkoi në Padan Aram. 8Kur Esau pa se Isaku, i ati, i shihte me sy të keq bijat e Kanaanit, 9shkoi tek Ishmaeli e mori për grua, përveç atyre që kishte, Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit.
Ëndrra e Jakobit
10Jakobi doli nga Bersheba e shkoi në Haran. 11Arriti në njëfarë vendi e u ndal për të kaluar natën, sepse dielli kishte perënduar. Mori një nga gurët aty pranë, e vuri nën krye e fjeti aty. 12Dhe pa një ëndërr. Në ëndërr pa një shkallare që qëndronte në tokë, maja e së cilës prekte qiellin. Engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi shkallë. 13Dhe ja, Zoti, që qëndronte mbi të, tha: «Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isakut. Tokën ku je shtrirë do të ta jap ty e pasardhësve të tu. 14Ata do të jenë si pluhuri i tokës e ti do të shtrihesh drejt lindjes e perëndimit, drejt veriut e jugut. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty e në pasardhësit e tu. 15Ja, unë jam me ty. Do të të ruaj kudo që të shkosh e do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të heq dorë prej teje pa bërë çfarë të thashë». 16Atëherë Jakobi u zgjua e tha: «Me të vërtetë Zoti qenka në këtë vend e unë nuk e dija». 17I frikësuar tha: «Sa i frikshëm ky vend! Nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe porta e qiellit».
18Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye, e vendosi si përmendore dhe hodhi vaj mbi të. 19Ai e quajti atë vend Betel. Më parë qyteti quhej Luz. 20Jakobi u betua e tha: «Nëse Perëndia është me mua e më ruan në udhëtimin që kam nisur, nëse më jep bukë për të ngrënë e rroba për të veshur, 21nëse më kthen shëndoshë e mirë në shtëpinë e tim eti, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im, 22ky gur që kam vendosur si përmendore do të jetë shtëpia e Perëndisë dhe ty do të të jap të dhjetën e çdo gjëje që do të më japësh».

Currently Selected:

Zanafilla 28: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in