YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 24

24
Isaku dhe Rebeka
1Abrahami ishte plak, i thyer në moshë dhe Zoti e kishte bekuar në çdo gjë. 2Atëherë Abrahami i tha shërbëtorit më të vjetër të shtëpisë së tij, atij që kujdesej për gjithçka që kishte: «Vëre dorën tënde nën kofshën time. 3M'u beto për Zotin, Perëndinë e qiellit e të tokës, se nuk do t'i gjesh grua birit tim prej bijave të Kanaanit, mes të cilëve banoj. 4Por, do të shkosh në vendin tim dhe te të afërmit e mi. Atje do të marrësh një grua për birin tim, Isakun». 5Shërbëtori i tha: «Po sikur ajo të mos dojë të vijë me mua në këtë vend? A do të më duhet ta kthej birin tënd në vendin nga u largove ti?». 6Abrahami iu përgjigj: «Ruhu se ma çon tim bir atje! 7Zoti, Perëndia i qiellit, ai që më nxori prej shtëpisë së atit tim e prej vendit të të afërmve të mi, ai që më tha e m'u betua: “Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë tokë”, ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje e ti do të marrësh prej andej një grua për birin tim. 8Nëse ajo nuk do të dojë të vijë me ty, ti je i zgjidhur nga ky betim. Vetëm tim bir mos ma kthe atje». 9Atëherë shërbëtori vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së tij, dhe iu betua për këtë gjë.
10Shërbëtori mori me vete dhjetë deve nga devetë e zotërisë së tij dhe, bashkë me tërë të mirat e zotërisë së tij, u nis e shkoi në Aram Naharaim, në qytetin e Nahorit. 11Në mbrëmje, kur vajzat dilnin për të mbushur ujë, ai i uli devetë jashtë qytetit, pranë pusit, 12e tha: «O Zot, Perëndia i timzot Abrahamit, ma bëj mbarë sot e tregohu mirëdashës me timzot Abrahamin. 13Ja, unë po qëndroj pranë pusit dhe vajzat e banorëve të qytetit po dalin për të mbushur ujë. 14Vajza së cilës do t'i them: “Të lutem, ule shtambën që të pi” e ajo të më përgjigjet: “Pi ti e po u jap për të pirë edhe deveve”, ajo të jetë vajza që ke caktuar për shërbëtorin tënd, Isakun. Kështu do ta di që je treguar mirëdashës me timzot». 15Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. 16Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. 17Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». 18Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. 19Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». 20E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. 21Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse Zoti ia kishte sjellë mbarë, apo jo.
22Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. 23E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». 24Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». 25Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». 26Atëherë ai u përkul, adhuroi Zotin, 27e tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait#24.27 ose: vëllezërve të timzot».
28Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë#24.28 he. shtëpisë të së ëmës të gjitha këto. 29Rebeka kishte një vëlla që quhej Laban. Ai doli jashtë me vrap drejt njeriut që ishte te pusi. 30Kur e pa unazën e hundës e stolitë në duart e së motrës dhe dëgjoi fjalët e Rebekës, të motrës, që thoshte: «Kështu më tha ai njeri», vrapoi drejt njeriut dhe, ja, ai po qëndronte me devetë te pusi. 31Atëherë i tha: «Eja, o i bekuari i Zotit! Përse rri jashtë? Unë e kam bërë gati shtëpinë dhe vendin për devetë». 32Kështu, ai hyri brenda dhe shkarkoi devetë. I sollën kashtë, tagji e ujë për të larë këmbët ai dhe njerëzit që ishin me të. 33Pastaj i shtruan për të ngrënë, por ai tha: «Nuk do të ha para se të them ç'kam për të thënë». Labani iu përgjigj: «Urdhëro e fol!».
34Ai tha: «Unë jam shërbëtori i Abrahamit. 35Zoti e ka bekuar shumë timzot dhe ai është i pasur#24.35 he. i madh. I ka dhënë dele e qe, ar e argjend, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë. 36Sara, gruaja e timzoti, i lindi një djalë në pleqëri. Atij ia ka lënë gjithë pasurinë. 37Imzot më bëri të betohem: “Birit tim nuk do t'i marrësh grua prej bijave të Kanaanit, në tokën e të cilëve banoj unë. 38Por do të shkosh në shtëpinë e tim eti e do të marrësh një grua nga fisi im për tim bir”. 39Unë i thashë timzot: “Po sikur ajo të mos vijë me mua”. 40Ai më tha: “Zoti, të cilin unë ndjek, do të dërgojë engjëllin e tij me ty, do të ta bëjë mbarë udhëtimin e do të marrësh një grua për birin tim nga fisi im e nga familja e tim eti. 41Por, nëse shkon te fisi im dhe ata nuk ta japin vajzën, atëherë do të jesh i zgjidhur nga ky betim”.
42Sot erdha te burimi e thashë: “O Zot, Perëndia i timzot Abrahamit. Ma bëj mbarë udhëtimin që kam nisur. 43Ja, unë po rri te pusi. Vajza që do të dalë për të mbushur ujë, së cilës do t'i them: ‘Më jep pak ujë nga shtamba jote’, 44e që do të më thotë: ‘Pi ti dhe devetë e tua’, ajo do të jetë gruaja që Zoti ka caktuar për birin e timzot”.
45Ende pa mbaruar së foluri me vete, doli Rebeka me shtambën e saj mbi sup. Zbriti te pusi e mbushi ujë. Atëherë unë i thashë: “Më jep të pi”! 46Menjëherë ajo uli shtambën dhe tha: “Pi. Po u jap për të pirë edhe deveve të tua”. Kështu piva unë dhe ajo u dha edhe deveve për të pirë. 47Pastaj e pyeta: “Bija e kujt je?”. Ajo m'u përgjigj: “Bija e Betuelit, të birit të Nahorit, që ia lindi Milka”. I vura unazën në hundë dhe stolitë në duar. 48U përkula dhe adhurova Zotin, duke e bekuar Zotin, Perëndinë e timzot Abrahamit, i cili më priu në udhën e duhur për të marrë vajzën e vëllait të timzot për të birin. 49Tani, pra, nëse doni të tregoheni mirëdashës e besnikë ndaj timzot, më thoni. Nëse jo, më thoni, që të shkoj diku gjetkë».
50Atëherë Labani e Betueli u përgjigjën: «Kështu e paska thënë Zoti. Ne nuk kemi çfarë të themi#24.50 he. as mirë, as keq. 51Ja ku e ke Rebekën, para teje. Merre e shko dhe, ashtu siç ka thënë Zoti, le të bëhet gruaja e birit të tëtzot».
52Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre, u përkul përdhe e adhuroi Zotin. 53Ai nxori petka e stoli argjendi e ari dhe ia dha Rebekës. Edhe të vëllait e të ëmës u dha dhurata të çmueshme. 54Pastaj, ai dhe njerëzit që ishin me të, hëngrën, pinë e aty kaluan natën. Në mëngjes kur u ngritën u tha: «Më lejoni të kthehem te imzot». 55Por, i vëllai dhe e ëma i thanë: «Le të rrijë vajza së paku dhjetë ditë me ne e pastaj le të shkojë». 56Ai u përgjigj: «Mos më mbani, meqë Zoti ma bëri mbarë. Më lejoni të shkoj tek imzot». 57Ata thanë: «Ta thërrasim vajzën e ta pyesim». 58E thirrën Rebekën e i thanë: «A do të shkosh me këtë njeri?». Ajo u përgjigj: «Po». 59Atëherë ata përcollën Rebekën, motrën e tyre, shërbëtoren e saj, bashkë me shërbëtorin e Abrahamit dhe njerëzit e tij. 60E bekuan Rebekën e i thanë:
«Moj motra jonë,
me qindra mijërash u shumofsh!
E portat e armiqve
pasardhësit e tu i pushtofshin».
61Rebeka e shërbëtorja e saj u ngritën, hipën në deve dhe e ndoqën atë njeri. Kështu, shërbëtori e mori me vete Rebekën e u nis.
62Ndërkohë, Isaku ishte kthyer nga Ber Lahaj Roiu e banonte në tokën e Negevit. 63Një ditë, në të ngrysur, kur po shkonte në fushë për të shëtitur#24.63 ose: menduar; vajtuar, ngriti sytë e pa disa deve duke ardhur. 64Edhe Rebeka ngriti sytë e pa Isakun. Ajo zbriti prej devesë 65e i tha shërbëtorit: «Kush është ai që po vjen në fushë për të na takuar?». Shërbëtori i tha: «Është imzot». Atëherë ajo mori velin e u mbulua. 66Shërbëtori i tregoi Isakut gjithçka që kishte bërë. 67Isaku e solli Rebekën te tenda e Sarës, nënës së vet. Ai e mori për grua dhe e deshi. Kështu, Isaku u ngushëllua pas vdekjes së të ëmës.

Currently Selected:

Zanafilla 24: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in