Ezekieli 47
47
Gurra e tempullit
1Pastaj më çoi te hyrja e tempullit. Dhe ja, prej nënpragut të tempullit dilte ujë drejt lindjes, sepse pamja e tempullit ishte drejt jugut. Uji zbriste nën anën e djathtë të tempullit, nga jugu i altarit. 2Pastaj më nxori udhës së portës veriore dhe më solli rrotull përjashta, deri te porta e jashtme me pamje drejt lindjes. Ja, uji rridhte në krahun e djathtë.
3Burri doli drejt lindjes me një litar në dorë dhe mati një mijë kute. Pastaj më bëri të kaloj nëpër ujë. Uji më mbërrinte deri te nyjat. 4Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte te gjunjtë. Mati edhe një mijë dhe më bëri të kaloja. Uji më mbërrinte në mes. 5Mati edhe një mijë. U bë një lumë që nuk mund ta kapërceja, se ujërat ishin fryrë. Ishin ujëra të lundrueshme, lumë që nuk mund të kalohej. 6Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a sheh?».
Pastaj më ktheu në breg të lumit. 7Duke u kthyer, pashë një bimësi të madhe në breg të lumit nga njëra anë e nga ana tjetër. 8Ai më tha: «Këto ujëra rrjedhin drejt trojeve lindore, zbresin në Arabah dhe derdhen në det. Kur derdhen në det, ujërat pastrohen. 9Kudo që shkon lumi, çdo qenie e gjallë që gëlon do të jetojë. Do të ketë peshk me tepri, sepse ku mbërrijnë ujërat, sjellin shërim dhe, ku mbërrin lumi, do të ketë jetë. 10Në brigjet e tij do të ketë peshkatarë. Hapësira për të shtrirë rrjetat do të jetë nga En Gedi në Eneglaim. Do të ketë peshk të shumëllojshëm, si peshku i detit të madh. 11Kënetat dhe gjolet e tij nuk do të shërohen, por do të mbeten për kripë. 12Përgjatë rrjedhës, në të dyja brigjet, do të rriten të gjitha llojet e pemëve frutore. Gjethet e tyre nuk do të vyshken dhe fryti i tyre nuk do të mbarojë, por do të lidhin fryt çdo muaj, sepse uji i tyre rrjedh nga shenjtërorja. Fryti i tyre do të jetë ushqim dhe gjethet e tyre do të sjellin shërim».
Ndarja e vendit
13Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Këta do të jenë kufijtë e tokës që do të ndani si trashëgimi ndërmjet dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefi do të marrë dy pjesë. 14Duhet ta ndani në mënyrë të barabartë trashëgiminë që u betova t'ua jepja etërve tuaj. Kjo tokë do t'ju bjerë trashëgim.
15Këta do të jenë kufijtë e tokës: në anën veriore, nga deti i madh udhës së Hetlonit deri në Lebo Hamat e deri në Cedad, 16Berotah, Sibraim, që është ndërmjet kufijve të Damaskut e të Hamatit, e deri në Hacerhatikon, në kufi me Havranin. 17Kufiri do të shkojë nga deti në Hacar Enan, në kufirin verior të Damaskut, me kufirin e Hamatit në veri. Kjo do të jetë ana veriore.
18Në anën lindore, kufiri do të kalojë ndërmjet Havranit e Damaskut, përgjatë Jordanit prej Gileadit dhe tokës së Izraelit, deri në detin lindor. Kjo do të jetë ana lindore. 19Në anën jugore, në drejtim të jugut kufiri është nga Tamara deri tek ujërat e Meribë Kadeshit, deri te vau i detit të madh. Kjo do të jetë ana jugore në drejtim të jugut. 20Në anën perëndimore do të shërbejë si kufi deti i madh deri kundruall Lebo Hamatit. Kjo do të jetë ana perëndimore.
21Do ta ndani këtë tokë mes jush sipas fiseve të Izraelit. 22Do t'ju bjerë si pronë për vete dhe për të huajt që banojnë mes jush dhe kanë lindur fëmijë mes jush. Ata do të jenë për ju si bijtë vendas të Izraelit dhe do të marrin trashëgiminë me ju mes fiseve të Izraelit. 23Në atë fis ku do të banojë ardhacaku, atje do t'ia jepni trashëgiminë, kumton Zoti im, Zoti».
Currently Selected:
Ezekieli 47: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020