YouVersion Logo
Search Icon

Ezekieli 42

42
Dhomat e tempullit
1Pastaj më nxori në tremen e jashtme me pamje nga veriu dhe më çoi te dhomat kundruall hapësirës së lirë dhe kundruall ndërtesës me pamje nga veriu. 2Gjatësia e ballinës ishte njëqind kute nga hyrja e veriut dhe gjerësia ishte pesëdhjetë kute. 3Kundruall njëzet kuteve të tremes së brendshme dhe kundruall shtrojës së jashtme gjendej një nënkalim përballë një nënkalimi trekatësh. 4Para dhomave gjendej një rruginë dhjetë kute e gjerë e njëqind kute e gjatë. Hyrjet e dhomave ishin me pamje nga veriu. 5Dhomat e epërme ishin më të ngushta, sepse nënkalimet i zvogëlonin më shumë sesa dhomat përdhese e të mesme të ndërtesës. 6Ishin trekatëshe, por nuk kishin shtylla si shtyllat e tremeve, prandaj që nga toka dhomat e epërme ishin më të ngushta se përdheset e të mesmet. 7Muri i jashtëm, përgjatë dhomave nga ana e tremes së jashtme, kundruall dhomave, ishte pesëdhjetë kute i gjatë, 8sepse gjatësia e dhomave të tremes së jashtme ishte pesëdhjetë kute, ndërsa në drejtim të anijatës ishte njëqind kute. 9Poshtë dhomave gjendej një hyrje nga lindja, duke hyrë nga tremja e jashtme.
10Në gjerësinë e murit të tremes, në drejtim të jugut, përballë hapësirës së lirë dhe përballë ndërtesës gjendeshin disa dhoma 11me një rruginë përballë. Pamja e tyre ishte si ajo e dhomave me drejtim nga veriu. Ishin njësoj të gjata e të gjera dhe të gjitha i kishin njësoj daljet, renditjen dhe hyrjet. 12Ato ishin si dhomat me drejtim nga jugu. Në fillim të rruginës kishte një hyrje, përballë murit përkatës, në lindje të atyre që hynin.
13Atëherë më tha: «Dhomat në veri e ato në jug, kundruall hapësirës së lirë, janë dhomat e shenjta, ku priftërinjtë i afrohen Zotit dhe ku ata hanë të shenjtat e të shenjtave. Aty do t'i vënë të shenjtat e të shenjtave, flinë e drithit, flinë për mëkatin dhe flinë për fajin, sepse ky vend është i shenjtë. 14Pasi të kenë hyrë, priftërinjtë nuk do të dalin nga vendi i shenjtë në tremen e jashtme pa i hequr petkat me të cilat shërbejnë, sepse janë të shenjta. Duhet të veshin petka të tjera dhe atëherë mund t'i afrohen vendit ku rri populli».
15Pasi përfundoi së maturi pjesën e brendshme të tempullit, më nxori jashtë nga dera lindore dhe bëri matjet rreth e rrotull. 16Mati anën lindore me kallamin matës dhe ishte pesëqind kallama, me kallama matës, rreth e rrotull. 17Mati anën veriore dhe ishte pesëqind kallama, me kallama matës, rreth e rrotull. 18Mati anën jugore dhe ishte pesëqind kallama, me kallama matës. 19U kthye nga ana perëndimore dhe mati pesëqind kallama, me kallama matës. 20E mati nga të katra anët. Kishte një mur rrethues pesëqind kute të gjatë e pesëqind të gjerë, për të ndarë vendin e shenjtë nga vendi i rëndomtë.

Currently Selected:

Ezekieli 42: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in