YouVersion Logo
Search Icon

Ezekieli 11

11
Kundër këshilltarëve të paudhë
1Një shpirt më ngriti dhe më çoi te porta lindore e tempullit të Zotit, me pamje nga lindja. Dhe, ja, te hyrja e portës ishin njëzet e pesë burra. Mes tyre pashë Jazanjahun, birin e Azurit, dhe Pelatiahun, birin e Benajahut, prijësit e popullit. 2Pastaj më tha: «Bir i njeriut, këta janë burrat që kurdisin ligësinë dhe këshilltarët e këshillit të lig në këtë qytet. 3Ata thonë: “Shtëpitë nuk ndërtohen së shpejti. Qyteti është vorba e ne jemi mishi”. 4Prandaj, profetizo kundër tyre, profetizo, bir i njeriut!». 5Shpirti i Zotit zbriti mbi mua e më tha: «Thuaj se kështu thotë Zoti: ashtu folët, o shtëpia e Izraelit, por unë i njoh mendimet e shpirtit tuaj. 6Ju i shumuat të therurit në këtë qytet dhe i mbushët rrugët me të therur. 7Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: të therurit që i keni hedhur në mes të tij, janë mishi e ky qytet është vorba, por ju do të nxirreni prej tij. 8Shpatën e keni frikë, por, mbi ju, shpatën do të çoj, kumton Zoti im, Zoti. 9Do t'ju nxjerr jashtë tij, do t'ju lë në dorë të të huajve e do t'ju bëj gjyq. 10Prej shpatës do të bini. Do t'ju gjykoj në kufi me Izraelin e do ta merrni vesh se unë jam Zoti. 11Qyteti nuk do të jetë për ju vorba e ju nuk do të jeni mishi mes tij. Do t'ju gjykoj në kufijtë e Izraelit 12dhe do ta merrni vesh se unë jam Zoti, sipas rregullave të të cilit ju nuk u sollët e nuk i zbatuat vendimet e mia, por vepruat sipas vendimeve të kombeve». 13Por, ja, ndërsa unë po profetizoja, vdiq Pelatiahu, biri i Benajahut. Atëherë rashë me fytyrë përtokë, thirra me zë të lartë e thashë: «Ah, Zoti im, Zot, a do ta shuash krejt tepricën e Izraelit?». 14Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: 15«Bir i njeriut, banorët e Jerusalemit u thonë vëllezërve të tu, fisit tënd, të shpërngulurve të tu e mbarë shtëpisë së Izraelit: “Largohuni prej Zotit. Kjo tokë na është dhënë në pronësi neve”. 16Por ti thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ndonëse i kam larguar ndër kombe, ndonëse i kam shpërndarë nëpër vende, unë kam qenë për ta shenjtërore për pak kohë, në vendet ku kanë shkuar. 17Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: do t'ju mbledh prej popujve, prej vendeve ku jeni shpërndarë, e do t'ju jap tokën e Izraelit. 18Ata do të hyjnë e do t'i zhdukin prej tij të gjithë idhujt dhe pështirësitë. 19Atëherë unë do t'u jap një zemër të re e një shpirt të ri do të fus brenda tyre. Do t'ua heq nga mishi zemrën prej guri e do t'u jap një zemër mishi, 20që të ecin sipas rregullave të mia, të mbajnë vendimet e mia e t'i zbatojnë. Atëherë ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. 21Por ata që shkojnë me gjithë zemër pas fëlliqësive dhe pështirësive të tyre, do ta paguajnë me kokë sjelljen e vet, kumton Zoti im, Zoti». 22Atëherë kerubët ngritën krahët e rrotat që ishin pranë tyre, ndërsa lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte mbi ta, sipër tyre. 23Pastaj lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e u ndal mbi malin në lindje të qytetit. 24Dhe një shpirt më ngriti e më çoi në Kalde te të shpërngulurit, në një vegim me anë të Shpirtit të Perëndisë, pasi m'u largua vegimi që kisha parë. 25Unë ua tregova të shpërngulurve të gjitha gjërat që Zoti më kishte shfaqur.

Currently Selected:

Ezekieli 11: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in