Dalja 33
33
Largimi nga Sinai
1 Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu prej këtej, ti dhe populli që nxore nga toka e Egjiptit, e shko drejt tokës që i premtova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë se do t'ua jap pasardhësve të tyre. 2Do të dërgoj para teje një engjëll që të dëbojë kananitët, amoritët, hititët, perizitët, hivitët e jebusitët. 3Shko pra, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, por unë nuk do të nisem me ju, që të mos ju shkatërroj udhës, sepse ju jeni një popull kokëfortë». 4Kur dëgjoi këtë lajm të keq, populli mbajti zi dhe askush nuk i veshi stolitë. 5Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: “Jeni një popull kokëfortë. Sikur të ecja me ju edhe për një çast, do t'ju zhbija. Hiqini, pra, stolitë e pastaj do të vendos se çfarë do të bëj me ju”». 6Atëherë izraelitët i hoqën stolitë në malin Horeb e nuk i veshën më.
7Moisiu e merrte tendën dhe e ngulte jashtë fushimit, larg nga fushimi i izraelitëve. Atë e quajti tenda e takimit. Kushdo që kërkonte këshilla nga Zoti shkonte te tenda e takimit që ishte jashtë fushimit. 8Sa herë që Moisiu shkonte te tenda, i gjithë populli ngrihej e dilte te hyrja e tendës se vet për të parë Moisiun kur hynte në tendë. 9Me të hyrë Moisiu, shtylla e resë zbriste te hyrja e tendës ndërkohë që Zoti fliste me të. 10Kur shtylla e resë qëndronte te hyrja e tendës, gjithë populli ngrihej e përkulej me nderim te hyrja e tendës së vet. 11Zoti i fliste Moisiut ballë për ballë, ashtu siç flet dikush me mikun e vet. Pastaj Moisiu kthehej në fushim, ndërsa ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk largohej nga tenda.
Lutja e Moisiut
12Moisiu i tha Zotit: «Shiko, ti më ke thënë t'i prij këtij populli, por nuk më ke bërë të ditur se kë do të dërgosh me mua. Ti vetë më ke thënë se më njeh me emër dhe se kam gjetur hir para teje. 13Prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, m'i bëj të ditura udhët e tua, që të të njoh e të gëzoj gjithnjë përkrahjen tënde. Kije parasysh se ky komb është populli yt». 14Zoti iu përgjigj: «Prania ime do të jetë me ty dhe unë do të të jap prehje». 15Moisiu i tha: «Nëse prania jote nuk është me ne, mos na nis që këtej. 16Si do të merret vesh që unë dhe populli yt kemi gjetur hir para teje, përveçse duke u nisur me ne? Vetëm kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt e tjerë mbi faqen e dheut». 17Zoti i tha Moisiut: «Do ta plotësoj edhe këtë kërkesë, sepse ke gjetur hir para meje dhe të njoh me emër».
18Pastaj Moisiu tha: «Më dëfto lavdinë tënde». 19Zoti i tha: «Do ta kaloj para teje tërë mirësinë time dhe do të shpall para teje emrin e Zotit. Do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. 20Por fytyrën time nuk do të mund ta shohësh, se askush nuk mund ta shohë e të mbesë gjallë». 21Pastaj Zoti tha: «Ja ku është një vend pranë meje. Qëndro mbi shkëmb, 22që kur të kalojë lavdia ime, të të fus në një zgavër shkëmbi e të të mbuloj me dorën time deri sa unë të kaloj. 23Pastaj do të heq dorën e ti do të më shohësh shpinën, por fytyra ime nuk mund të shihet».
Currently Selected:
Dalja 33: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020