YouVersion Logo
Search Icon

Dalja 26

26
Tenda
1«Tendën bëje me dhjetë pëlhura liri të tjerra hollë. Ato të punohen me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe të qëndisen mjeshtërisht me kerubë. 2Çdo pëlhurë të jetë njëzet e tetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të gjitha pëlhurat të kenë të njëjtat përmasa. 3Pesë nga pëlhurat të qepen me njëra-tjetrën si një copë e vetme, po kështu edhe pesë të tjerat. 4Bëj vjegëza me ngjyrë vjollcë në anën e fundit të njërës copë dhe po kështu në anën e copës tjetër. 5Bëj pesëdhjetë vjegëza në njërën copë dhe pesëdhjetë në anën e copës tjetër. Vjegëzat e të dyja copave të përkojnë me njëra-tjetrën. 6Puno pesëdhjetë grremça të artë që me to të mbërthesh copat me njëra-tjetrën. Kështu tenda do të jetë njëcopëshe.
7Bëj njëmbëdhjetë pëlhura me lesh dhie për t'i vënë mbi tendë. 8Çdo pëlhurë të jetë tridhjetë kute e gjatë dhe katër kute e gjerë. Të njëmbëdhjetë pëlhurat të kenë të njëjtat përmasa. 9Pesë nga pëlhurat të qepen si një copë e vetme e po kështu edhe gjashtë të tjerat. Pëlhura e gjashtë të paloset më dysh e të vendoset në ballë të tendës. 10Bëj pesëdhjetë vjegëza në fund të njërës copë dhe pesëdhjetë vjegëza në fund të copës tjetër. 11Puno pesëdhjetë grremça bronzi dhe shkoi nëpër vjegëza, që të mbërthejnë tendën e ajo do të jetë njëcopëshe. 12Pjesa e pëlhurës së tendës që tepron e që është sa gjysma e një pëlhure, të varet mbrapa tendës. 13Pjesët e pëlhurës, që teprojnë nga një kut në të dyja anët e tendës, të varen në të dyja anët e tendës që ta mbulojnë. 14Bëj për tendën një mbulesë me lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe dhe mbi të vër një mbulesë tjetër me lëkurë të çmuar.
15Dërrasat e tendës bëji me dru akacieje dhe nguli drejt. 16Çdo dërrasë të jetë dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. 17Dërrasat të kenë nga dy kunja që të mbërthehen me njëra-tjetrën. Kështu punoji tërë dërrasat e tendës. 18Njëzetë bëji për krahun jugor. 19Puno dyzet baza argjendi që të vihen poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. 20Edhe krahu tjetër i tendës, ai i veriut, të ketë njëzetë dërrasa 21dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. 22Ndërsa krahu i pasmë, ai i perëndimit, të ketë gjashtë dërrasa. 23Bëj edhe dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. 24Poshtë të jenë të ndara, por sipër të bashkuara me një rreth. Kështu vepro me dërrasat e të dyja këndeve. 25Gjithsej të jenë tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë.
26Bëj traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, 27pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. 28Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, të jetë e gjatë nga cepi në cep. 29Praroji dërrasat e traversat dhe bëj rrathë të artë që të mbajnë traversat. 30Ngrije tendën sipas porosive që t'u treguan në mal.
31Bëj një vel prej liri të tjerrë hollë. Të punohet me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe të qëndiset mjeshtërisht me kerubë. 32Vendose mbi katër shtylla të punuara me dru akacieje. Shtyllat të jenë të praruara, të kenë grremça të artë dhe të jenë vendosur mbi katër baza të argjendta. 33Vare velin në grremça dhe vendos pas tij arkën e dëshmisë, që veli të ndajë shenjtëroren nga shenjtërorja e shenjtëroreve. 34Pajtimoren mbi arkën e dëshmisë vendose në shenjtëroren e shenjtëroreve. 35Tryezën vëre para velit, në krahun verior të tendës, ndërsa shandanin vëre përballë tryezës, në krahun jugor.
36Në hyrje të tendës bëj një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo të qëndiset me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. 37Për perden puno pesë shtylla me dru akacieje. Praroji shtyllat, bëj grremça të artë dhe shkrij pesë baza bronzi për to».

Currently Selected:

Dalja 26: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in