YouVersion Logo
Search Icon

Dalja 14

14
Deti i Kuq
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Thuaju izraelitëve të kthehen dhe të fushojnë para Pi Hahirotit, mes Migdolit dhe detit, para Baal Cefonit, përballë detit. 3Atëherë faraoni do të mendojë se izraelitët po enden kuturu dhe se janë të rrethuar nga shkretëtira. 4Unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit dhe ai do t'i ndjekë, që unë të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij. Kështu, egjiptianët do ta dinë se unë jam Zoti». Izraelitët vepruan ashtu.
5Kur i treguan mbretit të Egjiptit se populli kishte ikur, ai bashkë me shërbëtorët e tij ndërruan mendje për izraelitët e thanë: «Çfarë bëmë kështu? Si i lamë të lirë?». 6Atëherë faraoni bëri gati karrocën dhe mori me vete popullin e tij. 7Mori gjashtëqind karroca të përzgjedhura dhe tërë karrocat e Egjiptit plot me luftëtarë. 8Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi izraelitët ndërsa dilnin me ngadhënjim. 9Egjiptianët i ndoqën dhe tërë karrocat, kalorësit dhe ushtria e faraonit i arritën kur po fushonin para detit, në Pi Hahirot para Baal Cefonit. 10Ndërkohë që faraoni afrohej, izraelitët ngritën sytë dhe ja, egjiptianët po marshonin pas tyre. I zuri një frikë e madhe dhe i thirrën Zotit. 11Pastaj i thanë Moisiut: «Pak varre kishte Egjipti që na solle të vdesim në shkretëtirë? Ç'na bëre kështu që na nxore nga Egjipti? 12A nuk të thamë që në Egjipt: “Na lër të qetë t'u shërbejmë egjiptianëve, sepse më mirë t'u shërbejmë atyre, sesa të vdesim në shkretëtirë!”». 13Por Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Qëndroni e shikoni sesi do t'ju shpëtojë sot Zoti. Egjiptianët që po shihni sot nuk keni për t'i parë më kurrë. 14Zoti do të luftojë për ju, ndërsa ju rrini qetë!».
15 Zoti i tha Moisiut: «Përse më thërret? Thuaju izraelitëve të nisen. 16Ti ngri shkopin dhe shtri dorën mbi det që ta ndash atë. Kështu izraelitët do të kalojnë nëpër tokë të thatë. 17Unë po ngurtësoj zemrat e egjiptianëve dhe ata do t'ju ndjekin pas. Kështu, do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë ushtrinë e tij, karrocat e kalorësit e tij. 18Atëherë egjiptianët do ta dinë që unë jam Zoti, kur do të lavdërohem duke shtypur faraonin e tërë karrocat e kalorësit e tij».
19Atëherë engjëlli i Perëndisë, që printe ushtrinë e Izraelit, doli e qëndroi mbrapa tyre dhe pas qëndroi edhe shtylla e resë që u printe. 20Ai qëndroi mes ushtrisë së Egjiptit dhe asaj të Izraelit. Reja i mbante në errësirë egjiptianët, ndërsa izraelitëve u bënte dritë, që askush të mos i afrohej njëri-tjetrit gjatë tërë natës.
21Atëherë Moisiu shtriu dorën mbi det dhe Zoti, gjatë tërë natës, e zmbrapsi detin me një erë të fortë nga lindja. Zoti e ktheu detin në tokë të thatë dhe ujërat u ndanë. 22Izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mure nga të dyja anët. 23Edhe egjiptianët me të gjithë kuajt, karrocat e kalorësit e faraonit u sulën pas tyre dhe u futën në mes të detit. 24Në të gdhirë#14.24 ose: roja e mëngjesit, Zoti i vështroi egjiptianët nga shtylla e zjarrit dhe e resë dhe e hutoi tërë ushtrinë e tyre. 25Ua pengoi rrotat e karrocave, saqë mezi lëviznin. Atëherë ata thanë: «T'ia mbathim prej izraelitëve, sepse Zoti po lufton për ta kundër egjiptianëve!».
Mbytja e egjiptianëve
26Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shtrije dorën mbi det që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e kalorësit e tyre!». 27Moisiu e shtriu dorën mbi det dhe në agim deti u kthye si më parë. Egjiptianët ua mbathën kur panë se deti po vërshonte drejt tyre, por Zoti i plandosi mu në mes të detit. 28Ujërat vërshuan e mbuluan karroca e kalorës dhe tërë ushtrinë e faraonit që shkoi e i ndoqi pas deri në det. Asnjë prej tyre nuk mbeti gjallë. 29Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë dhe ujërat u qëndronin si mur nga të dyja anët.
30Atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin nga dora e Egjiptit. Kur i panë egjiptianët të vdekur në breg të detit, 31izraelitët e kuptuan me ç'forcë të madhe kishte vepruar Zoti kundër Egjiptit. Atëherë populli e druajti Zotin dhe besoi në të dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.

Currently Selected:

Dalja 14: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in