Efesianëve 6:10-23
Efesianëve 6:10-23 AL1
Së fundi, forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij. Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit. Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore. Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t'i bëni ballë ditës së ligë e të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund. Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën e vishni drejtësinë si parzmore. Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes. Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit që është fjala e Perëndisë. Lutuni në çdo kohë dhe drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti. Prandaj rrini zgjuar e këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë të shenjtët. Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit. Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur. Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t'ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh sesi jam e çfarë po bëj. Po e dërgoj te ju, që të dini sesi jemi e që t'u japë ngushëllim zemrave tuaja. Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri e besim.