Efesianëve 1
1
Përshëndetje
1Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj të shenjtëve që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu: 2paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Bekimet shpirtërore
3Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror e qiellor. 4Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë e të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij, 5Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij, 6që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur.
7Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij e na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë. 8Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri. 9Ai na bëri të njohur shestimin e fshehtë të vullnetit të vet që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit. 10Këtë shestim ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t'i vënë të gjitha gjërat nën pushtetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, edhe ato që janë në tokë.
11Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t'u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet, 12në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij. 13Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të e Perëndia ju vulosi me Shpirtin e shenjtë që kishte premtuar. 14Ky Shpirt është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.
Lutja e Palit
15Prandaj edhe unë, që kur dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët, 16nuk resht së falënderuari Perëndinë për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia. 17Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, ju dhëntë Shpirtin e urtisë, që do t'ju zbulojë si ta njihni plotësisht atë. 18Ai ju ndriçoftë sytë e zemrave tuaja, që të njihni se cila është shpresa për të cilën ju thirri, sesa e pasur dhe e lavdishme është trashëgimia e tij për të shenjtët 19dhe sesa madhështore dhe e pashoqe është fuqia e tij ndaj nesh që besojmë në të. Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë, 20me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej, 21duke e vënë përmbi çdo sundim e pushtet, përmbi çdo fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme. 22Perëndia e nënshtroi gjithçka nën këmbët e Krishtit dhe e bëri atë kreun e kishës, përmbi çdo gjë. 23Kisha është trupi i Krishtit, është plotësia e atij që me praninë e tij bën gjithçka të plotë.
Currently Selected:
Efesianëve 1: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020