YouVersion Logo
Search Icon

Ligji i përtërirë 5

5
Dhjetë urdhërimet
1Moisiu e thirri gjithë Izraelin e u tha: «Dëgjo, o Izrael, rregullat e vendimet që unë po ju shpall sot. Mësojini e zbatojini ato me kujdes. 2Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb. 3Këtë besëlidhje Zoti nuk e lidhi me etërit tanë, por me ne, me ne që jemi këtu, me të gjithë ne që jemi gjallë. 4Në mal, Zoti ju foli ballë për ballë nga mesi i zjarrit. 5Asokohe unë qëndroja mes jush dhe Zotit për t'ju shpallur fjalën e tij, sepse ju kishit frikë nga zjarri e nuk u ngjitët në mal. Ai tha:
6“Unë Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.
7Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.
8Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. 9Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezin e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. 10Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e zbatojnë ligjin tim.
11Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.
12Mbaje ditën e shtunë e shenjtëroje, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt. 13Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, 14por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as demi yt, as gomari yt, asnjë nga kafshët e tua dhe as i huaji që rri me ty, që edhe shërbëtori e shërbëtorja jote të pushojnë si ti. 15Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fuqishme e me krah të fortë, prandaj dhe të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë.
16Ndero atin tënd e nënën tënde, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, që të kesh jetë të gjatë e të të shkojë mbarë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.
17Mos vrit.
18Mos bëj tradhti bashkëshortore.
19Mos vidh.
20Mos bëj dëshmi të kotë kundër të afërtit tënd.
21Mos lakmo gruan e tjetrit. Mos lakmo shtëpinë e tij, as arën e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë të tij”.
Roli i Moisiut
22Këto fjalë, Zoti ia tha me zë të lartë tërë bashkësisë suaj në mal, nga mesi i zjarrit, resë e territ. Gjë tjetër nuk shtoi. I shkroi në dy rrasa guri e m'i dha mua. 23Kur ju e dëgjuat zërin nga mesi i territ dhe patë malin që digjej, m'u afruat ju, tërë krerët e fiseve dhe pleqtë, 24e më thatë: “Ja, Zoti, Perëndia ynë, na dëftoi lavdinë e madhështinë e tij dhe ne ia dëgjuam zërin nga mesi i zjarrit. Sot pamë sesi Perëndia folka me njeriun e ky mbetka gjallë! 25Por, pse të vdesim nga ky zjarr i madh që do të na përpijë? Nëse e dëgjojmë sërish zërin e Zotit, Perëndisë tonë, do të vdesim, 26se kush tjetër e dëgjoi Perëndinë e gjallë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjuam ne, e mbeti gjallë? 27Shko ti e dëgjo gjithçka që thotë Zoti, Perëndia ynë. Pastaj na trego gjithçka që tha Zoti, Perëndia ynë, e ne do të të dëgjojmë”.
28 Zoti i dëgjoi fjalët që më thatë e më tha: “I dëgjova fjalët që të tha ky popull. E kanë mirë gjithçka thanë. 29Ah, sikur të kishin përherë një mendje të tillë, që të më druanin e të mbanin urdhërimet e mia. Kështu do t'u shkonte mbarë atyre e bijve të tyre përgjithmonë. 30Shko e thuaju: kthehuni në tendat tuaja, 31ndërsa ti qëndro këtu me mua. Do të t'i them të gjitha urdhërimet, rregullat e vendimet, që t'ua mësosh t'i zbatojnë në tokën që po u jap për pronë”. 32Prandaj kini kujdes e veproni siç ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj. Mos u shmangni as djathtas, as majtas. 33Ecni udhës që ju urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, që të jetoni, t'ju shkojë mbarë e të jeni me jetë të gjatë në tokën që do të pushtoni».

Currently Selected:

Ligji i përtërirë 5: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy