YouVersion Logo
Search Icon

Ligji i përtërirë 2

2
Udhëtimi në shkretëtirë
1«Atëherë u kthyem, u nisëm drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq, siç më tha Zoti, dhe u sollëm për një kohë të gjatë përreth malit Seir. 2Pastaj Zoti më tha: 3“Mjaft u sollët përreth këtij mali. Kthehuni në drejtim të veriut 4e urdhëroje popullin të kalojë nëpër tokën e pasardhësve të Esaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir. Ata do t'ju kenë frikë, por kini shumë kujdes. 5Mos i ngucni, sepse nuk do t'ju jap asnjë pëllëmbë tokë nga vendi i tyre. Malin e Seirit ia kam dhënë për pronë Esaut. 6Blijeni prej tyre bukën që hani e ujin që pini. 7Zoti, Perëndia yt, ka bekuar çdo vepër të duarve të tua. Ai të ka përcjellë në çdo udhëtim nëpër këtë shkretëtirë të madhe. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty dhe asgjë nuk të ka munguar”.
8Kështu i kaluam pasardhësit e Esaut, vëllezërit tanë, që banonin në Seir, duke lënë pas udhën e Arabahut, Ejlatin dhe Ecjon Geberin. Pastaj u kthyem në drejtim të shkretëtirës së Moabit. 9Atëherë Zoti më tha: “Mos iu kanos Moabit e mos e nguc me luftë, se nuk do të të jap asgjë prej tokës së tyre. Arin ua kam dhënë për pronë pasardhësve të Lotit”.
10Më parë aty jetonin emitët, një popull i fuqishëm, i madh e shtatlartë si anakitët. 11Edhe refaitët njiheshin si anakitë, por moabitët i quanin emitë. 12Në Seir banonin më parë horitët, por pasardhësit e Esaut i dëbuan e i zhbinë dhe tani banojnë në vend të tyre, ashtu siç bëri Izraeli me tokën që Zoti i dha për pronë.
13Zoti vijoi: “Tani, ngrihuni e kalojeni luginën e Zeredit”. Dhe ne kështu vepruam. 14Udhëtimi nga Kadesh Barnea derisa kaluam luginën e Zeredit zgjati tridhjetë e tetë vjet, aq sa u zhduk nga fushimi tërë breznia e luftëtarëve, ashtu siç Zoti u ishte betuar. 15Vërtet, Zoti ngriti dorë kundër tyre për t'i shfarosur nga fushimi derisa morën fund.
16Si u zhdukën tërë luftëtarët prej mesit të popullit, 17Zoti më tha: 18“Sot do të kalosh përmes Arit, përtej kufijve të Moabit. 19Do t'u afrohesh amonitëve e do t'u dalësh përballë. Mos iu kanos e mos i nguc, se nuk do të ta jap për pronë tokën e amonitëve. Këtë vend ua kam dhënë për pronë pasardhësve të Lotit”.
20I njëjti vend njihej si toka e refaitëve, të cilët banonin më parë aty. Amonitët i quanin ata zamzumitë. 21Ishin një popull i fuqishëm, i madh e shtatlartë si anakitët. Zoti i zhbiu, që amonitët t'i dëbonin dhe të banonin në vend të tyre, 22ashtu siç bëri për pasardhësit e Esaut që banojnë në Seir. Ai i zhbiu horitët, që pasardhësit e Esaut t'i dëbonin e të banonin në vend të tyre gjer më sot. 23Edhe avitët, banorët e rrethinave pranë Gazës, u zhbinë prej kaftoritëve nga Kaftori, të cilët tani banojnë në vend të tyre.
24Zoti vijoi: “Ngrihuni, nisuni e kalojeni luginën e Arnonit. Ja, ta kam dorëzuar Sihonin, mbretin amorit të Heshbonit dhe vendin e tij. Fillo ta pushtosh e nguce me luftë. 25Sot, do të bëj të kenë frikë e tmerr prej teje tërë popujt nën qiell. Kushdo që dëgjon për ty do të dridhet e tmerrohet prej teje”.
Mbreti i Sihonit
26Atëherë dërgova te Sihoni, mbreti i Heshbonit, disa lajmëtarë nga shkretëtira e Kedmotit e me fjalë paqeje i thashë: 27“Më lër të kaloj përmes tokës sate. Do të eci rrugës kryesore e nuk do të shmangem as djathtas, as majtas. 28Ma shit bukën që ha e ujin që pi, vetëm më lër të kaloj, 29siç më lanë pasardhësit e Esaut, banorët e Seirit, dhe mobaitët, banorët e Arit, që të mbërrij në tokën përtej Jordanit, të cilën po na e jep Zoti, Perëndia ynë”. 30Por, Sihoni, mbreti i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim, se Zoti, Perëndia yt, ia ngurtësoi shpirtin e zemrën, për të ta dorëzuar, siç është gjer më sot.
31 Zoti më tha: “Ja, fillova të ta dorëzoj Sihonin e tokën e tij. Fillo ta pushtosh e ta zaptosh tokën e tij!”. 32Atëherë Sihoni, bashkë me gjithë popullin, na doli përpara në Jahac, që të ndeshej me ne. 33Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi dhe ne i ramë atij, bijve të tij dhe tërë popullit të tij. 34Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij dhe i shfarosëm të gjithë, me burra, gra e fëmijë. Nuk lamë gjallë askënd, 35përveç kafshëve që zumë dhe presë që plaçkitëm prej qyteteve. 36Që nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, përfshirë edhe luginën vetë, deri në Gilead, nuk pati asnjë qytet që të ishte tepër i fortë për ne. Zoti, Perëndia ynë, na i dorëzoi të gjitha. 37Por, ti nuk e preke tokën e amonitëve, krahinën përgjatë luginës së Jabokut, qytetet e malësisë dhe asnjë qytet tjetër që na e ndaloi Zoti, Perëndia ynë».

Currently Selected:

Ligji i përtërirë 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in