YouVersion Logo
Search Icon

Ligji i përtërirë 19

19
Qytetet e strehimit
1«Kur Zoti, Perëndia yt, të shfarosë popujt, tokën e të cilëve po ta jep, e kur t'i pushtosh dhe të banosh në qytetet e shtëpitë e tyre, 2cakto tri qytete në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, për ta pushtuar. 3Ndaje në tri krahina tokën, që do të të japë për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, dhe ndërto rrugë, që vrasësit të mund të ikin atje.
4Sipas këtij ligji, vrasësi mund të ikë atje për të shpëtuar, vetëm nëse e vret të afërtin padashur e pa pasur më parë ndonjë armiqësi me të. 5Nëse ndodh, pra, që ai shkon në pyll me dikë, për të prerë dru, e, ndërsa priste dru, koka e sëpatës del nga bishti, i bie tjetrit dhe ai vdes, atëherë vrasësi të ikë në njërin prej këtyre qyteteve, që të shpëtojë. 6Por, nëse rruga është e gjatë, gjakmarrësi do ta ndjekë me gjaknxehtësi, do ta zërë e do t'ia marrë jetën edhe pse vrasësi nuk e meritonte të dënohej me vdekje, ngaqë nuk pati ndonjë armiqësi mes tyre. 7Prandaj dhe po të urdhëroj të caktosh tri qytete.
8Nëse Zoti, Perëndia yt, t'i zgjeron kufijtë, siç iu betua etërve të tu, e të jep tërë tokën që u premtoi atyre, 9ngaqë i mbajte të gjitha këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot, për ta dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe për ta ndjekur udhën e tij tërë jetën, atëherë shto edhe tri qytete të tjera. 10Kështu, nuk do të derdhet gjak i pafajshëm në tokën që po të jep për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, dhe ti nuk do të jesh fajtor për gjakun e derdhur.
11Por, nëse dikush e urren të afërtin, i vë pritë, e sulmon, e qëllon dhe ai vdes, nëse vrasësi ikën në njërin prej këtyre qyteteve, 12atëherë pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë njerëz për ta marrë që andej, do t'ia dorëzojnë gjakmarrësit dhe ai do të vdesë. 13Mos të të vij keq për të. Hiqe derdhjen e gjakut të pafajshëm në Izrael e do të të shkojë mbarë.
Kufijtë
14Mos i ndrysho kufijtë e pronës së të afërtit, që u vendosën nga të parët për pjesën që do të trashëgosh në vendin që do të të japë për ta pushtuar Zoti, Perëndia yt.
Dëshmitarët
15Të mos dalë vetëm një dëshmitar për ndonjë faj ose shkelje që është kryer. Do të jetë e vlefshme vetëm dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve. 16Nëse del ndonjë dëshmitar i rremë, për të paditur dikë si keqbërës, 17atëherë të dyja palët të paraqiten para Zotit, priftërinjve e gjykatësve, që shërbejnë në atë kohë. 18Gjykatësit ta shqyrtojnë mirë çështjen. Nëse dëshmitari është i rremë dhe e ka paditur të afërtin padrejtësisht, 19atëherë gjykatësit të veprojnë me dëshmitarin ashtu siç ai donte të veprohej me të paditurin. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. 20Të tjerët do ta dëgjojnë, do të kenë frikë e nuk do të përsërisin më të njëjtën ligësi në mesin tënd. 21Mos të të vijë keq për të: jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë».

Currently Selected:

Ligji i përtërirë 19: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in