YouVersion Logo
Search Icon

Danieli (Gr) 1A

1A
Suzana
1Në Babiloni jetonte një burrë me emrin Joakim. 2Ai ishte martuar me Suzanën, bijën e Helkiut, një grua fort e bukur që e druante Zotin. 3Prindërit e saj ishin të drejtë dhe e kishin rritur të bijën sipas ligjit të Moisiut. 4Joakimi ishte shumë i pasur dhe kishte një kopsht pranë shtëpisë. Judenjtë shkonin tek ai, se ishte më i nderuari nga të gjithë.
5Atë vit dy pleq të popullit u caktuan gjykatës. Për ta Sunduesi kishte thënë: «Prej Babilonisë erdhi paudhësia, prej pleqve gjykatës, që mendonin se qeverisnin popullin». 6Dy pleqtë shkonin shpesh në shtëpinë e Joakimit, sepse kush kishte ndonjë çështje dilte para tyre për gjykim.
7Në mesditë, kur populli largohej, Suzana dilte e shëtiste në kopshtin e burrit të vet. 8Dy pleqtë e shihnin çdo ditë tek dilte e shëtiste dhe i zuri epshi për të. 9U marrosën pas saj, nuk i drejtuan më sytë nga qielli dhe i harruan gjykimet e drejta. 10Që të dy vuanin për të, por nuk flisnin me njëri-tjetrit për brengën, 11se u vinte turp ta tregonin dëshirën për të shkuar në shtrat me të. 12Ata ia ngulnin sytë gruas çdo ditë.
13Atëherë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në shtëpi, se është koha e drekës». Dolën e u ndanë, 14por ndërruan rrugë e u kthyen në të njëjtin vend, prandaj e pyetën njëri-tjetrin për arsyen dhe secili i rrëfeu shokut dëshirën e vet. Atëherë, caktuan bashkë kohën kur do ta gjenin vetëm. 15Ata prisnin ditën e përshtatshme. Një herë ajo erdhi, siç kishte bërë edhe ditë të tjera, bashkë me dy shërbëtore, e deshi të lahej në kopsht, se bënte shumë vapë. 16Nuk kishte asnjeri veç dy pleqve të fshehur që e vërenin. 17Atëherë ajo u tha shërbëtoreve: «Sillmëni vaj dhe aroma e mbyllini dyert e kopshtit, se do të lahem». 18Shërbëtoret bënë siç u tha ajo, mbyllën dyert e kopshtit dhe dolën nga dyert anësore për të marrë ç'u kërkoi, por nuk i panë pleqtë, se ishin fshehur. 19Sapo ikën shërbëtoret, pleqtë u ngritën dhe vrapuan drejt saj 20e i thanë: «Ja, dyert e kopshtit janë të mbyllura e nuk na sheh askush. Na është ndezur dëshira për ty, prandaj prano e shtrihu me ne. 21Në mos, do të dëshmojmë se ishe me një djalë të ri, prandaj i nise shërbëtoret». 22Suzana psherëtiu e tha: «Jam zënë ngushtë. Po të veproj kështu është si të vdes. Po të mos bëj ashtu, s'u shpëtoj dot duarve tuaja. 23Më mirë të mos bie në duart tuaja, sesa të mëkatoj para Zotit». 24Suzana bërtiti me zë të lartë. Edhe dy pleqtë i bërtitën. 25Njëri nga ata vrapoi dhe hapi dyert e kopshtit. 26Shërbëtorët e shtëpisë dëgjuan britmat dhe hynë në kopsht nga dera anësore për të parë ç'i kishte ndodhur. 27Kur pleqtë folën fjalët e veta, shërbëtorët u turpëruan shumë, sepse s'ishin thënë kurrë fjalë të tilla për Suzanën.
28Të nesërmen, kur populli u mblodh te Joakimi, burri i saj, erdhën edhe dy pleqtë, mbushur me mendime të mbrapshta kundër Suzanës për ta dënuar me vdekje. 29Ata iu drejtuan popullit e thanë: «Silleni Suzanën, të bijën e Helkiut, gruan e Joakimit». Atëherë dërguan njerëz ta sillnin. 30Ajo erdhi, me prindërit, me fëmijët e me të afërmit e vet. 31Suzana ishte shumë e brishtë dhe e pashme. 32Ata të poshtër urdhëruan që ajo të zbulohej, pasi ishte mbuluar me shami, se donin të kënaqeshin me bukurinë e saj. 33Kush i rrinte afër qante bashkë me të gjitë ata që e shikonin. 34Dy pleqtë dolën në mes të popullit e vunë duart mbi kokën e saj. 35Ajo shikonte drejt qiellit duke qarë, se besonte me gjithë zemër në Zotin. 36Pleqtë thanë: «Kur po shëtisnim vetëm në kopsht, ajo hyri bashkë me dy shërbëtoret, mbylli dyert e kopshtit dhe i largoi shërbëtoret. 37Atëherë iu afrua një djalosh, që kishte qenë i fshehur, dhe u shtri me të. 38Ne, e pamë këtë paudhësi nga qoshja e kopshtit dhe vrapuam drejt tyre. 39I pamë të ngërthyer, por djaloshin nuk e ndalëm dot, se ishte më i fuqishëm se ne. Ai hapi dyert dhe u largua. 40Këtë grua e kapëm dhe e pyetëm kush ishte djaloshi, 41por nuk deshi të na tregonte. Këtë dëshmi kemi».
Meqë ata ishin pleqtë e popullit dhe gjyqtarë, bashkësia u besoi dhe e dënuan Suzanën me vdekje.
42Suzana thirri me zë të lartë e tha: «O Perëndi i amshuar që i njeh të fshehtat dhe sheh gjithçka para se të lindë. 43Ti e di se dhanë dëshmi të rreme kundër meje. Ja, nuk kam bërë asnjë nga këto ligësi që kurdisën kundër meje, por po shkoj drejt vdekjes».
Danieli shpëton Suzanën
44Zoti ia dëgjoi lutjen Suzanës. 45Kur po e çonin për ta vrarë, Perëndia i dha shpirtin e shenjtë një djali të ri, me emrin Daniel. 46Ai thirri me zë të lartë: «Nuk dua të bëhem me faj për gjakun e saj». 47Mbarë populli u kthye drejt tij dhe e pyetën: «Ç'janë këto fjalë që thua?». 48Ai qëndroi mes tyre e tha: «Aq të marrë jeni, o bijtë e Izraelit, që po e dënoni këtë bijë të Izraelit pa hetuar e pa pasur asgjë të qartë? 49Kthehuni në gjykatore, se këta bënë dëshmi të rreme kundër saj». 50I gjithë populli u kthye me të nxitim. Pleqësia i tha: «Eja, ulu mes nesh e na trego, se Perëndia të paska falur urti plaku». 51Atëherë Danieli u tha: «Ndajini nga njëri-tjetri, se dua t'i pyes». 52I ndanë nga njëri-tjetri dhe ai thirri njërin prej tyre e i tha: «O i moshuar me ditë të liga, tani do të dalin mëkatet që ke bërë dikur. 53Ke dhënë gjykime të padrejta, se ke ndëshkuar të pafajshmit dhe ke lënë të lirë fajtorët, ndonëse Zoti ka thënë: “Të pafajshmin e të drejtin mos i vrisni”. 54Tani, meqë e paske parë këtë grua, thuaj nën ç'pemë po pëshpëritnin?». Ai tha: «Nën një pemë fëstëku». 55Danieli tha: «Këtë gënjeshtër të mirë do ta paguash me kokë, se engjëlli i Perëndisë e mori vendimin e Perëndisë për të të çarë më dysh».
56E la mënjanë, thirri tjetrin e i tha: «O farë e Kanaanit dhe jo e Judesë, bukuria ta mori mendjen dhe epshi ta përdrodhi zemrën. 57Kështu veproni me bijat e Izraelit, prandaj kanë frikë t'ju flasin nga afër, por bija e Judës nuk iu nënshtrua paudhësisë suaj. 58Tani, tregomë, nën ç'pemë i pe duke pëshpëritur?» Ai tha: «Nën një lis». 59Atëherë Danieli i tha: «Këtë gënjeshtër të mirë do ta paguash me kokë. Engjëlli i Perëndisë të pret me shpatën gati të të ndajë më dysh e të të shkatërrojë».
60E gjithë bashkësia brohoriti fort dhe bekoi Perëndinë që shpëton ata që shpresojnë tek ai. 61Ata u ngritën kundër dy pleqve, se Danieli ua vërtetoi me gojën e tyre se kishin dhënë dëshmi të rreme, prandaj u bënë të keqen që ata kishin menduar t'i bënin të afërtit të tyre. 62Zbatuan ligjin e Moisiut dhe i dënuan me vdekje. Atë ditë u shpëtua gjaku i pafajshëm.
63Hilkiahu dhe gruaja e tij lavdëruan Perëndinë për vajzën e tyre Suzanën, bashkë me burrin e saj Joakimin e me të gjithë të afërmit, se asaj nuk i gjetën asgjë të pahijshme. 64Që nga ajo ditë Danieli u bë i madh në sytë e popullit.

Currently Selected:

Danieli (Gr) 1A: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in