Danieli (Gr) 10
10
Vegimi i të veshurit me petk liri
1Në vitin e tretë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, Danielit, që quhej Belteshacar, iu njoftua një fjalë. Fjala ishte e vërtetë, por përmbante mundime të mëdha. Danieli e kuptoi atë fjalë, sepse shpjegimi i saj i qe dhënë në vegim.
2Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë. 3Nuk hëngra asnjë gjellë të shijshme e nuk futa në gojë as mish, as verë. Nuk u leva as me vaj erëmirë, derisa kaluan ato tri javë. 4Në ditën e njëzet e katërt të muajit të parë u gjenda në brigjet e lumit të madh të Tigrit. 5Ngrita sytë, kur, ja, pashë një burrë veshur me petka liri dhe me ijët ngjeshur me ar të pastër Ufazi. 6Trupi i ngjasonte me topazin, fytyra i ndrinte si vetëtima, sytë i shkëlqenin si pishtarë zjarri, krahët dhe këmbët i ngjasonin me bronzin e lëmuar dhe zëri i ushtonte si zëri i një turme. 7Vetëm unë, Danieli, e pashë vegimin, ndërsa burrat që ishin me mua nuk e panë, por ata i zuri tmerri dhe ia mbathën e u fshehën. 8Kështu, unë mbeta vetëm dhe pashë këtë vegim të madhërishëm. Nuk më mbeti pikë fuqie, u zbeha krejt në fytyrë e më lanë forcat. 9Atëherë dëgjova tingullin e fjalëve të tij dhe, teksa dëgjoja tingullin e fjalëve të tij, më këputi një gjumë i thellë e rashë me fytyrë përtokë.
10Dhe, ja, më preku një dorë, më bëri të rrija këmbadoras duke u dridhur 11e më tha: «Daniel, njeri fort i çmuar, përpiqu t'i kuptosh fjalët që po të them e ngrihu në këmbë, sepse më kanë dërguar për ty». Kur më tha këto fjalë, u ngrita në këmbë duke u dridhur. 12Pastaj më tha: «Mos ki frikë, Daniel! Që nga dita e parë kur ti dëshirove me gjithë zemër të kuptoje dhe e përule veten para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha prej tyre. 13Princi i mbretërisë së Persisë më bëri qëndresë për njëzet e një ditë, por, ja, më erdhi në ndihmë Mikaeli, kryeprinci, dhe unë qëndrova atje pranë mbretërve të Persisë. 14Tani kam ardhur të të ndihmoj të kuptosh se çfarë do të ndodhë me popullin tënd në fund të ditëve, sepse ky vegim ka të bëjë me ato ditë».
15Kur më tha këto fjalë, unë rashë me fytyrë përtokë dhe heshta. 16Atëherë dikush, që ngjante me Bir njeriu, më preku buzët dhe unë hapa gojën për të folur e i thashë atij që qëndronte para meje: «Imzot, për shkak të vegimit më kanë zënë dhimbjet e nuk më ka mbetur pikë fuqie. 17Si është e mundur që unë, shërbëtori i timzoti, të flas me timzot? Ja, fuqitë më kanë lënë e nuk marr dot as frymë».
18Atëherë ai që ngjante me Bir njeriu më preku, më dha fuqi 19e më tha: «Mos ki frikë, o njeri fort i çmuar! Paqja me ty! Merr fuqi e ji i fortë!». Teksa po fliste me mua, më erdhën fuqitë e i thashë: «Fol, imzot, se më dhe forcë». 20Ai më tha: «A e di përse kam ardhur te ti? Tani do të kthehem për të luftuar kundër princit të persëve. Kur të jem larguar unë, ka për të ardhur princi i Greqisë. 21Po të lajmëroj ç'është shkruar në librin e së vërtetës. Askush nuk mund të më ndihmojë kundër tyre, përveç Mikaelit, princit tuaj».
Currently Selected:
Danieli (Gr) 10: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020