YouVersion Logo
Search Icon

Veprat 20

20
Pali në Maqedoni e Greqi
1Pasi mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni. 2Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi. 3Atje qëndroi tre muaj.
Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia. 4Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga Azia#20.4 dorëshk. të tjera edhe: dhe e përcollën deri në Azi. 5Ata shkuan përpara dhe na pritën në Troadë, 6ndërsa ne, pas ditëve të festës së Bukëve të ndorme, lundruam nga Filipia dhe për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë.
Pali për herë të fundit në Troadë
7Të dielën#20.7 ose: Ditën e parë pas së shtunës, ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalën deri në mesnatë. 8Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar. 9Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. 10Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë e tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur». 11Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis. 12Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë.
Udhëtimi nga Troada në Milet
13Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë. 14Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë. 15Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos#20.15 dorëshk. të tjera edhe: dhe qëndruam në Trogjil dhe të nesërmen mbërritëm në Milet. 16Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.
Pali u flet pleqve të kishës së Efesit
17Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. 18Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, 19duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. 20Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. 21Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. 22Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. 23Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. 24Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. 25Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. 26Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, 27sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. 28Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës#20.28 ose: peshkopë, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet.
29E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. 30Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t'ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t'i tërhequr dishepujt pas vetes. 31Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet.
32E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t'ju rrisë në besim e t'ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. 33Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. 34Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. 35Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”».
36Pasi tha këto fjalë, ai ra në gjunjë bashkë me të gjithë ata dhe u lut. 37Të gjithë shpërthyen në lot. Ata e përqafuan Palin dhe e puthën, 38duke ndier dhimbje, sidomos për atë që kishte thënë se nuk do ta shihnin më.
Pastaj e përcollën deri tek anija.

Currently Selected:

Veprat 20: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in