YouVersion Logo
Search Icon

Veprat 16

16
Timoteu udhëton me Palin e Silën
1Pali arriti në Derbë e pastaj edhe në Listër. Atje jetonte një dishepull me emrin Timote. Nëna e tij ishte judease që kishte besuar në Jezuin, ndërsa i ati ishte helen. 2Për të flisnin mirë vëllezërit në Listër e në Ikon. 3Pali deshi që Timoteu ta shoqëronte, prandaj e mori me vete dhe e rrethpreu për shkak të judenjve që jetonin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se i ati ishte helen.
4Ndërsa shkonin nga qyteti në qytet, i njoftonin njerëzit për vendimet që ishin marrë nga apostujt e pleqtë e kishës në Jerusalem dhe i porosisnin që t'i zbatonin. 5Kështu kishat forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër çdo ditë.
Vegimi me maqedonasin
6Ata kaluan nëpër krahinën e Frigjisë e të Galatisë, sepse Shpirti i shenjtë ua kishte ndaluar ta predikonin fjalën e Perëndisë në Azi. 7Kur arritën afër Misisë, u munduan të shkonin në Bitini, por Shpirti i Jezuit#16.7 dorëshkr. të tjera nuk përmbajnë: i Jezuit nuk i lejoi, 8prandaj kaluan nëpër Misi e shkuan në Troadë.
9Gjatë natës Pali pa një vegim. Përpara i qëndronte një maqedonas, që i lutej e i thoshte: «Eja në Maqedoni e na ndihmo!». 10Kur pa këtë vegim, menjëherë u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, të bindur se Perëndia na kishte thirrur t'ua shpallnim ungjillin atyre.
Kthimi në besim i Lidisë
11Pastaj lundruam nga Troada drejt Samotrakës e të nesërmen për në Neapojë 12dhe që aty në Filipi që është qyteti kryesor i asaj krahine të Maqedonisë dhe koloni romake. Ne u ndalëm në këtë qytet për disa ditë.
13Ditën e shtunë dolëm jashtë portës së qytetit përgjatë lumit, ku mendonim se ishte vendi i zakonshëm për lutje. Atëherë u ulëm dhe u folëm grave që ishin mbledhur aty. 14Një grua me emrin Lidia, që ishte kthyer në besimin e judenjve, po na dëgjonte. Ajo ishte nga qyteti i Tiatirës dhe tregtonte rroba të purpurta. Zoti ia hapi zemrën që të dëgjonte me vëmendje çfarë thoshte Pali. 15Kur u pagëzua bashkë me ata të shtëpisë së saj, ajo na u lut: «Nëse mendoni se jam besimtare në Zotin, ejani e rrini në shtëpinë time». Dhe na detyroi të pranojmë.
Burgimi në Filipi
16Një herë, kur po shkonim te vendi i lutjes, takuam një skllave që me anë të një shpirti të lig, parashikonte të ardhmen. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj duke u treguar fatin njerëzve. 17Kur po na ndiqte ne dhe Palin, bërtiste: «Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë e ju shpallin udhën e shpëtimit».
18Ajo e bëri këtë gjë për shumë ditë, por Pali, i mërzitur nga kjo, iu kthye shpirtit të lig e i tha: «Në emër të Jezu Krishtit po të urdhëroj të dalësh prej saj». E shpirti i lig doli menjëherë.
19Kur zotërinjtë e saj e panë se humbën shpresën për të fituar, i kapën Palin e Silën dhe i tërhoqën zvarrë në shesh përpara parisë së qytetit. 20Kur i sollën para gjykatësve, thanë: «Këta njerëz po na bëjnë rrëmujë në qytet. Janë judenj 21e po predikojnë doke që ne romakëve nuk na lejohet t'i mbajmë e t'i zbatojmë».
22Atëherë turma u ngrit kundër tyre dhe gjykatësit urdhëruan që t'u shqyenin rrobat e t'i rrihnin me shkopinj. 23Si i rrahën mirë e mirë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën e burgut t'i ruante me kujdes. 24Ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri.
25Rreth mesnatës Pali e Sila po luteshin e po i këndonin himne Perëndisë, ndërsa të burgosurit i dëgjonin. 26Papritur ra një tërmet aq i fuqishëm, saqë u drodhën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën menjëherë dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.
27Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e deshi të vriste veten, sepse mendoi se të burgosurit kishin ikur. 28Por Pali thirri me zë të lartë: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu». 29Roja i burgut kërkoi dritë, hyri brenda me vrap duke u dridhur dhe ra përmbys para Palit e Silës. 30Pastaj i nxori jashtë e tha: «Zotërinj, ç'duhet të bëj, që të shpëtohem?». 31Ata iu thanë: «Beso në Zotin Jezu e do të shpëtohesh ti dhe ata të shtëpisë sate». 32Ata i predikuan fjalën e Zotit atij e të gjithëve atyre që ishin në shtëpinë e tij.
33Po në atë orë të natës roja i mori e u lau plagët. Pastaj, pa u vonuar, u pagëzuan ai dhe tërë ata të shtëpisë së tij. 34Ai i mori Palin e Silën në shtëpinë e tij, u shtroi për të ngrënë dhe u gëzua shumë bashkë me ata të shtëpisë së vet që kishin besuar në Perëndinë.
35Kur erdhi mëngjesi, gjykatësit dërguan rojat për t'i thënë: «Liroji ata njerëz». 36Roja i burgut e lajmëroi Palin e i tha: «Gjykatësit kanë çuar fjalë t'ju lirojmë, prandaj dilni e shkoni në paqe». 37Por Pali u përgjigj: «Ata na kanë rrahur para të gjithëve pa na dënuar me gjyq ne, që jemi qytetarë romakë, e na kanë futur në burg. Tani dashkan të na nxjerrin nga burgu fshehurazi? Jo! Le të vijnë e të na nxjerrin ata vetë».
38Rojat ua çuan këto fjalë gjykatësve, të cilët i zuri frika kur dëgjuan se ishin qytetarë romakë. 39Atëherë erdhën e u kërkuan falje. Pastaj i nxorën nga burgu dhe u kërkuan që të largoheshin nga qyteti. 40Pasi dolën nga burgu, Pali e Sila shkuan në shtëpinë e Lidisë. Aty u dhanë zemër vëllezërve dhe u nisën.

Currently Selected:

Veprat 16: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy