2 Samuelit 9
9
Biri i Jonatanit
1Davidi tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që të tregohem i mirë me të për hir të Jonatanit?». 2Shtëpia e Saulit kishte një shërbëtor që quhej Ciba. Atë e thirrën te Davidi dhe ai e pyeti: «A je ti Cibai?». Ai iu përgjigj: «Unë jam, shërbëtori yt!». 3Mbreti i tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që t'i tregoj mirësinë e Perëndisë». Cibai i tha mbretit: «Ka mbetur biri i Jonatanit, i çali». 4Mbreti e pyeti: «E ku është?». Cibai i tha mbretit: «Ja, në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar». 5Atëherë mbreti David dërgoi njerëz për ta marrë prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar. 6Mefibosheti, biri i Jonatanit, të birit të Saulit, erdhi te Davidi dhe ra përdhe për ta nderuar. Davidi i tha: «Mefiboshet!». Ai iu përgjigj: «Ja shërbëtori yt!». 7Davidi i tha: «Mos ki frikë, se do të tregohem i mirë me ty për hir të atit tënd, Jonatanit. Do të t'i kthej të gjitha tokat e Saulit, atit tënd, dhe ti do të hash përherë në tryezën time». 8Ai u përkul me nderim e i tha: «Çfarë është shërbëtori yt, që t'i hedhësh sytë një qeni të ngordhur si ai?».
9Pastaj mbreti thirri Cibain, djaloshin që i shërbente Saulit, e i tha: «Gjithçka i përkiste Saulit dhe shtëpisë së tij do t'ia jap shtëpisë së zotërisë tënd. 10Ti, bijtë e shërbëtorët e tu do të punoni tokën e tij, që bijtë e zotërisë tënd të kenë bukë për të ngrënë, ndërsa Mefibosheti do të hajë përherë në tryezën time». Cibai kishte pesëmbëdhjetë djem dhe njëzet shërbëtorë. 11Cibai i tha mbretit: «Shërbëtori yt do të kryejë gjithçka urdhëroi imzot, mbreti». Kështu, Mefibosheti hëngri në tryezën e Davidit sikur të ishte njëri prej bijve të mbretit. 12Mefibosheti kishte një djalë të vogël që quhej Mika. Të gjithë anëtarët e familjes së Cibait i shërbyen Mefiboshetit. 13Mefibosheti banoi në Jerusalem, sepse hante përherë në tryezën e mbretit. Ai ishte i çalë nga të dyja këmbët.
Currently Selected:
2 Samuelit 9: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020