YouVersion Logo
Search Icon

2 Samuelit 5

5
Davidi vajoset mbret i Izraelit
1Të gjitha fiset e Izraelit shkuan te Davidi në Hebron e i thanë: «Ja, ne jemi kocka jote dhe mishi yt. 2Edhe në të shkuarën, kur Sauli ishte mbret mbi ne, ti i prije Izraelit. Zoti të tha: “Ti do ta kullotësh popullin tim, Izraelin, e ti do të jesh udhëheqësi i Izraelit”». 3Atëherë të gjithë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David bëri besëlidhje me ta në Hebron, para Zotit. Ata e vajosën Davidin mbret mbi Izraelin. 4Davidi ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi dyzet vjet. 5Ai mbretëroi në Hebron, mbi Judën, për shtatë vjet dhe në Jerusalem, mbi mbarë Izraelin dhe Judën, për tridhjetë e tri vjet.
Pushtimi i Jerusalemit
6Mbreti shkoi me njerëzit e tij në Jerusalem të sulmonte jebusitët, banorët e vendit. Ata i thanë: «Nuk ke për të hyrë, se edhe të verbrit e të çalët do të të zmbrapsin!». Ata mendonin se Davidi nuk mund të hynte dot. 7Por Davidi e pushtoi fortesën e Sionit që u quajt Qyteti i Davidit. 8Atë ditë Davidi tha: «Kush sulmon jebusitët të dalë te hullia e kroit e të godasë të çalë e të verbër që Davidi i urren me shpirt». Prandaj thuhet: «I verbri dhe i çali nuk do të hyjnë në tempull». 9Davidi u vendos në këtë fortesë, prandaj u quajt Qyteti i Davidit. Ai e rindërtoi qytetin përreth, nga Miloja e më tej përbrenda. 10Davidi bëhej gjithnjë e më i fuqishëm dhe Perëndia i ushtrive ishte me të.
11Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, marangozë e muratorë. Dhe ata ndërtuan një shtëpi për Davidin. 12Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit.
13Davidi mori të tjera gra e shemra në Jerusalem, pas kthimit nga Hebroni, dhe lindi bij e bija të tjera. 14Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni, 15Ibhari, Elishuai, Nefegu, Jafiai, 16Elishamai, Eliadai dhe Elifeleti.
Fitorja kundër filistinëve
17Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi Izrael, të gjithë shkuan për ta kërkuar. Davidi e mori vesh e shkoi në fortesë. 18Filistinët mbërritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit. 19Davidi u këshillua me Zotin e tha: «A të dal kundër filistinëve? A do të m'i lësh në dorë?». Zoti iu përgjigj Davidit: «Dil, e do të t'i lë në dorë». 20Davidi u ngjit në Baal Peracim dhe i mundi aty. Atëherë Davidi tha: «Zoti i çau armiqtë e mi siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim. 21Filistinët i lanë aty idhujt e tyre dhe ato i morën Davidi dhe njerëzit e tij.
22Filistinët sulmuan edhe një herë dhe u përhapën në luginën e Refaimit. 23Davidi u këshillua sërish me Zotin dhe ai i tha: «Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi. 24Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores, në majë të Bekaimit, hidhu në sulm, sepse Zoti ka dalë para teje për ta goditur fushimin e filistinëve». 25Davidi bëri siç e urdhëroi Zoti dhe i shpartalloi filistinët nga Geba gjer sa del në Gezer.

Currently Selected:

2 Samuelit 5: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in