YouVersion Logo
Search Icon

2 Samuelit 20

20
Kryengritja e Shebait
1Në Gilgal ndodhej një njeri i lig që quhej Sheba. Ai ishte biri i Bikriut dhe ishte benjaminas. Ai i ra borisë e tha:
«Nuk kemi pjesë me Davidin
e as trashëgimi me të birin e Jeseut.
Secili në tendën e vet, o Izrael!».
2Atëherë të gjithë izraelitët e lanë Davidin dhe shkuan pas Shebait, birit të Bikriut, ndërsa bijtë e Judës qëndruan me mbretin e tyre, nga Jordani deri në Jerusalem.
3Kur mbërriti në shtëpinë e tij në Jerusalem, mbreti i mori dhjetë shemrat që i kishte lënë për t'i ruajtur shtëpinë dhe i mbylli në një shtëpi me roja. U kujdes për to, por nuk shkoi më me to. Ato mbetën të mbyllura derisa vdiqën e jetuan si të ishin vejusha.
4Mbreti i tha Amasait: «Thirr burrat e Judës të vijnë tek unë brenda tri ditësh dhe rri këtu edhe ti». 5Amasai u nis për të thirrur burrat e Judës, por u vonua përtej kohës që i ishte caktuar. 6Atëherë Davidi i tha Abishait: «Tani, Shebai, biri i Bikriut, ka për të na e bërë më zi se Absalomi. Merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe para se të strehohet në qytetet e fortifikuara dhe të na ikë nga duart». 7Bashkë me Abishain u nisën burrat e Joabit, keretitët, peletitët dhe të gjithë luftëtarët. Ata dolën nga Jerusalemi për të ndjekur Shebain, birin e Bikriut. 8Kur arritën te Guri i Madh në Gibeon, u doli përpara Amasai. Joabi ishte veshur për luftë dhe në ijë kishte ngjeshur brezin dhe shpatën në mill. Teksa bëri përpara, shpata i ra. 9Joabi i tha Amasait: «Si të kam, o vëlla?» dhe e kapi për mjekre me dorën e djathtë për ta përqafuar. 10Amasai nuk e vuri re shpatën që Joabi mbante në dorë. Joabi ia nguli në bark dhe ia derdhi zorrët përtokë. Nuk e goditi për herë të dytë, se Amasai kishte vdekur. Mandej Joabi dhe Abishai, i vëllai, vijuan të ndiqnin Shebain, birin e Bikriut.
11Atëherë njëri nga djelmoshat e Joabit u ndal pranë kufomës dhe tha: «Kush do Joabin dhe kush është për Davidin, le të shkojë pas Joabit!». 12Amasai dergjej i larë në gjak në mes të rrugës. Kur djaloshi vuri re se mbarë populli ndalej për ta parë, e largoi Amasain prej rrugës dhe e çoi në një arë. I hodhi përsipër një rrobë, sepse pa se të gjithë ata që kalonin pranë tij, ndaleshin. 13Pasi e larguan kufomën nga rruga, shkuan të gjithë pas Joabit për të ndjekur Shebain, birin e Bikriut.
14Shebai kishte kaluar nëpër mbarë fiset e Izraelit deri në Abel Bet Makah. Atij iu bashkuan edhe të gjithë beritët dhe i shkuan pas. 15Luftëtarët e Joabit e rrethuan Shebain në Abel Bet Makah. Ngritën një ledh kundër qytetit në lartësinë e mureve dhe të gjithë sa ishin me Joabin përpiqeshin të rrënonin muret e tij. 16Atëherë një grua e urtë thirri prej qytetit: «Dëgjoni, dëgjoni! Ju lutem, thuajini Joabit të afrohet këtu, që të flas me të». 17Joabi u afrua dhe gruaja e pyeti: «A je ti Joabi?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». Gruaja i tha: «Dëgjo fjalët e shërbëtores sate». Joabi i tha: «Po dëgjoj». 18Ajo tha: «Dikur thoshin: “Shko në Abel të pyesësh për këshillë” dhe kështu zgjidhej çështja. 19Unë jam për paqen e besnikëve të Izraelit#20.19 të tjerë: Jemi në një nga qytetet më paqësore e më besnike të Izraelit. Ti po kërkon të shkatërrosh një nga qytetet më të rëndësishme të Izraelit. Përse kërkon të gllabërosh trashëgiminë e Zotit?». 20Joabi iu përgjigj: «Larg qoftë! Larg qoftë prej meje, që ta gllabëroj dhe ta shkatërroj. 21Punët nuk janë ashtu. Është një njeri prej krahinës malore të Efraimit, Shebai, biri i Bikriut. Ai ka ngritur dorë kundër mbretit, kundër Davidit. Dorëzoni vetëm atë dhe unë do të largohem nga qyteti». Gruaja i tha: «Ja, kokën e tij do të ta hedhin nga muret». 22Gruaja shkoi te mbarë populli dhe i foli me urti. Atëherë ata ia prenë kokën Shebait, birit të Bikriut, dhe ia hodhën Joabit. Joabi i ra borisë. Ata u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në tendën e vet. Joabi u kthye në Jerusalem te mbreti.
23Joabi ishte në krye të mbarë ushtrisë së Izraelit, ndërsa Benajahu, biri i Jehojadait, ishte në krye të keretitëve dhe peletitëve. 24Adorami ishte mbikëqyrësi i punës së detyruar, ndërsa Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresar. 25Shevai ishte shkruesi, ndërsa Cadoku dhe Abiatari ishin priftërinj. 26Ira Jairiti ishte prifti i Davidit.

Currently Selected:

2 Samuelit 20: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in