YouVersion Logo
Search Icon

2 Samuelit 2

2
Davidi shpallet mbret i Judës
1Pas kësaj Davidi pyeti Zotin: «A të shkoj te ndonjë qytet i Judës?». Zoti i tha: «Shko!». Davidi e pyeti: «Në cilin qytet?». Ai i tha: «Në Hebron». 2Davidi shkoi atje bashkë me dy gratë e tij, Ahinoamën, izreliten, dhe Abigajlën, ish gruan e Nabal Karmelitit. 3Davidi mori me vete edhe njerëzit e tij, secilin me familjen e vet, dhe banuan në qytetin e Hebronit. 4Atëherë burrat e Judës erdhën dhe e vajosën Davidin mbret mbi shtëpinë e Judës. Kur e njoftuan Davidin se Saulin e kishin varrosur njerëzit e Jabesh Gileadit, 5ai dërgoi lajmëtarë te njerëzit e Jabesh Gileadit e u tha: «Zoti ju bekoftë, se u treguat besnikë ndaj Saulit, zotërisë tuaj, dhe e varrosët. 6Zoti qoftë i dashur dhe besnik me ju! Edhe unë do të tregohem i mirë me ju për çfarë bëtë. 7Tani merrni zemër e bëhuni të fortë, se Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më vajosi mua mbret të tyre».
Ishbosheti shpallet mbret i Izraelit
8Ndërkohë Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, mori Ishboshetin, të birin e Saulit, e solli në Mahanaim 9dhe e vajosi mbret mbi Gileadin, Asherin, Izrelin, Efraimin, Benjaminin dhe mbi tërë Izraelin. 10Ishbosheti, biri i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të sundonte mbi Izrael. Ai mbretëroi dy vjet. Vetëm shtëpia e Judës ndiqte Davidin. 11Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës shtatë vjet e gjashtë muaj.
Beteja e Gibeonit
12Abneri, biri i Nerit, dhe shërbëtorët e Ishboshetit, birit të Saulit, dolën nga Mahanaimi për në Gibeon. 13Doli edhe Joabi, biri i Cerujahut, bashkë me shërbëtorët e Davidit, dhe u ndeshën te pellgu i Gibeonit. Njëra palë qëndroi në njërën anë të pellgut dhe tjetra matanë. 14Atëherë Abneri i tha Joabit: «Të çohen djelmoshat e të luftojnë para nesh». Joabi i tha: «Po, të çohen!». 15U çuan dymbëdhjetë djelmosha prej Benjaminit dhe Ishboshetit, birit të Saulit, dhe dymbëdhjetë prej shërbëtorëve të Davidit. 16Secili e kapi kundërshtarin prej koke dhe i nguli shpatën në ijë. Vdiqën të gjithë njëherësh, prandaj dhe ai vend në Gibeon quhet Helkat Hacurim. 17Pastaj filloi një betejë shumë e ashpër. Abneri dhe izraelitët u shpartalluan prej shërbëtorëve të Davidit.
18Aty ishin tre bijtë e Cerujahut, Joabi, Abishai dhe Asaheli. Asaheli ishte këmbëshpejtë si sorkadhja. 19Ai iu vërsul Abnerit dhe e ndoqi pa u shmangur as majtas, as djathtas. 20Abneri kthehu kokën e i tha: «Ti je, o Asahel?». Ai iu përgjigj: «Unë jam!». 21Abneri tha: «Kthehu majtas ose djathtas, kap ndonjë djalosh dhe plaçkite». Por Asaheli nuk donte të hiqte dorë. 22Atëherë Abneri i tha sërish: «Kthehu e mos më ndiq, se do të të hedh përtokë e pastaj nuk do ta shoh dot në sy vëllanë tënd, Joabin». 23Por ai nuk pranoi të kthehej. Atëherë Abneri e qëlloi në bark me bishtin e heshtës dhe ajo e shpoi tejpërtej. Asaheli ra e vdiq në atë vend. Kushdo që kalonte nga vendi ku vdiq Asaheli, ndalej.
24Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin. Dielli po perëndonte kur ata arritën te kodra e Amahut, kundruall Giahut, udhës për në shkretëtirën e Gibeonit. 25Benjaminasit u mblodhën si çetë rreth Abnerit dhe zunë vend majë një kodre. 26Atëherë Abneri i thirri Joabit: «Përjetë do të hajë shpata? A s'e sheh se fundi është i hidhur? Deri kur do t'i urdhërosh njerëzit të përndjekin vëllezërit e vet?». 27Joabi iu përgjigj: «Pasha Perëndinë, po të mos kishe folur, vëllai do të kishte ndjekur vëllanë deri në të gdhirë». 28Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë populli u ndal. Ata nuk e ndoqën Izraelin dhe nuk pati më luftë mes tyre.
29Abneri me njerëzit e tij udhëtuan tërë natën për në Arabah, kaluan Jordanin për në Bitron dhe mbërritën në Mahanaim. 30Joabi nuk e ndoqi më Abnerin. Kur u mblodh populli, panë se mungonin Asaheli dhe nëntëmbëdhjetë shërbëtorë të Davidit. 31Shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë benjaminas prej njerëzve të Abnerit. 32Asahelin e morën dhe e varrosën te varri i të atit në Betlehem. Joabi dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë natën dhe në agim mbërritën në Hebron.

Currently Selected:

2 Samuelit 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in