YouVersion Logo
Search Icon

2 Makabenjve 15

15
Juda dhe Nikanori
1Kur Nikanori mori vesh se Juda e njerëzit e tij ndodheshin në krahinat e Samarisë, vendosi t'i sulmonte ditën e pushimit, në siguri të plotë. 2Judenjtë ishin detyruar të ndiqnin ushtrinë e tij, por i thanë: «Mos i shkatërro kaq egër e barbarisht, por nderoje ditën që e nderoi dhe e shenjtëroi mbi çdo ditë tjetër ai që shikon gjithçka». 3Keqbërësi i trefishtë pyeti a kishte ndonjë sundimtar në qiell që ka urdhëruar të ruhet dita e shtunë. 4Kur ata iu përgjigjën: «Është Zoti i gjallë, sundimtari i qiellit, ai që ka urdhëruar të mbajmë të shtunën», 5Nikanori tha: «Edhe unë jam sundimtar mbi tokë, jam ai që ju urdhëron të merrni armët e të kryeni çfarë kërkon mbreti». Megjithatë nuk e kreu dot synimin e tij të neveritshëm. 6Krenar e kryelartë, Nikanori vendosi të ndërtonte një përmendore për fitoren kundër Judës e të tijve. 7Por Makabeu nuk reshti së besuari me gjithë forcën e tij se do të merrte ndihmë prej Zotit, 8prandaj i nxiti njerëzit e vet të mos trembeshin nga sulmi i kombeve, por të mbanin mend ndihmën që kishin marrë prej qiellit më parë dhe të shpresonin në fitoren që do t'u jepte i gjithëpushtetshmi. 9U dha zemër me ligjin e profetët, u kujtoi betejat që kishin fituar dhe i përgatiti për betejë. 10Pasi ua përflaku ndjenjat, i njoftoi edhe se kombeve nuk u zihej besë dhe se nuk i mbanin premtimet. 11Çdonjërin prej tyre e armatosi jo aq me mburoja e ushtarë, por më shumë me fjalë të mira që u jepnin guxim, duke u treguar një ëndërr që i gëzoi të gjithë. 12Kjo është ajo që pa: Onia, kryeprifti i dikurshëm, burrë i mirë e i ndershëm, i thjeshtë me njerëzit, i butë në sjellje e i këndshëm në bisedë, i mësuar me çdo virtyt që në fëmijëri, me duart ngritur lart, lutej për të gjithë popullin e judenjve. 13Aty iu shfaq edhe një burrë tjetër, me pamje plaku të nderuar, madhështor dhe epëror. 14Onia tha: «Ky njeri e do shtëpinë e Izraelit e lutet shumë për popullin e për qytetin e shenjtë. Është Jeremia, profeti i Zotit». 15Jeremia zgjati dorën e djathtë, i dha Judës një shpatë të artë e tha: 16«Merre shpatën e shenjtë, dhuratë nga Perëndia. Me këtë do t'i mundësh kundërshtarët».
17Të përtërirë nga fjalët e Judës, të dobishme dhe të afta për t'u dhënë zemër e për t'i ndezur shpirtrat e të rinjve, vendosën të mos e ngrinin fushimin, por të sulmonin trimërisht e ta mbyllnin çështjen me përleshje trup më trup, se qyteti, shenjtërorja e tempulli ishin në rrezik. 18Nuk shqetësoheshin për gratë e fëmijët, për vëllezërit e të afërmit, por kishin frikë vetëm për shenjtërinë e tempullit. 19Edhe ata që ndodheshin në qytet nuk ishin më pak në ankth, se beteja do të zhvillohej në fushë të hapur. 20Kur të gjithë po prisnin vendimin e betejës dhe armiku ishte rreshtuar gati për betejë, kur bishat dhe kalorësia ishin vendosur në vendet e tyre, 21Makabeu e kuptoi fuqinë e madhe të armikut, numrin e llojin e madh të armëve dhe egërsinë e bishave, prandaj ngriti duart drejt qiellit e thirri Zotin që bën mrekulli, sepse e dinte se fitoren nuk e vendosin armët, por ai ua jep kujt ta gjykojë ai. 22E thirri me këto fjalë e tha: «Ti, o Zot, në kohën e Ezekisë, mbretit të Judesë, dërgove engjëllin tënd dhe ai vrau njëqind e tetëdhjetë mijë vetë nga ushtria e Sankeribit. 23Edhe tani, o sundues i qiejve, dërgo engjëllin e mirë para nesh, që të përhapë frikë e tmerr. 24Me krahun tënd të fuqishëm goditi blasfemuesit, që i sillen tempullit tënd të shenjtë». Kështu u mbyll lutja e tij.
25Nikanori me të vetët u lëshuan me bori e tinguj lufte. 26Juda me të vetët u ndeshën me armikun duke u lutur e duke i thirrur Perëndisë. 27Kur po përlesheshin me duar e duke iu lutur Perëndisë me zemër, rrëzuan përdhe jo më pak se tridhjetë e pesë mijë burra. Shfaqja e Perëndisë i gëzoi shumë. 28Pasi mbaroi beteja e po ktheheshin të gëzuar, njohën mes të vrarëve Nikanorin, veshur me parzmore. 29Atëherë e bekuan të gjithëpushtetshmin me thirrje e klithma në gjuhën e etërve. 30Juda, që gjithmonë hidhej i pari në betejë me mish e me shpirt, ai që e ruante dashurinë për kombin e vet që prej rinisë, urdhëroi t'i prisnin kokën e dorën e djathtë Nikanorit e t'i çonin në Jerusalem. 31Kur mbërriti atje, thirri të gjithë bashkëkombësit e priftërinjtë përpara altarit dhe kërkoi të thirreshin edhe ata që ndodheshin në fortesë. 32U tregoi kokën e Nikanorit të ndyrë e fatkeq dhe dorën, që ai e kishte shtrirë me krenari kundër banesës së të gjithëpushtetshmit. 33Ia preu gjuhën Nikanorit dhe tha se do t'ua hidhte shpendëve ta hanin, ndërsa shenjat e marrëzisë së tij do të vareshin kundruall tempullit. 34Të gjithë, me sytë nga qielli, bekonin Zotin që ishte shfaqur e thoshin: «Bekuar qoftë ai që e ruajti vendin e vet të papërlyer!». 35Juda e vari kokën e prerë të Nikanorit në muret e fortesës, si shenjë e dukshme dhe e qartë e ndihmës së Zotit. 36Me miratim të përbashkët u vendos që kjo ditë të mos harrohej, por të mbahej çdo datë trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, të atij që në gjuhën siriane quhet Adar, një ditë përpara ditës së Mordakait.
Përfundim
37Kështu rrodhën ngjarjet e Nikanorit. Që prej asaj dite qyteti u mbeti hebrenjve. Këtu përfundon edhe rrëfimi im. 38Nëse rrëfimi është treguar mirë e saktë, këtë dëshiroja. Nëse është i vobektë e mesatar, kaq munda të bëja. 39Sikurse është e dëmshme të pish vetëm verë, ose vetëm ujë, por, kur përzihet vera me ujin, pija bëhet e këndshme dhe e shijshme, po ashtu edhe rrëfimi i thurur bukur i gëzon veshët e atyre që e lexojnë. Le të jetë ky përfundimi.

Currently Selected:

2 Makabenjve 15: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in