YouVersion Logo
Search Icon

2 Korintasve 12

12
Vegimet dhe zbulesat e Palit
1Megjithëse nuk është mirë të krenohem, duhet ta bëj dhe prandaj do t'ju flas për vegimet dhe zbulesat që më ka dhënë Zoti. 2Njoh një njeri, që beson në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh u mor në qiellin e tretë, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di. 3Di edhe se ky njeri, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di, 4u mor në parajsë dhe dëgjoi fjalë të pashprehshme dhe që nuk mund t'i thotë asnjeri. 5Me këtë njeri do të krenohem e jo me veten time. Unë do të krenohem vetëm me dobësitë e mia.
6Edhe po të dëshiroja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha të vërtetën. Por nuk po e bëj këtë, që askush të mos më vlerësojë më tepër nga ç'dukem e nga ç'them, 7edhe pse zbulesat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, që të mos mbahem me të madh, m'u dha një gjemb në trup, një engjëll i Satanit, që të më torturonte për të mos m'u rritur mendja.
8Tri herë iu luta Zotit të më çlironte nga kjo torturë, 9por ai m'u përgjigj: «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde». Prandaj do të krenohem edhe më shumë me dobësitë e mia, që të banojë tek unë fuqia e Krishtit. 10Prandaj gëzohem, edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
Shqetësimi për kishën në Korint
11U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt. 12Unë jam apostull i vërtetë dhe këtë e tregojnë mrekullitë, shenjat dhe veprat e fuqishme që kam kryer para jush me shumë durim. 13Në çfarë gjëje u latë pas kishave të tjera? Mos ndoshta ngaqë unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi.
14Ja, jam gati të vij te ju për të tretën herë e nuk do t'ju bëhem barrë, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju kërkoj ju. Nuk janë fëmijët ata që duhet të mbledhin thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët. 15Me gëzim të madh do të shpenzoj e do të shpenzohem krejtësisht për ju. Megjithëse unë ju dua më shumë, ju më doni më pak. 16Unë nuk ju jam bërë barrë, por e zëmë se unë paskam qenë dinak e ju paskam mashtruar me dredhi. 17A mos ju kam shfrytëzuar me anë të atyre që kam dërguar te ju? 18Iu luta Titit që të vinte dhe dërgova me të edhe vëllanë që ju e njihni. Titi nuk ju ka shfrytëzuar, apo jo? A nuk jemi sjellë edhe ne në të njëjtin shpirt? A nuk kemi ecur në të njëjtat gjurmë?
19A mos keni menduar deri tani se po përpiqemi të mbrojmë veten para jush? Ne flasim para Perëndisë, të mbështetur në Krishtin dhe gjithçka që bëjmë, fort të dashur, është për rritjen tuaj.
20Kam frikë se, kur të vij, nuk do t'ju gjej siç dëshiroj e nuk do të më gjeni siç dëshironi. Kam frikë se mes jush do të gjej grindje, smirë, zemërime, sedër të sëmurë, thashetheme, murmuritje, mendjemadhësi e rrëmujë. 21Kam frikë se kur të vij përsëri, Perëndia im do të më përulë para jush e se do të mbaj zi për shumë veta që kanë mëkatuar dikur e nuk janë penduar për ndyrësinë, kurvërinë e fëlligështinë e tyre.

Currently Selected:

2 Korintasve 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in