YouVersion Logo
Search Icon

2 Kronikave 29

29
Mbretërimi i Ezekisë në Judë
1Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëzet e nëntë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Abija dhe ishte e bija e Zakarisë. 2Ezekia bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, paraardhësi i tij.
3Në muajin e parë të vitit të parë të mbretërimit të tij, Ezekia hapi dyert e tempullit të Zotit dhe i ndreqi. 4Mandej thirri priftërinjtë dhe levitët, i mblodhi në sheshin e Lindjes 5e u tha: «Më dëgjoni, o levitë! Shenjtëroni veten dhe shenjtëroni tempullin e Zotit, Perëndisë së etërve tuaj. Nxirrni nga ky vend i shenjtë çdo send të papastër. 6Etërit tanë kanë bërë paudhësi dhe çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë tonë. E braktisën, u larguan nga tenda e Zotit e i kthyen shpinën. 7Për më tepër, i mbyllën dyert, i fikën llambat dhe nuk kushtuan as temjan e as fli shkrumbimi në shenjtëroren e Perëndisë së Izraelit. 8Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Judës e Jerusalemit dhe i bëri shembull tmerri, çudie dhe përçmimi, siç e shihni me sytë tuaj. 9E ja, etërit tanë vdiqën nga shpata, ndërsa bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë tretur në robëri. 10Tani e kam për zemër të bëj besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, që të largojë prej nesh zemërimin e tij të flaktë. 11Bijtë e mi, mos u tregoni të shkujdesur, sepse Zoti ju ka zgjedhur të qëndroni para tij, t'i shërbeni e t'i kushtoni temjan».
12Atëherë u ngritën këta levitë: Mahati, biri i Amasait, dhe Joeli, biri i Azarjahut, nga pasardhësit e kohatitëve; Kishi, biri i Abdiut, dhe Azarjahu, biri i Jehalelelit, nga pasardhësit e meraritëve; Joahu, biri i Zimahut, dhe Edeni, biri i Joahut, nga pasardhësit e gershonitëve; 13Shimriu e Jejeli nga pasardhësit e Elicafanit; Zakaria e Matanjahu nga pasardhësit e Asafit; 14Jehieli e Shimei nga pasardhësit e Hemanit; dhe Shemajahu e Uzieli, nga pasardhësit e Jedutunit. 15Ata mblodhën vëllezërit e tyre, u shenjtëruan dhe shkuan në tempullin e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit dhe fjalës së Zotit. 16Në tempullin e Zotit hynë për të pastruar edhe priftërinjtë. Ata nxorën prej tempullit të Zotit të gjitha sendet e papastra që gjetën atje dhe i grumbulluan në tremen e tempullit të Zotit. Pastaj levitët i morën dhe i çuan në vaun e Kidronit. 17Ata filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit të parë dhe në ditën e tetë hynë në tremen e tempullit të Zotit. Tempullin e Zotit e shenjtëruan për tetë ditë dhe përfunduan në ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë. 18Mandej shkuan te mbreti Ezeki e i thanë: «E pastruam të gjithë tempullin e Zotit, altarin e flive të shkrumbimit me të gjitha pajisjet e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me të gjitha pajisjet e saj. 19Pastruam edhe të gjitha pajisjet që kishte përdhosur mbreti Ahaz gjatë mbretërimit të tij, duke bërë paudhësi, i shenjtëruam dhe ja, tani gjenden para altarit të Zotit».
20Ezekia u ngrit herët në mëngjes, mblodhi parinë e qytetit dhe shkoi në tempullin e Zotit. 21Ata sollën shtatë mëzetër, shtatë desh, shtatë qengja e shtatë cjep, që t'i kushtonin si fli për mëkatet e mbretërisë, për shenjtëroren dhe për popullin e Judës. Atëherë mbreti u tha priftërinjve, pasardhësve të Aronit, që t'i kushtonin mbi altarin e Zotit. 22Priftërinjtë therën mëzetërit dhe me gjakun e tyre spërkatën altarin. Po ashtu therën deshtë dhe me gjakun e tyre spërkatën sërish altarin dhe mandej therën edhe qengjat, duke e spërkatur altarin edhe me gjakun e tyre. 23Pastaj i paraqitën mbretit dhe kuvendit cjeptë, që do të kushtoheshin si fli për mëkatet, dhe ata vunë duart mbi cjeptë. 24Priftërinjtë i therën cjeptë dhe gjakun e tyre e kushtuan mbi altar si fli për mëkatet dhe për shpengimin e mbarë Izraelit, sepse mbreti kishte urdhëruar të kushtohej fli shkrumbimi dhe fli për mëkatet e mbarë Izraelit.
25Mbreti kishte caktuar edhe levitët në tempullin e Zotit, me cimbale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhërimeve të Davidit, të Gadit, vegimtarit të mbretit, dhe profetit Natan, sepse urdhri kishte ardhur prej Zotit përmes profetëve. 26Levitët zunë vend me veglat muzikore të Davidit, ndërsa priftërinjtë me boritë. 27Atëherë Ezekia dha urdhër të kushtohej flija e shkrumbimit mbi altar. Teksa kushtohej flija e shkrumbimit, filluan t'i këndonin himne Zotit, t'u binin borive dhe veglave muzikore të Davidit, mbretit të Izraelit. 28Mbarë kuvendi u përkul për të adhuruar, ndërkohë që këndoheshin himnet dhe binin boritë, derisa u krye kushtimi i flisë së shkrumbimit. 29Kur mbaroi kushtimi i flisë së shkrumbimit, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të, u përkulën me fytyrë përtokë për të adhuruar. 30Mbreti Ezeki dhe prijësit u kërkuan levitëve ta përlëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe Asafit, vegimtarit. E përlëvduan Zotin tërë hare dhe u përkulën për ta adhuruar.
31Pastaj e mori fjalën Ezekia e tha: «Tani që jeni shenjtëruar për Zotin, afrohuni e sillni kushtimet bashkë me flitë e falënderimit në tempullin e Zotit». Kuvendi solli kushtimet dhe flitë e falënderimit dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën fli shkrumbimi. 32Numri i flive të shkrumbimit që solli kuvendi ishte shtatëdhjetë mëzetër, njëqind desh dhe dyqind qengja. Ti gjitha u kushtuan si fli shkrumbimi për Zotin. 33U kushtuan edhe gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele. 34Meqenëse priftërinjtë ishin të paktë në numër dhe nuk mund t'i rripnin të gjitha flitë e shkrumbimit, u erdhën në ndihmë levitët, të afërmit e tyre, derisa u krye puna e derisa të shenjtëroheshin priftërinj të tjerë, sepse levitët ishin më të zellshëm për t'u shenjtëruar sesa priftërinjtë. 35Për më tepër, veç flive të shkrumbimit, i shumtë ishte edhe dhjami i flive të paqtimit dhe i flive të stërpikjes për flitë e shkrumbimit. Kështu, u kryen sërish shërbesat në tempullin e Zotit. 36Ezekia e mbarë populli u gëzuan me gjithçka që Perëndia kishte bërë për ta, sepse të gjitha gjërat u bënë pa vonesa.

Currently Selected:

2 Kronikave 29: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in