2 Kronikave 24
24
Mbretërimi i Joashit në Judë
1Joashi ishte shtatë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për dyzet vjet në Jerusalem. E ëma quhej Cibia dhe ishte nga Bersheba. 2Joashi bëri çka është mirë në sytë e Zotit për sa qe gjallë prifti Jehojada. 3Jehojadai e martoi me dy gra dhe Joashit i lindën djem e vajza.
4Pas ca kohe, Joashi vendosi të rindërtonte tempullin e Zotit. 5Ai mblodhi priftërinjtë dhe levitët e u tha: «Shkoni nëpër qytetet e Judës dhe mblidhni çdo vit para nga të gjithë izraelitët për rindërtimin e tempullit të Perëndisë suaj. Bëjeni shpejt këtë punë». Por levitët i zvarritën punët. 6Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada e i tha: «Përse nuk je kujdesur që levitët të mbledhin nga banorët e Judës dhe të Jerusalemit tagrin që caktuan Moisiu, shërbëtori i Zotit, dhe bashkësia e Izraelit, për tendën e dëshmisë? 7Atalia, ajo grua e pabesë, dhe bijtë e saj e plaçkitën tempullin e Perëndisë dhe, për më tepër, i përdorën sendet e kushtuara të tempullit të Zotit për adhurimin e Baalit».
8Mbreti dha urdhër të bënin një arkë e ta vendosnin jashtë portës së tempullit të Zotit. 9Pastaj nxorën shpallje në Judë dhe në Jerusalem për t'i sjellë Zotit tagrin që Moisiu, shërbëtori i Perëndisë i kishte caktuar Izraelit në shkretëtirë. 10Prijësit e mbarë populli vinin me gëzim e hidhnin para, derisa mbushej arka. 11Levitët e çonin arkën te nëpunësi i mbretit, sapo shihnin se ishte mbushur me para. Atëherë vinte shkruesi i mbretit dhe nëpunësi i kryepriftit, të cilët e zbraznin arkën. Mandej levitët e merrnin arkën dhe e kthenin në vendin e vet. Këtë ata e bënin përditë dhe kështu grumbulluan shumë para. 12Mbreti dhe Jehojadai ia jepnin paratë atyre që mbikëqyrnin punimet në tempullin e Zotit dhe ata paguanin gurgdhendësit, mjeshtrat, që merreshin me rindërtimin e tempullit të Zotit, dhe farkëtarët e hekurit dhe të bronzit, për të ndrequr tempullin e Zotit. 13Mbikëqyrësit e punimeve e bënë mirë punën dhe rindërtimi shkoi mirë nën mbikëqyrjen e tyre. Ata e rindërtuan tempullin e Perëndisë siç ishte më parë dhe e bënë edhe më të fortë. 14Kur mbaruan, i sollën mbretit dhe priftit Jehojada paratë e mbetura, me të cilat punuan pajisje të ndryshme për tempullin e Zotit, sende për adhurimin, për kushtimin e flive të shkrumbimit, kupa dhe enë të tjera prej ari dhe argjendi. Në tempullin e Zotit u kushtuan rregullisht flitë e shkrumbimit sa qe gjallë Jehojadai.
15Jehojadai vdiq në moshë të madhe dhe i ngopur me ditë. Ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq. 16E varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse ai bëri në Izrael çka është mirë lidhur me Perëndinë dhe me tempullin e tij.
17Pas vdekjes së Jehojadait, prijësit e Judës erdhën te mbreti e u përkulën para tij dhe mbreti i dëgjoi. 18Ata e braktisën tempullin e Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, dhe adhuruan shtyllat e Asherasë dhe idhujt e tjerë. Kështu, për shkak të kësaj paudhësie, zemërimi i Zotit u ndez kundër Judës dhe Jerusalemit. 19Ai u dërgoi profetë, që të ktheheshin te Zoti, të cilët i qortuan, por ata nuk u vunë vesh.
20Atëherë Shpirti i Perëndisë përfshiu Zakarinë, birin e priftit Jehojada, i cili qëndroi në një vend të lartë përpara popullit e tha: «Kështu thotë Perëndia: “Përse po i shkelni urdhërimet e Zotit? Kjo nuk do t'ju sjellë mirësi, sepse e keni braktisur Zotin dhe ai ju ka braktisur juve”». 21Por populli i ngriti kurth Zakarisë dhe me urdhër të mbretit e vranë me gurë në tremen e tempullit të Zotit. 22Mbreti Joash e harroi mirësinë që i kishte bërë Jehojadai dhe i vrau të birin, Zakarinë. Teksa po vdiste, Zakaria tha: «Zoti paftë e gjykoftë!».
23Në krye të vitit, kundër Joashit u ngrit ushtria e Aramit, e cila sulmoi Judën dhe Jerusalemin, shfarosi të gjithë prijësit e popullit dhe prenë e luftës ia dërgoi mbretit në Damask. 24Ushtria e Aramit kishte një numër të vogël luftëtarësh. Megjithatë, Zoti ua dorëzoi ushtrinë e Judës, që ishte e shumtë në numër, për shkak se ata e kishin braktisur Zotin, Perëndinë e tyre. Kështu u ndëshkua Joashi.
25Kur arameasit u tërhoqën, duke e lënë Joashin shumë të sëmurë, vetë shërbëtorët e Joashit u ngritën kundër tij, për të marrë gjakun e birit të priftit Jehojada, dhe e vranë në shtratin e tij. Joashin e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve. 26Ata që u ngritën kundër Joashit ishin Zabadi, biri i Shimeatës, amonites, dhe Jehozabadi, biri i Shimritës, moabites. 27Të dhënat për bijtë e Joashit, për kumtet e shumta të thëna kundër tij dhe tregimi për rindërtimin e tempullit të Perëndisë, janë të shkruara në librin e Mbretërve. Në vend të Joashit mbretëroi i biri, Amacjahu.
Currently Selected:
2 Kronikave 24: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020